Bllokimi i marrëdhënieve ruso-shqiptare për shkak të Kosovës - tezë diabolike*

Postuar në 27 Mars, 2021 01:06

Ambasadori rus në Tiranë, Mikhail Afanasiev, ka dhënë këto ditë një intervistë për MCN Tv përmes së cilës ezauron disa pyetje që prekin marrëdhëniet ruso-shqiptare. Ajo që bie në sy nga qëndrimet e diplomatit rus është fakti se Tirana zyrtare nuk ka asnjë arsye zyrtare për distancimin në raportet dypalëshe, të cilat thuajse kanë ngrirë.

Mbi këtë situatë nuk ka asnjë analizë të besueshme për të kuptuar nëse politika e deritanishme e servilizmit filoamerikan të Shqipërisë vlen apo kërkon bllokimin dhe paragjykimin tërësor të marrëdhënieve me një vend të madh si Rusia. Por më e pakuptueshme është mungesa e komunikimit, një sjellje disi jashtë norme dhe e pajustifikueshme në botën ku jetojmë.  

***

Intervistoi: Blerina Goce

Edhe pse Rusia nuk është pjesë e Komunitetit Europian, kulturalisht Europa do të ishte e mangët pa kontributin rus. Si e shihni z. ambasador Rusinë si pjesë të civilizimit europian?

Padyshim. Rusia është pjesë integrale e qytetërimit evropian. Përkatësia e kulturës ruse ndaj asaj evropiane nuk përcaktohet aspak nga tipare formale- kam parasysh këtu pozitën gjeografike ose anëtarësimin e Rusisë në struktura të ndryshme evropiane, si: OSBE, Këshilli i Evropës etj. Kombi rus u formua nën ndikimin e vlerave të krishtera të përbashkëta për të gjithë Evropën, të cilat erdhën në vendin tonë nga Perandoria Bizantine dhe për shumë shekuj shërbyen si bazë e qytetërimit evropian në kufijtë lindorë të kontinentit. Që në fillimet e formimit të tij, shteti i lashtë rus luajti një rol të rëndësishëm në Evropë duke ndjekur një politikë të jashtme aktive, e cila i dha mundësinë të ishte anëtar i mirëpritur i unioneve dhe koalicioneve më të ndryshme evropiane.

Gjatë shekujve XVII-XIX ka ndodhur një depërtim aktiv i ndërsjellë i elementeve kulturorë midis kulturave ruse dhe evropiane perëndimore, të cilat jo vetëm konkuronin, por edhe pasuronin njëra-tjetrën. Shoqëria ruse përthithi ide filozofike, shkencore, ekonomike dhe politike, të përparuara për atë kohë, dhe nga ana tjetër “eksportonte” me bujari krijime gjeniale të përfaqësuesve të shquar të shkencës, letërsisë, pikturës, teatrit dhe sferave të tjera të veprimtarisë intelektuale, pa të cilat sot qytetërimi evropian do të ishte i paimagjinueshëm. Emrat e Pushkinit e Dostojevskit, Çehovit e Pasternakut, Çajkovskit e Prokofievit, Mendelejevit e Pavlovit, Gagarinit e Tereshkovit janë “trademark-u” i Rusisë në Evropë dhe botë.

Rusia gjithmonë ka luajtur një nga rolet kryesore në shumë ngjarje fatale në kontinentin tonë. Këtu përmendim edhe formimin e balancës së forcave në Evropë në shekullin e XIX-të, pas luftërave me Napoleonin, edhe Revolucionin Rus të vitit 1917, edhe fitoren mbi nazizmin në vitin 1945. Vendi ynë ka dhënë një kontribut vendimtar në formimin e sistemit modern të marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilin roli kyç i përket OKB-së, por edhe në formimin e sistemit evropian të sigurisë, i cili për disa dekada ka mbrojtur me sukses Evropën nga kërcënimi i një lufte të re.

Në Shqipëri ekziston një dashuri për kulturën ruse. Po në Rusi si vlerësohet kultura shqiptare? Cilët janë hapat që po ndërmerren për afrimin e dy vendeve tona?

