Premtim i ri: Anglishtja që në klasën e parë

Postuar në 08 Prill, 2021 12:31

Më 6 janar të vitit 2019, kryeministri Edi Rama deklaronte në një intervistë me Ermal Mamaqin si më poshtë:

Shumëkush këtu ka parë edhe filma sesi janë vrarë njerëz në këtë vend për shkronjat shqipe, se çfarë lufte është bërë për gjuhën shqipe. Gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe, është ajo na bën ne ata që jemi dhe kur e shoh sesi gjuha shqipe po rrezikon seriozisht të gjymtohet për shkak të mungesës së respektit, të vëmendjes për të, them që realisht çdokush duhet të kujdeset se është gjuha e nënës. Ne e kemi futur e kemi rikthyer në shkollë, sepse e kishin hequr gjuhën shqipe nga shkolla, ishte hequr gjuha shqipe, ishte bashkuar me letërsinë. Unë mendoj që edhe në universitet duhet të fusim gjuhën shqipe

Sot, ministrja e Arsimit, Evis Kushi premton se me mandatin e tretë të Partisë Socialsite, gjuha angleze do të futet e detyrueshme që në klasë të parë:

Gjatë këtij mandati vëmendja jonë ka qenë në forcimin e kurrikulave, kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies në anglisht, duke arritur në kushtet kur gjatë mandatit të ardhshëm do të bëhet i mundur fillimi i mësimit të anglishtes që nga klasa e pare

Këto dy pohime ngjajnë disi kundërthënëse. Kush ka fëmijë e di shumë mirë se anglishtja është një gjuhë e dytë e folur për një pjesë të madhe të tyre për shkak të lidhjes së fortë me internetin. Nuk ka ndonjë studim, por një vëzhgim i thjeshtë të jep mundësinë të shohësh se sa më shumë kohë kalon, aq më e përdorur është anglishtja e cila po u jep fëmijëve, ose një pjese të madhe të tyre thuajse statusin e bilingualit.

Problemin ne e kemi me shqipen, të cilën as e njohim mirë dhe mesa po duket as ia kuptojmë rëndësinë. Kryeministri e ka drejt kur bën konstatime të tilla, por ndoshta duhet ta nisë nga ministrat e vet, apo tekstet e administratës. Dhe njësoj si në Greqi apo Itali, gjuhës duhet t’i jepet ajo rëndësi që nuk e ka patur deri më tani.

Anglishtja në klasë të parë dhe e gjithë kjo mësymje informative në gjuhë të huaj për veshin e fëmijëve, sigurisht që priret të ketë ndikim te shqipja e tyre, apo edhe e folura, duke rrezikuar të zhbëhen edhe ato pak arritje që janë bërë. Me shqipen, ose është gabuar në metodë, në politika, ose relacionet tona me botën dhe migrimi i brendshëm, si dhe struktura ekonomike po fermentojnë një proces që nuk po e rrokim të gjithë sa duhet. Por një fakt e vërejmë të gjithë: shqipja jonë ka humbur shumë dhe bashkë me të edhe ne.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.