BE dhe SHBA, dorështrënguar për Sirinë

Postuar në 31 Mars, 2021 13:38

Bashkimi Evropian, SHBA dhe dhjetëra vende të tjera premtuan të martën 6.4 miliardë dollarë ndihmë për zgjidhjen e krizave të thella humanitare dhe ekonomike në Sirinë e shkatërruar nga lufta dhe për të ndihmuar vendet fqinje që strehojnë refugjatë. Megjithatë, ky kontribut është më i vogël se 10 miliardë dollarët që priste OKB.

Premtimi erdhi në ditën e fundit të një konference vjetore të organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe BE-ja. Përetj këtij granti, institucionet financiare dhe donatorët kanë ofruar edhe kredi në një vlerë totale prej 7 miliardë dollarë.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, njoftoi më shumë se 596 milionë dollarë ndihmë humanitare amerikane për 2021. Departamenti i Shtetit tha se ndihma do të shkojë për popullin sirian dhe refugjatët në Turqi, Liban, Jordani, Irak dhe Egjipt.

Në luftë civile prej mëse një dekade, Siria ka humbur deri tani rreth gjysmë milioni njerëz dhe ka shkaktuar një eksod refugjatësh që ka destabilizuar vendet fqinje dhe ka ndikuar edhe në Evropë. Sipas Kombeve të Bashkuara, 13.4 milionë njerëz në Siri - më shumë se gjysma e popullsisë së para luftës - kanë nevojë për ndihmë. Kjo është një rritje prej 20% nga viti i kaluar.

Kryediplomati i BE-së, Joseph Borrell, tha se e ardhmja e Sirisë "nuk i përket asnjërit prej fraksioneve dhe asnjë prej fuqive të jashtme. U takon sirianëve të vendosin, përmes negociatave të udhëhequra nga Siria nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara".

Qeveria siriane ka marrë përsëri kontrollin e qyteteve më të mëdha të vendit, por pjesë të mëdha të tij janë ende nën kontrollin e rebelëve. Përkrahësit e Presidentit Bashar Assad janë Rusia dhe Irani, ndërsa Turqia dhe fuqitë perëndimore kanë mbështetur opozitën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.