Lexuesi rus është i njohur dhe vlerëson lart shkrimtarët shqiptarë, si Ismail Kadare, këngëtarë të operas e muzikës së lehtë, sportistë e figura publike. Sigurisht, Shqipëria në tërësi mbetet një lloj “terra incognita” për qytetarët rusë. Ende ruhet një copëz e madhe e pazbuluar, me të cilën mund të njiheshin njerëzit që jetojnë në Rusi. Sidoqoftë, në dy universitete të vendit tonë studiohet gjuha shqipe, ka specialistë -shkencëtarë të shquar për rajonin e Ballkanit dhe, në veçanti, për Shqipërinë. Para pandemisë, numri i qytetarëve rusë që vizitonin Shqipërinë për qëllime turizmi rritej çdo vit e më shumë. 

Një themel i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve dypalëshe mbeten traditat e vendosura gjatë kohës së miqësisë sovjetiko-shqiptare në fund të viteve ’40-të dhe fillim të viteve ’60-të. Në Shqipëri kam patur mundësinë të njihem me shumë njerëz, të cilët e duan dhe njohin mirë gjuhën, literaturën, teatrin dhe baletin rus, që janë të mirëinformuar për arritjet tona shkencore. Në pikëpamjen time, është e rëndësishme që këto vlera të ruhen dhe transmetohen tek pasardhësit. Kjo do të sjellë dobi si për shqiptarët, ashtu edhe për rusët. Jam absolutisht i bindur për këtë.

Për fat të keq, pandemia e koronavirusit solli ndryshimet e saj. Zhvillimi i aktiviteteve kulturore në format të zakonshëm është bërë i pamundur. Një pjesë e tyre janë organizuar në formatin online. Për shembull, një vit më parë u mbajt online koncerti ndërkombëtar simfonik “Muzika e paqes”, kushtuar 75 vjetorit të Fitores ndaj Nazizmit. Në të morën pjesë edhe bashkatdhetarë nga vendi juaj. Në pranverën e vitit 2020, këngëtarja shqiptare, Enxhi Kumria zuri vendin e tretë në konkursin muzikor ndërkombëtar “Rruga drejt Jaltës”. Ka gjithashtu plane për pjesëmarrjen e artistëve tanë në festivalin e instrumenteve frymore dhe festivalin e kitarës që organizohen në Shqipëri.

Meqë ra fjala, performancat e artistëve rusë në Shqipëri janë shumë popullore. Në ditët e para të punës sime si ambasador (nëntor 2019), më takoi të hapja shfaqjen e baletit në akull të Trupës së Shën Peterburgut, e cila pati një sukses të madh dhe zgjoi interes të mirëfilltë te publiku shqiptar. Shumë shpejt në ekran do të shfaqet filmi “Gjirokastra”, bashkëprodhimi i parë i përbashkët midis Rusisë dhe Shqipërisë në 60 vjet. Ai tregon për fatin tragjik të grave sovjetike dhe burrave të tyre shqiptarë, të cilët u shtypën këtu pas prishjes së marrëdhënieve sovjetike – shqiptare.

Shqipëria është përfshirë në programin e bursave të qeverisë ruse për studime falas në institucionet e arsimit të lartë të Rusisë. Në vitin 2019, para fillimit të pandemisë, Rusia dha 45 bursa - një rekord absolut për gjithë kohën e ekzistencës këtij programi. Siç mund ta shihni, potenciali i zhvillimit të bashkëpunimit humanitar ruso-shqiptar është mjaft i konsiderueshëm.

Duke qenë se shpesh Europa dhe Rusia kërcënohen nga të njëjtët armiq, si epidemia, terrorizmi apo fuqizimi ekonomik i Lindjes së Largët, cili është vizioni juaj për bashkëpunimin me Europën por edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor?

