Zgjerimi, Rumania dhe Kroacia insistojnë për Ballkanin Perëndimor

Postuar në 22 Mars, 2021 17:17

Ministrat e Jashtëm të Rumanisë dhe Kroacisë i kërkojnë BE-së mbështetje më gjithëpërfshirëse sa i takon procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Gordan Grlić Radman dhe Bogdan Aurescu kërkuan që kjo çështje të diskutohet në seancën e ardhshme të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Siç raporton European Western Balcans, Aurescu është shprehur se është e domosdoshme që "BE të forcojë angazhimin e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të konfirmojë angazhimin e saj për zgjerimin e Bashkimit Europian".

Më 5 mars, në një letër drejtuar përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, ministrat e Jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë bënë thirrje për debat strategjik mbi Ballkanin Perëndimor në prill sepse "ka pasur zhvillim dinamik politik të brendshëm në vendet e rajonit".

"Pandemia ka përforcuar tendencat ekzistuese, përfshirë implikimet gjeopolitike", dhe "ndërsa BE mobilizon shuma të mëdha për të mbështetur rajonin, aktorët e tjerë janë shumë më efektivë në ofrimin e ndihmës, duke minuar besueshmërinë dhe perceptimin tonë të solidaritetit", thuhet në letrën e ministrave të nëntë vendeve anëtare të BE-së.

Në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, informoi Këshillin në lidhje me angazhimin e fundit të BE me Ballkanin Perëndimor, përfshirë në kontekstin e Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe vizitën e fundit në Kosovë dhe Serbi, si dhe Malin e Zi, nga Miroslav Lajčák, Përfaqësuesi Special i BE për Dialogun Beograd-Prishtinë.

Në të njëjtin takim, gjashtë vende anëtare (Bullgaria, Qipro, Hungaria, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia) kanë prezantuar një nismë për të mbështetur reformat në Bosnje dhe Herzegovinë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.