Diktaturë në sfumato

Postuar në 17 Mars, 2021 00:16
Sokol Lleshi

Diskutimet publike mbi diktaturën komuniste zhvillohen së tepërmi në mjedise mediatike. Madje kolana botimesh me emërtesa mjaft të ngjashme, duke lakuar gjithë ngjyrosje emrin e diktatorit, shkruhen e rishkruhen, nga gazetarë dhe drejtues të opinionit publik të mediatizuar. 

Ajo çka mbizotëron është një thjeshtim deri në skaj i të kuptuarit të diktaturës duke e njehësuar atë me vullnetin e diktatorit e duke bërë të njëjtën pyetje që përsëritet e ripërsëritet: A ishte mirë apo keq në kohën e Atij? 

Është e kuptueshme se individë të ndryshëm, prej shtresave të ndryshme shoqërore apo prej raporteve të ndryshme që mund të kenë patur me regjimin diktatorial të kenë qendrime krejtësisht të kundërta për atë periudhë.

Përfytyrimet individuale e përjetimet individuale nën regjimin diktatorial në momentin që shfaqen si qendrime publike e pjesë e hapësirës publike nuk mund të relativizohen apo të përligjen brenda suazës së tyre ishullore. 

Dialogu përmes dhe midis këtyre kujtesave të kundërta është më i vlefshëm sepse do të mundësonte një reflektim dhe jo fshehje pas frazave të huajtura nga qëndrime doktrinare të mveshura nga kinse neutraliteti parimor që diktaturën ngurron ta cilësojë diktaturë.

Shfaqja e qëndrimeve të nostalgjisë apo të ashtuquajturit të vlerësimit objektiv ndaj diktaturës nuk barten nga individë të zakonshëm po nga individë të cilët mëtojnë të drejtojnë e të na përfaqësojnë në një regjim tjetër, demokraci, që ka mbetur i paformë e i pathemeltë. 

Kjo për shkak të mungesës së një kujtese të përbashkët, që nuk reduktohet tek mbifuqia arbitrare e trillane e diktatorit, në të mirë e në të keq, po shkon drejt pranimit se mungesa e dinjtetit njëzor dhe e lirisë është ajo çka e bën një regjim, qoftë edhe në dukje modernizues, një diktaturë. 

Mbërritja e një konsensusi të tillë shoqëror mbi Diktaturën, të mbështetur në mungesën e një kujtese mbizotëruese përjashtimore, do të kërkonte mes të tjerave, në mënyrë që të ishte e vlefshme për të gjithë ne si shoqëri, një bazament moral minimal. 
Ky bazament minimal moral nënkupton vetëdijësimin se transformimet sociale apo politike të mbështetura tek dhuna politike, nëpërkëmbja e dinjitetit të individit, cenimit të lirisë dhe tek të sakrifikuarit e grupeve shoqërorë në emër të utopive që do të vijnë, janë të papranueshme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.