Borrell: BE-ja duhet të angazhohet ushtarakisht aty ku mungon NATO

Postuar në 07 Mars, 2021 19:28

Kreu I diplomacisë europiane, spanjolli, Josep Borrell, ka dhënë një intervistë për revistën gjermane “Spiegel” përmes së cilës ka komentuar zhvillimet ndërkombëtare dhe raportet me Rusinë. I cilësuar në fillimet e detyrës së vet si një karakter këmbëngulës dhe shpërthyes, Borrell, në të vërtetë nuk arrin të formulojë ndonjë gjë të madhe mbi atë se çfarë duhet të jetë Europa. Spanjolli në të vërtetë ka një paraqitje publike përshkruese, duke mos thënë asgjë lidhur me sfidat e BE-së në momentin e tanishëm. Në këtë pikëpamje, Borrell është një europian i vërtetë që nuk ndan asgjë. P.sh, i pyetur mbi debatin e Nord Stream 2, Borrell ka dhënë një përgjigje as mish, as peshk:

Komisioni Europian, president i të cilit unë jam, është shprehur disa herë se Nord Stream 2 nuk ndihmon në deiversifikimin e furnizimit me energji të Europës apo në autonominë energjetike te BE-së. Por Komisioni nuk mund të ndalojë firmat private të mos investojnë para në një projekt industrial

shprehet Borrell.

Ky lloj qëndrimi nuk justifikohet dhe as mbrohet dot, pasi vetëm në rastin e pandemisë, BE-ja ndaloi eksportin e pajisjeve mjekësore jashtë bllokut. Duke vënë kështu drynin në vullnetin e kompanive private për të vendosur ato se ku shesin. Sigurisht që në oqeanin e rregulloreve të BE-së mund të gjendet justifikim për çdo gjë, por një shtet nuk mund të jetë funksional kur shndërrohet në arkivë aktesh.

Një tjetër aspekt që dëshmon pavendosmërinë e ndoshta mungesën e kohezionit në BE është siguria. Borrell pranon se angazhimet ushtarake të BE-së nuk mund të shmangen më sidomos kur pranohet realiteti se “jetojmë në një botë të rrezikshme”. Problemi këtu është sërish në përmasën politike dhe objektivin sesa paratë.

Shtetet e BE-së marrë së bashku shpenzojnë tri herë më shumë për mbrojtjen sesa Rusia. Por asnjë nuk do të kundërshtonte faktin se Rusia ka forcë më të madhe ushtarake dhe ka vullnetin për ta përdorur atë pushtet. Anëtarët e BE-së janë të përgatitur të mbrojnë interesat e tyre, edhe ushtarakisht. Jo vetëm nën flamurin e BE-së…

Për shkak të historisë së tyre, gjermanët kanë kontraktim për të marrë pjesë në operacione ushtarake jashtë vendin, dhe e kuptoj këtë. Por ka një vlerësim në rritje se ne jetojmë në një botë të rrezikshme dhe është në interesin e BE-së të angazhohet ushtarakisht – sidomos në sfidat ku mungon NATO. Të flas hapur, nuk e shoh NATO-në të angazhohet në Sahel, megjithatë dikush duhet ta bëjë këtë. Sot është dikush prej anëtarëve të BE-së, por jam i bindur se ne mund ta bëjmë këtë shumë më efektive nëse si europianë do të bashkojmë kapacitetet ushtarake

shprehet Borrell.

Është e çuditshme sesi mund të ndodhë një gjë e tillë ndërkohë që sot BE-ja nuk po di se çfarë të bëjë edhe me një rajon si Ballkani Perëndimor, ndërkohë që ajo mungoi fare në kriza si ato të Mesdheut Lindor. Ne pamë politikë të jashtme nga Gjermania dhe Franca në Egje, apo Libi, por jo nga BE dhe është disi utopike të mendosh se kjo do të arrihet shpejt kur sheh se sa dallon p.sh qëndrimi mes Berlinit dhe Parisit për Turqinë. Dhe të mendosh se na thuhet se BE-ja përdor të njëjtin sistem vlerash në politikën e jashtme!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.