Sigurisht, përpos problemeve kombëtare, ekzistojnë edhe sfida globale, nga të cilat kryesore janë siguria bërthamore, terrorizmi ndërkombëtar, konfliktet rajonale, ekologjia, lufta kundër sëmundjeve infektive, prapambetja ekonomike. Asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë i vetëm këto probleme. Për fat të keq, në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i pranishëm pothuajse i gjithë spektri i sfidave që unë kam renditur, ndaj nevoja për bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar, me qëllim kapërcimin e tyre, duket më e ngutshme.

Rusia shtrihet në afërsi të Gadishullit Ballkanik, ndaj është një pjesëmarrëse e natyrshme në të gjitha proceset që ndodhin këtu, të cilat nuk mund të mos prekin interesat e saj. Çdo përpjekje për të na përjashtuar nga këto procese është e destinuar të mos ketë sukses.

Në të njëjtën kohë, qëllimi i Rusisë nuk është përfitimi i ndonjë avantazhi politik, ushtarak apo ekonomik, por vendosja e një bashkëpunimi konstruktiv, me dobi të ndërsjellë në të gjitha fushat, si një garanci e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit socio-ekonomik të rajonit. Shembuj të një bashkëpunimi të tillë mund të jenë, në veçanti, nisja këtë vit e projektit të gazsjellësit “Rryma Ballkanike”. Moska është e interesuar për zgjerimin e projekteve të investimit në Ballkanin Perëndimor, si edhe nënshkrimin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë midis Unionit Ekonomik Euroaziatik (EEU) e vendeve të rajonit, të ngjashme me atë të nënshkruar me Serbinë në vitin 2019. Sipas mendimit tim, një ide premtuese mund të jetë vendosja e një dialogu midis EEU dhe BE-së për problemet e Ballkanit Perëndimor. 

Shkenca, arsimi, ekologjia dhe kultura paraqesin një interes të veçantë për të dyja palët. Në këtë kontekst, modelet e partneritetit me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ngjashme. Ne përballemi me sfida të përbashkëta dhe ato duhet të zgjidhen së bashku. Ne gjithmonë kemi qenë dhe mbetemi të hapur për një bashkëpunim të ndërsjellë. 

Sa i përket marrëdhënieve të Rusisë me vendet aziatike, ne nuk e shohim rimëkëmbjen ekonomike të këtij rajoni si një lloj kërcënimi për sigurinë tonë. Përkundrazi, ne mirëpresim formimin e një modeli të ri ekonomik global me liderë të fuqishëm rajonalë si shtyllë e një rendi botëror më të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Rusia zhvillon në mënyrë aktive lidhje ekonomike dhe politike me Kinën, Indinë, Pakistanin, Indonezinë, Malajzinë, duke e konsideruar bashkëveprimin me këto vende si një kundërpeshë të fuqishme ndaj përpjekjeve për të ringjallur unpolaritetin që nuk e ka justifikuar vetveten.

Që në konfrontimin e parë me pandeminë e Covid-19, si pak vende të tjera, Rusia zhvilloi vaksinën e vet Sputnik V. Cilat ishin arsyet e këtij vendimi dhe cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e vaksinës Sputnik V?

Në Rusi, që prej kohëve sovjetike, u krijua një shkollë e fortë e virologjisë dhe epidemiologjisë, vendi ynë tradicionalisht ka dhënë një kontribut të madh në luftën kundër sëmundjeve infektive në pjesë të ndryshme të botës. Nga shembujt e fundit mund të sjellim studimet e shkencëtarëve tanë për të luftuar virusin Ebola në Afrikë. Vendimi për të prodhuar një vaksinë sa më shpejt ishte i natyrshëm. Historikisht jemi mësuar të mbështetemi kryesisht te forcat tona. Përveç kësaj, ekziston një efekt pozitiv i sinergjisë - sa më shumë shkencëtarë të kualifikuar në pjesë të ndryshme të botës të fillojnë punën për krijimin e një preparati, i cili do t’i japë fund epidemisë që ka zënë në befasi të gjithë botën, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Një numër artikujsh në revista shkencore i është kushtuar përparësive të vaksinës “Sputnik-V”, të cilat bazohen në teste klinike të preparatit në vende të ndryshme të botës. Gjëja e parë që vlen të ketë vëmendjen tonë është efikasiteti i saj i lartë i provuar (mbi 91%), numri minimal i efekteve anësore të identifikuara, kushtet e thjeshta të ruajtjes (në një temperaturë prej + 2 gradë deri në +8 gradë) dhe avantazhi i rëndësishëm i tregut –vaksina ka një çmim të ulët, krahasuar me analogët e tjerë.

