Koha që eksodi i 1991-t të përkujtohet në Shqipëri

Postuar në 07 Mars, 2021 03:02

Si mund të arsyetohet vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama dje në Itali, ku u ndal në Bari dhe në Brindizi për të kujtuar siç u tha 30 vjetorin e eksodit të shqiptarëve? 

Vizita që ka sjellë në Pulia edhe Luigi di Maio, lidhet patjetër me një moment historik dhe simbolik, por është disi e çuditshme që një kryeministër i Shqipërisë zbret në Itali vetëm për këtë qëllim.

Së pari, sepse përvoja e shqiptarëve në Bari në vitin 1991 nuk është e mirë dhe kush ka qenë aty e di këtë.

Së dyti nuk është e qartë se çfarë lloj jubileu është ky? Është e vërtetë se Italia ka një lloj kulture në kujtesën e gjërave të tilla, ka një lidhje me detin që e sheh si pikë lidhëse. P.sh në Otranto është vendosur Katri i Radës që u mbyt në vitin 1997, shndërruar në një formë muzeale me mesazhe të qarta humanitare. Përballë asaj përmendoreje relike është një pllakat që kujton shpëtimin e një anijeje në vitin 1974.

Dhe kjo e bën të kuptueshme celebrimin nga pala italiane. Por pala shqiptare nuk është kujtuar që në 30 vjet të përkujtojë Ikjen e shqiptarëve që ishte shpresë, dalje nga izolimi, por edhe riciklim i një plage të vjetër të këtij vendi që na kujton vazhdimisht se Ikja është një ndër konstantet e marrëdhënieve tona me të ardhmen.

Asnjë monument për të qenë, asnjë përkujtesë, asgjë. Vetëm një makinë që çau murin e ambasadës gjermane, edhe ajo me propozim të palës gjermane. Qeveria e fasadave dhe instalacioneve mundet të kujtohej për këtë gjë, duke dhënë kështu mundësi që vërtet ta përkujtojmë Mbërritjen në Itali, por të mos fsheshim se kjo mbërritje ishte së pari Ikje nga Shqipëria.

Qeveria e z. Rama akuzohet nga një pjesë e politikës dhe medias se ka rikthyer dukurinë e ikjes, të cilën kërkon ta relativizojë me lirinë e lëvizjes. Kur shumëkush e di se kjo ikje e tanishme është dorëzim para faktit se shpresa ka humbur, se brezi ynë e ka skualifikuar alternativën e jetesës në këtë vend.

Është e dobishme që të kujtohet pra Ikja, të reflektohet mbi të përpara sesa të vazhdohet me këto vizita pa kuptim në një vend si Italia, që vërtet është më i afërti me ne në shumë drejtime. Që mund ta na japë shumëçka, por jo dinjitetin dhe respektin për historinë që nuk po e gjejmë dot.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.