SHBA dhe Irani, progres drejt rikthimit në marrëveshjen bërthamore

Postuar në 08 Prill, 2021 14:56

SHBA dhe Irani duket se janë pranë rikthimit në marrëveshjen bërthamore. Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) është marrëveshja e nënshkruar mes palëve gjatë mandatit të presidentit Barack Obama, por SHBA u tërhoq prej saj pas ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë të presidentit Donald Trump. Me ndërrimin e administratës amerikane, duket se një rikthim te marrëveshja mund të arrihet shumë shpejt. Konfirmimi i fundit vjen nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në oranizatat ndërkombëtare me bazë në Vjenë, Mikhail Ulyanov.

"Detyra është mjaft e qartë – rikthimi i plotë në marrëveshje. Si amerikanët, edhe iranianët thonë se janë të gatshëm për këtë. Natyrisht, iranianët janë shumë kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara, por nuk ka asnjë konfrontim të hapur, edhe pse nuk kanë folur drejtpërdrejt”, tha ai në një intervistë për kanalin televiziv Rossiya-24, cituar nga TASS.

Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk mbajnë kontakte të drejtpërdrejta, por komunikojnë përmes ndërmjetësuesve. Në këtë pikë, roli i BE-së duket shumë i rëndësishëm.

"Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian do të luajë një rol kryesor të një ndërmjetësimi në kontaktet midis iranianëve dhe amerikanëve, por edhe Rusia mund të përfshihet, si çdo pjesëmarrës tjetër në marrëveshje," shpjegoi ai.

Për rikthimin në marrëveshje ka një afat. Ai është fundi i majit.

"Nuk mund të përjashtohet që marrëveshja të rikthehet këtë vit. Unë do të thoja që detyra është ta bëjmë atë shumë më herët, sepse nëse nuk arrihet përparim serioz deri në fund të majit, ne përsëri do të kemi probleme me inspektimet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në Iran", tha Ulyanov.

Diplomati rus vuri në dukje se rezultatet pozitive mund të priten tashmë pas ditës së parë të bisedimeve.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.