Ndërkohë që është i njohur fakti i bashkëpunimit të Astrazenecas me Sputnik V, disa vende europiane, të cilat fillimisht refuzuan Astrazeneca-n tani janë shfaqur në favor të Sputnik V. Së fundi edhe Gjermania është treguar e hapur për vaksinën ruse, edhe pse vaksina nuk ka marrë aprovimin e Agjencisë Europiane të Barnave- EMA. A mendoni që përdorimi në masë i Sputnik V nga vendet evropiane, por edhe nga Shqipëria është një hap i përafrimit të Rusisë dhe Europës, një kontribut rus në këtë periudhë të vështirë?

Që nga fillimi Rusia u përpoq të vendoste një bashkëpunim ndërkombëtar në shkallë të gjerë, jo vetëm në krijimin e vaksinave, si të tilla, por edhe sigurimin e tyre për popullatën e planetit, në mënyrë që pandemia të kapërcehet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nisemi nga fakti që bashkëpunimi aktiv ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë është një e mirë e përbashkët, një parakusht i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore dhe kthimin e jetës sonë në një kurs normal. Kjo është arsyeja pse Rusia së fundmi paraqiti një kërkesë për t’u bashkuar si donator në mekanizmin COVAX, në sajë të të cilit shumë vende të varfra të botës, duke përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të fitojnë akses në marrjen e vaksinave me kushte preferenciale.

Lufta kundër pandemisë, pasojave të katastrofave natyrore, terrorizmit janë fenomene të të njëjtit kallëpi, kur bashkëpunimi ndërshtetëror ngrihet mbi përfitimet dhe preferencat politike momentale. Të gjithë jemi të bashkuar para virusit. Zhvillimi i ngjarjeve ka treguar se politika e egoizmit kombëtar, e cila është shfaqur në disa vende të caktuara në botë, po na çon në një rrugë pa krye. Si rezultat, shumica e vendeve në botë e kuptuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, në mënyrë që të plotësojnë nevojat e popujve të tyre për vaksina. Aktualisht me 15 prodhues në 10 vende të botës janë nënshkruar kontrata për prodhimin e 1.4 miliardë dozave për të vaksinuar 700 milion njerëz, por kjo nuk mjafton.

Ne nuk ishim iniciatorët e luftës së vaksinave, e cila, për fat të keq, lindi menjëherë, pasi Rusia njoftoi krijimin e vaksinës “Sputnik-V”. Ne nuk synojmë të marrim pjesë në këtë luftë. Rëndësi ka që refuzimi i preparateve ruse kundër kovidit, i cili u demonstrua në fazën fillestare të vaksinimit, gradualisht po zëvendësohet me ndërgjegjësimin për nevojën jo vetëm të bashkëveprimit, por edhe të prodhimit të përbashkët të vaksinave ruse, të cilat, padyshim, kanë vërtetuar efikasitetin e tyre.

Siç e dini, vaksina “Sputnik-V” është regjistruar dhe po përdoret në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore, Republikën Serbe të Bosnjes, Moldavi. Një numër i shteteve latinoamerikane dhe afrikane, gjithashtu, ka nisur vaksinimin me vaksinën “Sputnik V”. Para disa javësh edhe qeveria e Shqipërisë mori vendimin për lejimin në vend të vaksinave antikovid, të ndryshme nga ato amerikane dhe evropiane, në bazë të të cilit, mesa kuptoj, në vend ka mbërritur në formë dhurate nga Emiratet e Bashkuara Arabe një sasi e vaksinës ruse “Sputnik V” prej 10 mijë dozash.

