A janë kërcënim për rajonin ambiciet bërthamore të Turqisë?

Postuar në 12 Mars, 2021 17:10
Vassilis Nedos/Yannis Souliotis

 

Rreth tre javë më parë, gjatë një telefonate 45-minutëshe me homologun e tij amerikan, Anthony Blinken, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ngriti një temë që shpesh kalon nën radarin e diplomacisë ndërkombëtare. Fjala është për çështjen problematike të ndërtimit të një stacioni bërthamor në Akkuyu, Turqia jugore. Kjo çështje varion nga fakti që ky stacion përbën kërcënim sigurie për shtetet e tjera në afërsi të Turqisë, deri në atë që është investimi më i madh i huaj nga Rusia dhe Ankaraja nuk ka treguar gatishmëri për transparencë mbi uzinën. Sipas të njëjtit burim, Dendias theksoi gjithashtu rrezikun që Akkuyu mund të kthehet në një "Çernobil" të ri në Mesdheun Lindor.

Për shumë vite, Athina ka mbajtur nën vëzhgim përpjekjen e dyshimtë të Turqisë. Raportet që qarkullojnë brenda shërbimeve përgjegjëse greke, për të cilat “Kathimerini” është vënë në dijeni, e bëjnë të qartë se ekziston një rrezik tjetër në lidhje me programin bërthamor të Turqisë. Përmes krijimit të reaktorëve bërthamorë për prodhimin e energjisë, Turqia po merr njohuritë e nevojshme teknologjike dhe aksesin në materialet që mund të përdoren për zhvillimin e armëve bërthamore.

Zyrtarët grekë, duke folur në kushte anonimati, raportuan se Turqia po zbaton një plan për ndërtimin e tre termocentraleve bërthamore. Në të njëjtën kohë, po trajnon inxhinierë bërthamorë dhe po kërkon akses në burime me qëllim të dyfishtë - materiale dhe pajisje të destinuara për përdorim civil dhe ushtarak.

Nga tre stacionet e planifikuara të energjisë bërthamore, më i largëti është ai në Akkuyu, në bregdetin juglindor të Turqisë pranë qytetit Mersin. Dy impiante të tjera janë duke u ndërtuar ose planifikuar, në Sinop në Detin e Zi dhe Igneada në Thrakinë Lindore, gjithashtu në Detin e Zi, afër kufirit me Bullgarinë.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e ka shprehur publikisht ambicien e tij për ta bërë Turqinë një shtet me armë bërthamore. “Disa shtete posedojnë raketa me koka bërthamore dhe na thonë ne se nuk mund të marrim armë të tilla. Kjo është diçka që unë nuk mund ta pranoj”, u tha ai anëtarëve të partisë së tij, AKP, në shtator 2019.

Marrëveshja për ndërtimin e uzinës Akkuyu u nënshkrua nga shteti turk dhe Rosatom, korporata shtetërore e Rusisë për energjinë bërthamore, në 2010. Kostoja e projektit është afërsisht 22 miliardë dollarë dhe marrëveshja përcakton ndërtimin e katër reaktorëve bërthamorë 1 200 MË. Dy nga këta janë tashmë në ndërtim e sipër. I pari është planifikuar të vihet në punë në 2023, në njëqindvjetorin e Republikës Turke. Sidoqoftë, termocentrali nuk pritet të jetë plotësisht funksional para vitit 2025. Vlerësohet se stacioni bërthamor Akkuyu do të mbulojë 8% -10% të nevojave të energjisë së Turqisë dhe të ketë një jetëgjatësi të paktën 60 vjet.

Rosatom po financon projektin përmes kompanisë së saj filial me qendër në Turqi Akkuyu Nukleer Sh.A. (Rosatom ka 99% të aksioneve të kompanisë që nga viti 2010). Është investimi më i madh privat në energjinë bërthamore në 17 vitet e fundit. Sa i përket vendit ku ndërtohet, në Akkuyu, duhet të theksohet se ende nuk i është nënshtruar testeve (stres test), vlerësimit teknik, përfshirë rreziqet që paraqet aktiviteti sizmik i rajonit.

Në 2013, qeveria turke nisi negociatat edhe me Mitsubishi Heavy Industry dhe kompaninë franceze Areva për ndërtimin e një stacioni të dytë bërthamor në rajonin e Sinopit. Sidoqoftë, kishte mosmarrëveshje dhe kompania japoneze u tërhoq nga negociatat, ndërsa e ardhmja e projektit mbetet e pasigurt.

