Pse Amerika nuk mund t'i fitojë më luftërat

Postuar në 23 Mars, 2021 02:40
Lawrence Korb

 

Në artikullin e tij “Tri luftëra, asnjë fitore – Pse?”, Bing West, ish-kolegu im në Pentagon dhe Kolegjin e Luftës Detare, parashtron një çështje sfiduese se pse SHBA – që ai argumenton se është vendi më i fuqishëm në historinë e botës – ka humbur tri luftëra të mëdha që ka zhvilluar gjatë 50 viteve të shkuara: Vietnam, Irak dhe Afganistan. Bing e kërkon fajin për secilat nga këto humbje mes tri qendrave: ushtrisë, politikbërjes dhe humorit popullor mes njerëzve në vend. Ai argumenton me saktësi se qendra politike, apo politikëbërësit, janë përgjegjësit kryesorë për dështimet.

Edhe pse unë kam një farë përvoje në secilin prej atyre konflikteve, pasi kam shërbyer në Vietnam, kam vizituar Irakun tri herë dhe Afganistanin një herë, sërish nuk i afrohem Bing, që është një ndër njerëzit më të zotë që kam njohur ndonjëherë. Megjithatë unë sërish besoj se ai disa herë prezanton një panoramë të paplotë dhe çorientuese të arsyeve se pse ne i humbëm këto tri luftëra.

P.sh, duke analizuar katastrofën e Vietnamit, ai injoron faktin se lufta u zhvillua nën pretendime të rreme. Presidenti Johnson e mori autorizimin e Kongresit në vitin 1964 për të nisur përshkallëzimin masiv në Vietnam, në përgjigje të një sulmi të presupozuar nga Vietnami i Veriut ndaj një anijeje amerikane në Gjirin e Tonkinit. Por edhe përpara hetimit të Kongresit, ishte e qartë për çdo oficer marine pa përvojë se ajo që po deklaronte qeveria se kishte ndodhur, ishte e rremë. Më kujtohet komandanti im në VP-1 – Skuadroni i Parë i Patrulllimit – që kishte marrë pjesë në misione luftimi në LIIB dhe Kore, që na thoshte se sulmet nuk kishin ndodhur siç po shpalleshin zyrtarisht. Kjo ishte diçka që zv.admirali James Stockdale, që ishte shefi im dhe i Bing në Kolegjin e Luftës, që kishte marrë medalje nderi për kurajën e tij si rob lufte në Vietnam dhe që ishte në zonë në atë kohë, e konfirmonte. Njësoj siç bëri një oficer marine që bindi senatorin Wayne Morris të bëhej një nga dy senatorët që votuan kundër Rezolutës së Gjirit të Tonkinit(të dy i humbën zgjedhjet e ardhshme).Kur kjo doli në dritë, ajo po ashtu rriti opozitarizmin kundër luftës mes popullit amerikan.

Një tjetër arsye pse dështuam në Vietnam është se lufta nuk ishte kurrë e fitueshme që në fillim. Bing argumenton se strategjia jonë e dobët ushtarake që nga 1965 deri më 1968, vendimet e këqija politike dhe humori popullor e dënuan me dështim Luftën e Vietnamit. Këto faktorë luajtën një rol, por në të vërtetë vetëm sa theksuan një realitet tashmë ekzistues – një realitet që mu bë i qartë në vitin 1966, kur kolegët e mi dhe unë humbëm rrugën duke u kthyer nga një takim me oficerë të anijeve patrulluese në pjesën veriore të gjirit Kameron, në Vietnamin e Jugut.

Teksa po vinim vërdallë pa sens në përpjekje për të gjetur rrugën e kthimit në bazë, hasëm një manastir katolik. Një prift na udhëzoi për rrugën dhe na dha për të ngrënë. Por teksa po largoheshim, një nga murgjit më pyeti në frëngjisht(gjuhë që e kisha studiuar në shkollë) se pse mendonim se do të bënim diçka më mirë në Vietnam sesa francezët.

Presidenti Eisenhower ishte i ndërgjegjshëm për këtë kur refuzoi të shpëtonte francezët në Dien Bien Phu në vitin 1954, ndonëse shumica e këshilltarëve të tij për sirgurinë, përfshirë asokohe zv. presidentin Nixon dhe kreun e Shefave të Bashkuar të Shtabit, admiral Radford, ia rekomanduan një gjë të tillë. Por shefi i Shtabit, gjenerali Mattheë Ridgëay, që parandaloi që ne të humbisnim në Kore, e ndihmoi Eisenhower të bindej për të mos ndërhyrë, sepse ai, sikurse murgjit që takuam ne, besonte se Vietnami nuk mund të fitohej.

Në mënyrë të ngjashme, shumica e amerikanëve u kthyen kundër luftës në Vietnam, jo sepse kishte hyrë në fuqi mobilizimi, sikundër Bing vëren me saktësi, por për shkak se të privilegjuarit ishin në gjendje ta shmangnin atë, për t’ia lënë atë klasës më të ulët që mund të shërbente në Vietnam pjesën më të madhe të barrës. P.sh, katër nga presidentët e fundit të SHBA, që mund të shërbenin në Vietnam e shmangën atë luftë dhe mobilizimin me mënyra të dyshimta.