Meqenëse vaksina ruse aktualisht renditet e dyta në botë për nga numri i vendeve që e kanë miratuar atë, duhet të vendosen në veprim më shumë fuqi prodhuese, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e shumta të shfaqura në një periudhë të shkurtër kohore. Që në fillim, pala ruse deklaroi gatishmërinë e saj për bashkëpunim me të gjitha vendet, pa përjashtim, në drejtim të furnizimit dhe prodhimit të vaksinave.

Sipas jush, a po reflektohen marrëdhëniet politike mes SHBA, Europës dhe Rusisë në shpërndarjen e vaksinave, që nga AstraZeneca te Sputnik V?

Sa i përket shteteve konkrete evropiane që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të prodhuar vaksinën “Sputnik-V”, mund të përmend Italinë; gjithashtu, janë arritur marrëveshje me prodhuesit spanjollë e francezë, të cilët janë në pritje të miratimit të vaksinës nga rregullatori evropian. Në Gjermani çështja po shqyrtohet në nivel politik; në Suedi disa kompani farmaceutike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të negociuar me Fondin Rus të Investimeve Direkte, i cili është organi i autorizuar në vendin tim për prodhimin e vaksinave. Tendencat janë të qarta - Evropa gjithnjë e më shumë po udhëhiqet nga interesat e veta, dhe mendoj se, përmes përpjekjeve të përbashkëta, do të arrijmë qëllimet që i kemi vënë vetes. Aktualisht Fondi Rus i Investimeve Direkte është në dialog me Autoritetin Evropian të Barnave (EMA) për certifikimin zyrtar të vaksinës “Sputnik-V”.

Cilat janë marrëdhëniet aktuale midis Rusisë dhe Shqipërisë? Cili ishte shkaku real i tensionimeve të fundit diplomatike mes dy vendeve dhe si mund të tejkalohen ato?

Do të tregohem i sinqertë - marrëdhëniet midis vendeve tona po përjetojnë një periudhë të vështirë. Megjithëse, parakushte objektive për këtë nuk ka: shtetet tona nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrit, nuk ekzistojnë midis nesh konflikte apo kontradikta të pazgjidhshme. Ata që i referohen problemit të Kosovës duke e konsideruar atë shkakun e nivelit të ulët të lidhjeve tona, janë duke vepruar me dinakëri. Shqipëria zhvillon në mënyrë mjaft të sukseshme marrëdhënie me një numër shtetesh që nuk e kanë njohur “pavarësinë” e Prishtinës.Vendet tona kanë potencial të madh për zhvillimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në fushat e turizmit, transportit, energjisë, bujqësisë dhe tregtisë.

Arsyet e rënies së nivelit të marrëdhënieve tona më duken disi artificiale. Me sa duket, ky është një nga elementët e luftës politike që po zhvillohet jo vetëm midis forcave politike në vetë Shqipëri, por edhe në rajon në tërësi, në të cilin lojtarë të ndryshëm të jashtëm garojnë për të ushtruar ndikim. Shembuj të gjallë, përfshirë ato të vendeve fqinje, tregojnë se kjo gjendje e bashkëpunimit tonë dypalësh nuk është normale.

Ekzistojnë të gjitha parakushtet që bashkëpunimi midis Rusisë dhe Shqipërisë të rritet. Shtetet tona mund të ndërveprojnë dhe dëgjojnë njëri-tjetrin për një sërë problemesh ndërkombëtare, përfshirë çështjet e sigurisë evropiane, gjë që u konfirmua vitin e kaluar nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Moskë, në cilësinë e Kryetarit të Radhës së OSBE-së dhe bisedimet e zhvilluara me Ministrin tonë të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov.

Palët diskutuan një gamë të gjerë problemesh, të cilat mund të ishin objekt i bashkëpunimit midis vendeve tona. U prekën gjithashtu disa çështje të lidhjeve dypalëshe ekonomike, kulturore dhe tregtare. U pranua që një shtysë e rëndësishme për fillimin e rimëkëmbjes së marrëdhënieve të plota midis Shqipërisë dhe Rusisë do të ishte rifillimi i punës së Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, i cili deri në vitin 2009 ka funksionuar në mënyrë shumë efektive dhe aktive. Aktualisht, Komisioni, për fat të keq, ekziston vetëm në letër dhe mbledhjet e tij nuk janë mbajtur. Pikërisht ky organ ndërqeveritar është i autorizuar të merret me zgjidhjen e çështjeve të thellimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve tona.