Në vend të saj, kompania e energjisë shtetërore turke arriti një marrëveshje me Kinën për të ndërtuar një stacion bërthamor në zonën e Igneada në Trakinë Lindore, afërsisht 5 kilometra nga kufiri bullgar. Në fakt, kjo zonë më e gjerë u caktua si zonë ushtarake në maj. Zyrtarët grekë që e njohin mirë këtë çështje vërejnë se kjo ka shumë të ngjarë të lehtësojë urdhrin e detyrueshëm të blerjes së tokës të caktuar për ndërtimin e termocentralit.

Në Turqi janë dy depozitat e uraniumit. E para dhe më e vjetra nga të dy zonat e minierave, ndodhet në Temrezli në provincën Yozgat të Turqisë qendrore. Një depozitë e dytë u zbulua pranë qytetit të Sefaatli, në të njëjtën krahinë. Në 2015, kërkimi dhe funksionimi i kësaj zone u mor përsipër nga një kompani amerikane, por tre vjet më vonë ajo u tërhoq nga zona, pjesërisht për shkak të tensionit në rritje në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Besohet se përpjekjet dhe manovrat diplomatike të Turqisë në vendet e Afrikës të pasura me uranium, përfshirë Nigerin dhe Çadin, janë pjesë e ambicieve të saj më të gjera bërthamore.

Në mënyrë të ngjashme, analistët grekë dhe ata ndërkombëtarë sugjerojnë që ofertat nga zyrtarët turq ndaj anëtarëve të institucionit politik dhe ushtarak të Pakistanit janë gjithashtu pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta bërë Turqinë një fuqi bërthamore, pasi Pakistani është një nga nëntë vendet në botë që posedojnë arsenal bërthamor. Në fakt, sipas raporteve ndërkombëtare, një traktat me të cilin Pakistani do të siguronte ekspertizë teknologjike për ndërtimin e armëve bërthamore, dhe potencialisht edhe raketa me rreze të gjatë veprimi, ishte tema e takimit midis zyrtarëve ushtarakë turq dhe pakistanezë në Ankara në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Instruktorët rusë

Trajnimi i inxhinierëve turq nga Instituti rus i Fizikës Bërthamore filloi në vitin 2018. Vlerësohet se që nga fillimi i programit, mbi 140 inxhinierë të rinj janë diplomuar dhe 110 të tjerë janë në fazën e studimeve. Sipas një raporti të botuar në 17 shkurt nga gazeta turke “Hurriyet”, dhe ribotuar nga agjencia ruse e lajmeve Sputnik, inxhinierët bërthamorë turq po trajnohen në Universitetin Kombëtar të Rusisë të Kërkimeve Bërthamore MEPhI në Moskë dhe Obninsk.

Në të njëjtën kohë, Turqia po kultivon gjithashtu marrëdhëniet e saj me Ukrainën, në mënyrë që të ketë një mundësi tjetër nëse Kremlini vendos t'i japë fund mbështetjes së saj për programin bërthamor dhe transformimin e Turqisë. Turqia e nënshkroi Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore në 1980 dhe në 1996 ishte nënshkruese e Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Provave Bërthamore. Në një artikull të botuar disa muaj më parë nga Qendra për Interesin Kombëtar, një institut konservator amerikan, një zyrtar i Departamentit të Shtetit citohet të ketë thënë se është jetike që Turqia të vazhdojë të respektojë angazhimet e ndërmarra kur nënshkroi dy traktatet. Ambiciet bërthamore të Turqisë kufizohen gjithashtu nga anëtarësimi i vendit në NATO, pasi mosprhapja e armëve bërthamore është një nga parimet themelore të organizatës.

Sidoqoftë, Erdogan nuk ka pasur kurrë ndrojtje për t’i shfaqur qëllimet e tij dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 2019 deklaroi se "zotërimi i energjisë bërthamore ose duhet të ndalohet nga të gjithë ose të lejohet nga të gjithë". Së fundmi, duhet të theksohet se Turqia nuk është palë në Konventën e Përbashkët të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike mbi Sigurinë e Menaxhimit të Karburantit të Shpenzuar dhe mbi Sigurinë e Menaxhimit të Mbetjeve Radioaktive.

Burimi: Ekathimerini 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.