Oshënar, i vlefshëm për non grata nga SHBA, apo një nga ata "drejtorët që të nxjerrin bojën"?

Postuar në 05 Prill, 2021 01:18

Mbrëmja e djeshme informative u dominua nga lajmi se gjyqi i Arbitrazhit kundër Shqipërisë në favor të Francesco Becchettit kishte si një ndër protagonistët e vet, edhe sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Një person që është përfolur aq shumë saqë edhe sikur çdo gjë të jetë shpifje, ka fituar një peshë që nuk përkon me peshën e detyrës së vet funksionale. Sepse vetëm për të të kredituar pushtet nuk punon njeri. Kjo dihet.  

Z. Agaçi është përfshirë në konsiderimin e çështjes si person që akuzohet nga Becchetti se ka qenë pjesë e asaj që duket si një proces shantazhi për llogari të përfaqësuesve të Top-Channel. Edhe pa ndonjë përfitim real, kjo sjellje e një funksionari përbën akt korruptimi dhe dëmton imazhin. Siç thuhet në materialet e zbardhura, pala shqiptare nuk e ka mohuar implikimin e z. Agaçi në një aferë të tillë, që rezulton nga një takim i tij me Becchettin.

Duke qenë se është naivitet të presësh nga SPAK ndonjë veprim ndaj Agaçit, apo Jotit që sot drejton QSUT-në, është e udhës që ne të pyesim zonjës Yuri Kim nëse Agaçi përmbush kushtet e kërkuara për t’u shpallur non grata nga SHBA si person i përfshirë në korrupsion domethënës?

Zonja Kim e bëri çështje shpalljen non grata të Tom Doshit, por sot kemi një realitet kur Doshi po hyn në zgjedhje. Zonja Kim deklaroi se kishte marrë garanci nga z. Rama se nuk do ta ketë Doshin në qeveri pas zgjedhjeve. Sot, zonja Kim që drejton ambasadën amerikane në Tiranë, sheh se z. Rama sikur është tërhequr nga kjo fjalë…

Në dallim nga z. Doshi, Agaçi është pjesë e qeverisjes, madje e rrethit të ngushtë të z. Rama. Ai është me të gjitha cilësitë e veta institucionale në rrethin e kuq të akuzës deri sa të provojë të kundërtën. Është një nga personat që me aktet e tij I ka kushtuar vendit 110 milionë euro.

Nga ana tjetër, në mos u shpalltë non grata, z. Agaçi duhet të shpallet të paktën si pjesë e listës së drejtorëve që “i nxjerrin bojën qeverisë”, listë që u njoftua si e tillë nga vetë kryeministri Rama në vitin 2015. Është shumë e vështirë që të besohet se Agaçi është oshënari që po mban mbi shpinë mëkatet e të tjerëve.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.