Shpresojmë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill dhe formimit të qeverisë së re të Shqipërisë, autoritetet e vendit do të kenë mundësinë të trajtojnë temën e komisionit ndërqeveritar, dhe më pas të mund të kthehemi së bashku në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojmë të gjitha çështjet e ngutshme të bashkëpunimit tonë. Ne kemi besim se Shqipëria do të gjejë te Rusia një partner të besueshëm dhe objektiv, parimi kryesor i politikës së jashtme të të cilit ka qenë dhe mbetet mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. Ne nuk i diktojmë askujt si të jetojë dhe nuk japim këshilla, nëse nuk na kërkohet.

Sa i përket propozimit të vaksinës ruse, ajo ekziston në heshtje. Siç e kam thënë shumë herë, Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha shtetet pa ndonjë përjashtim apo kusht, pasi lufta kundër koronavirusit është detyra e përbashkët e njerëzimit. Ne mirëpresim shfaqjen e vaksinës ruse këtu. Është kënaqësi për ne që preparatet ruse të ndihmojnë për të shpëtuar shëndetin dhe jetën e qindra shqiptarëve.

Më gjerë, cilat janë marrëdhëniet e Rusisë me Ballkanin Perëndimor, sidomos në dritën e zhvillimeve të pritshme midis Kosovës dhe Serbisë apo dhe asaj çka ndodhi së fundmi në Bullgari?

Marrëdhëniet e Rusisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë përgjithësisht pozitive. Nuk mund të përmend as edhe një shtet të vetëm në rajon, me të cilin Rusia nuk do të mbante marrëdhënie normale. Ekziston gjithashtu një grup vendesh dhe entitetesh, me të cilat Rusia ka marrëdhënie të privilegjuara. Këtu përfshihet Serbia, Republika Serbe e Bosnjes. Në tërësi, marrëdhëniet tona me Bosnjen dhe Hercegovinën janë të shkëlqyera, gjithashtu. Bashkëpunimi ekonomik e politik midis Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kroacisë e Sllovenisë po zhvillohet në mënyrë shumë të frytshme. Janë bërë të dukshme rrugët e përmirësimit të marrëdhënieve, të dëmtuara më parë, me Malin e Zi. Në këtë sfond, ne do të dëshironim që situata në rajon të jetë më e qëndrueshme, e parashikueshme dhe e sigurt. Pikërisht, nga ky këndvështrim Rusia mirëpriti rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të çojë në një zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës.

Qëndrimi i Rusisë është shumë i thjeshtë: baza e zgjidhjes së çështjes së Kosovës ishte dhe mbetet rezoluta përkatëse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Brenda kornizës së kësaj rezolute duhet të veprojnë të gjithë pjesëmarrësit e procesit të zgjidhjes së këtij problemi. Rusia pranon çdo zgjidhje që do të arrihet nga palët. Nëse zgjidhja do të thotë pavarësi, atëherë Rusia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu besojmë se vendimi që do të merret si rezultat i dialogut, do të duhet të miratohet nga një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që ajo të marrë një legjitimitet global dhe çështja e Kosovës të hiqet përgjithmonë nga axhenda ndërkombëtare. Ne nuk shohim ndonjë pengesë tjetër për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ku qëndron Rusia në raport me zgjerimin e Komunitetit Europian? Ndërkohë, më gjerë, si i sheh Rusia zhvillimet në rajonin e Azisë dhe Paqësorit? Cilat janë pozicionimet e Rusisë në shekullin XXI, përkrah krijimit të këtyre aleancave gjigante?