Bill Clinton bëri gjoja sikur iu bashkua forcave rezerviste të ushtrisë; George W. Bush përdori lidhjet politike për të hyrë në Rojën Kombëtare Ajrore, ndërkohë që presidenti Johnson e kishte bërë të qartë se komponenti rezervë nuk do të aktivizohej në luftime; Donald Trump sigurisht, kishte osteofit, ndonëse nuk e mban mend në cilën këmbë dhe Joe Biden ka deklaruar se astma që kishte në shkollë të mesme e ndaloi të shërbente edhe pse ai mburret me arritjet atletike të tij të kësaj kohe.

Po kështu, në analizën e tij se pse ne nuk fituam në Irak, Bing injoron faktin se administrata Bush e përfshiu SHBA në luftë me një pretendim të rremë se Iraku posedonte armë të shkatërrimit në masë. Më tej akoma, në kritikën ndaj administratës Obama për tërheqjen nga Iraku në vitin 2011, Bing injoron faktin se Obama nuk kishte zgjedhje tjetër. Ai e bëri këtë sepse në vitin 2008, qeveria e Irakut të cilën e kishte ndihmuar të vinte në pushtet, e bëri të qartë se nuk do të firmoste një Marrëveshje për Statusin e Forcave nëse ne nuk binim dakord të tërhiqnim tërësisht forcat në fund të vitit 2011.

E kam parë këtë me sytë e mi kur punoja për fushatën e Obamës dhe në verën e vitit 2008 kur takova Hoshyar Zebari, ministrin e Jashtëm iraken. Kur e pyeta për marrveshjen e tërheqjes, ai më tha se ishte një kërkesë e panegociueshme. Kur ia referova këtë Denis McDonough, që ishte në fushatë me Obamën dhe u bë më pas Shefi i tij Shtabit, ai u surprizua dhe më pyeti nëse isha i sigurtë për atë që kisha dëgjuar. Në vitin 2009, gjatë një vizite në Irak, e shtrova këtë çështje me disa zyrtarë irakenë në Parlament dhe në degën e ekzekutivit: mora të njëjtën përgjigje.

Më në fund, në dhjetor të vitit 2011, kur kryeministri iraken, Nouri al-Maliki erdhi në Washington për të finalizuar marrëveshjen, unë dhe disa të tjerë, përfshirë këshilltarin e parë të Obamës për Sigurinë Kombëtare, gjeneralin David Jones dhe sekretarin e ardhshëm të Mbrojtjes, Chuck Hagel, u takuam me të. E pyeta drejtpërdrejt nëse mund të kishte diçka që presidenti Obama mund ta bënte në mënyrë që të mbante trupat në Irak. Në thelb ai tha se Bush bëri një marrëveshje dhe SHBA duhet t’I qëndrojë asaj. Në takim, Jones tha se Obama dëshironte të linte 10 mijë trupa.

Bing po ashtu injoron faktin se administrata Bush nuk e vlerësoi Irakun, as publikisht dhe as privatisht për ndihmën që dha në Afganistan, por madje e kritikoi atë publikisht. E kam parë këtë me sytë e mi. Më 9 shtator 2011 punoja në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në New York. Pas sulmeve, ambasadori iranian në OKB më ftoi për darkë dhe më kërkoi të njoftoja qeverinë tonë se Irani i urrente talebanët dhe kishte dëshirë të na ndihmonte ne në Afganistan. Ia referova këtë administratës Bush dhe përfaqësuesi i Bushit në Konferencën e Bonit në dhjetor 2001, që krijoi qeverinë e Karzait, më tha se administrata Bush nuk do ia kishte dalë dot pa iranianët. Shpërblimi ndaj Iranit? Në fillim të vitit 2002, Bush e vendosi atë në aksin e të keqes. Është pak të thuash se si pasojë e kësaj, Irani nuk ka luajtur më ndonjë rol pozitiv në rajon.

Në fund, në analizën e tij për Afganistanin, teksa Bing vëren me saktësi se ushtria jonë nuk do të mund ta transformonte kurrë Afganistanin, ai gabon kur argumenton se ne duhet të qëndronim aty pa kufizim për të shmangur dëmtimin e reputacionit tonë. Shumë prej atyre që luftuan në këtë luftë 20 – vjeçare besojnë tashmë se reputacioni ynë është dëmtuar dhe duan që ne të largohemi përpara sesa ai të dëmtohet më tepër. Llogjika e kostove të së shkuarës nuk duhet aplikuar këtu.

Sa keq do të jetë nëse ne biem dakord që të largohemi më 1 maj, siç Trump ra dakord. Dhe talebanët vijnë në pushtet? Sidomos për gratë? Kur vizitova Afganistanin në vitin 2011, pyeta një zyrtar taleban se si do t’i trajtonin gratë nëse apo kur të merrnin pushtetin. Ai më tha të mos shqetësohesha – se ata nuk do t’i trajtonin ato më keq sesa aleatët tanë, sauditët

Artikulli i Bing duhet lexuar nga të gjithë ata që besojnë se SHBA mund të zhvillojë dhe mbështesë demokracitë duke përdorur fuqinë ushtarake. Megjithatë ata duhet të mbajnë parasysh se ka disa faktorë të tjerë që luajnë po ashtu rol në këtë vendim.

Burimi: National Review

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.