Tri mësime nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese

Postuar në 02 Prill, 2021 11:47
Erind Mërkuri - Lektor i të Drejtës Kushtetuese

 

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, u ndryshua dhe neni 131, pika 1, gërma “f” e Kushtetutës ku tashme parashikohet se “1. Gjykata Kushtetuese vendos për: ... f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.”

Pra tashmë ke mundesinë që të ankohesh jo vetëm për shkeljen e së drejtës për nje proces të rregullt ligjor por për të gjitha të drejtat e tjera kushtetuese. Në fakt megjithëse ka pasur disa tentativa ku është pretenduar edhe cënim të të drejtave të tjera kushtetuese, këto tentativa nuk e kanë kaluar fazën seleksionuese, kryesisht për mos shterim të mjeteve juridike dhe mos ngritjen e pretendimeve në nivel kushtetues. Megjithatë së fundmi ka rezultuar që një cështje arriti të kalonte për gjykim. Më konkretisht, ka rezultuar se Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar zbatimin e Ligjit nr.99/2015 më datë 23.12.2015, por pavarësisht kësaj organet tatimore më datë 6.1.2020 penalizuan një subjekt duke aplikuar pikërisht ligjin e pezulluar.

Duke e konsideruar si një akt absolutisht të pavlefshëm, pasi ishte zbatuar një kompetencë ligjore, zbatimi i së cilës ishte pezulluar nga GJK, iu drejtuam Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, e cila argumentoi se përderisa është respektuar procedura, rezulton që organet tatimore ta kishin kompetencën dhe se cili ishte ligji i zbatueshëm është problem që mbulohet nga pavlefshmëria relative (sot paligjshmëria) dhe jo shkak për pavlefshmërinë absolute. Pra, në përfundim u vendos rrëzimi i padisë.

Mbi ankimin e paraqitur, Gjykata Administrative e Apelit, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, por me një shkak ndryshe, duke argumentuar se konstatimi i shkeljes ishte bërë me datë 5.11.2015, pra përpara se GJK të pezullonte zbatimin e ligjit. Duke qenë se kishte vlerë të vogël dhe nuk lejohej rekurs, paraqita ankim kushtetues individual në Gjykatën Kushtetuese, e cila e kaloi çështjen në seancë plenare dhe e shqyrtoi atë më datë 4.3.2021. Në thelb në ankimin e paraqitur ishin tre argumente:

a) Gjykatat administrative nuk kishin arsyetuar vendimin gjyqësor pasi i ishin shmangur analizës së efekteve të vendimit të pezullimit të ligjit të GJK

b) ishte cenuar siguria juridike për shkak të moszbatimit të vendimit të GJK

c) për shkak se nuk kishte ligj (meqë ishte pezulluar) rezulton se  ishte cenuar dhe e drejta e pronës.

Në seancën gjyqësore, duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve, insistova që pretendimi për cenimin e së drejtës për pronë është ngritur në mënyrë të pavarur dhe jo i lidhur domosdoshmërisht me pretendimin për cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Pavarësisht kësaj, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr.10, datë 4.3.2021, konkludoi se:

Pavarësisht se kërkuesja e ka paraqitur pretendimin për cenimin e së drejtës së pronës sipas nenit 17, pika 1, të Kushtetutës, Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se argumentet lidhen me procesin ligjor administrativ dhe gjyqësor të zhvilluar ndaj kërkueses, bazuar në parimin iura novit curia, çmon ta analizojë çështjen e paraqitur në këndvështrim të nenit 42 të Kushtetutës, sipas të cilit prona nuk mund të cenohet pa një proces të rregullt ligjor dhe se kushdo, për mbrojtjen e së drejtës kushtetuese të pronës, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë.

Në vlerësimin e së drejtës së pronës së kërkueses, Gjykata evidenton se detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe gjobën, janë pjesë e konceptit kushtetues të pronës, pasi pagesa e një sasie të caktuar të hollash, e barasvlershme me masën e detyrimit tatimor, gjobave dhe interesave është një shumë e cila merret nga pasuria e tatimpaguesit, si pasojë e detyrimit, që vetë tatimpaguesit i buron nga ligji, për të paguar detyrimet financiare (shih vendimin nr.16, datë 25.07.2008 të Gjykatës Kushtetuese).

Në analizë të fundit, Gjykata vlerëson se në çështjen konkrete, zbatimi nga administrata tatimore i dispozitave të një ligji të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas, mosriparimi i kësaj situate nga gjykatat, në përmbushje të rolit të subsidiaritetit, dëshmon se gjykatat nuk kanë ushtruar kontroll efektiv për ndërhyrjen që administrata tatimore ka bërë tek e drejta e pronës së kërkueses, e për rrjedhojë, kanë cenuar sigurinë juridike. Duke cenuar sigurinë juridike, gjykatat administrative nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për realizimin e një procesi të rregullt ligjor dhe gjykimi të drejtë sipas nenit 42 të Kushtetutës, të lidhur me parimin themelor të shtetit të së drejtës dhe të ligjshmërisë të sanksionuar nga neni 4 i Kushtetutës. Për këtë arsye, Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkueses është i bazuar.

Nga pasazhet e mësipërme mund të nxjerrim këto tre mësime:

1. Gjykatat e zakonshme ende nuk e njohin si funksionon drejtësia kushtetuese dhe efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

2. Gjykata Kushtetuese nguron të analizojë pretendimet për cënimin e të drejtave të tjera kushtetuese. Nisur nga mënyra si është formuluar neni 42, pika 1 e Kushtetutës (asnjë e drejtë nuk mund të cënohet pa një proces të rregull ligjor), si edhe fakti që për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetetuese kërkohet domosdoshmërisht shterimi i mjeteve, atëherë kjo do të thotë që GJK do t’i analizojë cënimin e të drejtave të tjera brenda kuadrit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe cenimi i tyre do të jetë pasojë, se sa shkelje në vetvete.

3. Gjykata Kushtetuese me këtë vendim, po ecën drejt nocionit të procesit të rregullt ligjor substancial, megjithëse deri vonë ka qenë kufizuar vetëm në aspektin procedurial të kësaj të drejte

Mua më mbetet që të gëzohem vetëm me fitoren (megjithëse gjysmake) si edhe me mendimin paralel të një prej gjyqtareve, si edhe të shpresoj që në të ardhmen Gjykata Kushtetuese të mos jetë kaq nguruese dhe më e hapur ndaj të drejtave dhe lirive themelore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.