Sa i përket krijimit të unioneve ndërkombëtare të shteteve, krijimit të bashkëpunimit rajonal mbi bazën e tyre, Rusia sigurisht i mirëpret këto procese. Ne mbështesim faktin që shtetet e botës të bashkohen, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së tyre, rritjen e mirëqenies së popullsisë, luftën e përbashkët kundër sfidave globale, krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e një shoqërie demokratike, sigurimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Pra, ne nuk kemi asnjë paragjykim ndaj organizatave dhe unioneve të tilla.

Vetë Rusia aspiron të jetë anëtare e unioneve të tilla, nëse ekziston mundësia. Më parë përmenda EEU, i cili nisi veprimtarinë e vet si një bashkim i ish shteteve post-sovjetike. Aktualisht, kësaj organizate i janë bashkuar një numër vendesh që nuk kanë qenë kurrë pjesë e sferës së ndikimit të Bashkimit Sovjetik. Rusia është një anëtare e plotë e G20, BRICS, si edhe e organizatave, pjesëmarrëse e të cilave është edhe Shqipëria (për shembull, Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC). Nëse nuk jemi fqinjë në Detin Adriatik, atëherë, e sigurt, jemi në Detin e Zi.

Në parim, ne kemi të njëjtin qëndrim ndaj Bashkimit Evropian. BE nuk është një organizatë armiqësore për ne. Për më tepër, deri vonë, BE ka qenë e lidhur me Rusinë, ndër të tjera, edhe në marrëdhënie të shumta partneriteti me iniciativën e vetë Moskës. Ekziston një Marrëveshje Partneriteti dhe Bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, brenda së cilës diskutohet i gjithë spektri i marrëdhënieve midis vendeve tona, përfshirë çështjet e sigurisë evropiane. Për fat të keq, ky dialog kohët e fundit ka ngecur, gjë që kohët e fundit e detyroi ministrin tonë, z. Lavrov, të deklarojë një ngrirje de facto te marrëdhënieve midis Rusisë dhe BE-së. Shpresojmë se mendja e shëndoshë do të mbizotërojë në BE dhe marrëdhëniet do të kthehen në nivelin e partneritetit. Në këtë drejtim, natyrisht, nuk na pëlqen fakti që në fushën e sigurisë BE po anohet gjithnjë e më shumë nga NATO. Por, ky është realiteti i sotshëm, dhe ne jetojmë në këtë realitet.

Sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian, në të cilin Shqipëria po përgatitet të anëtarësohet, ne ruajmë një qëndrim neutral. Është e drejta e çdo shteti të kërkojë partnerë, të zgjedhë rrugët e tij kryesore të zhvillimit. Ne respektojmë këtë të drejtë dhe nuk do të pengojmë askënd në këtë drejtim. E vetmja gjë që doja të theksoja, është se - dhe kjo ka të bëjë me normat e moralit universal - asgjë nuk duhet të bëhet në dëm të interesave të të tjerëve. Prandaj, Rusia gjithmonë këmbëngul që interesat e saj gjithashtu të merren parasysh në procesin e zgjerimeve të tilla. Natyrisht, Rusia vështirë se do të shqyrtojë çështjen e bashkimit me BE në një të ardhme të parashikueshme. Rusia është një qytetërim i tërë dhe është shumë herët të thuhet se ne mund të bashkëjetojmë si një tërësi e vetme brenda kornizave të një organizate të tillë. Sidoqoftë, rrugët e afrimit janë të hapura dhe ne jemi të gatshëm t’i ndjekim ato.

Sa për arsyet pse marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare po degradojnë, fjalë për fjalë, para syve tanë, unë mendoj se në këtë rast të gjithë pjesëmarrësit në komunikimin ndërkombëtar duhet të bëjnë një pauzë, të mendojnë se çfarë po ndodh, pastaj të mblidhen përsëri në tryezën e bisedimeve dhe të zhvillojnë një modul vivendi, i cili do të mund të lejonte që e gjithë bota, e bashkuar për të kundërshtuar kërcënime të tilla ndërkombëtare, si terrorizmi, pandemia etj., të niste një axhendë pozitive dhe, në fund të fundit, të kapërcente këtë përçarje globale në interes të të gjithë njerëzimit.

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.