Lufta dhe paqja

Postuar në 25 Shkurt, 2021 02:01
Gorgio Agamben

 

Duhet marrë seriozisht teza, e përsëritur disa herë nga qeveritë, sipas të cilës njerëzimi dhe çdo komb gjendet aktualisht në gjendje lufte. Kuptohet vetiu se një tezë e tillë shërben për të legjitimuar gjendjen e jashtëzakonshme me kufizimet e veta drastike të lirisë së lëvizjes dhe shprehjet absurde si “shtetrrethim”, përndryshe vështirësisht të justifikueshme. Lidhja që mban lidhur pushtetet e qeverisë dhe luftën është megjithatë më intime dhe e thellë. Lufta është diçka pa të cilën ata nuk mund të bëjnë në mënyrë të vazhdueshme. Ky është fakt. Në romanin e tij, Tolstoi kundërvendos paqen, në të cilën njerëzit ndjekin pak a shumë lirisht dëshirat, ndjenjat dhe mendimet e tyre dhe që aty shfaqet si i vetmi realitet, ndaj abstragimi dhe gënjeshtrës së luftës, ku çdo gjë duket e tërhequr nga një nevojë e pashmangshme.

Në afreskun e tij në pallatin publik në Siena, Lorenzetti paraqet një qytet në paqe, banorët e të cilit lëvizin lirisht në të sipas preokupimeve dhe kënaqësive, ndërkohë që në kat të parë disa vazja kërcejnë duke u kapur përdore.

Ndonëse afresku është titulluar “Qeveria e mirë”, një gjendje e ngjashme, e endur ashtu siç është nga ngjarje të vogla të përditshme dhe nga dëshirat e gjithkujt, është në planin afatgjatë, në të vërtetë e paqeverisshme për pushtetin. Për aq sa mund t’i nënshtrohet kufijve dhe kontrollit të çdo lloji, ajo priret në të vërtetë për nga natyra e vet t’u ikë llogaritjeve, planfikimeve dhe rregullave – apo të paktën kjo është frika e fshehtë nga pushteti. Kjo mund të shprehet edhe duke thënë se historia, pa të cilën në analizë të fundit, pushteti as nuk mund të mendohet, është ngushtësisht solidare me luftën, ndërkohë që jeta në paqe është me përkufizim pa histori. Elsa Morante kishte në mendje diçka të këtillë, kur i vinte romanit të vet titullin “Historia”, në të cilin çështja e disa njerëzve të thjeshtë kundërvihet ndaj luftërave dhe ngjarjeve katastrofike që shenjuan çështjet publike të ‘900-ës.

Për këtë arsye, pushtetet që duan të qeverisin botën, do të duhet, herët apo vonë, të përfshihen në një luftë, pak rëndësi ka nëse do të jetë e vërtetë apo e simuluar. Dhe përderisa në gjendjen e paqes, jeta e meshkujvei priret të shkëputet nga çdo përmasë historike, nuk të çudit fakti se qeveritë sot nuk po lodhen së kujtuari se lufta ndaj virusit shënon fillimin e një epoke të re historike, në të cilën asgjë nuk do të jetë si më parë. Dhe shumë nga ata që mbylin sytë për të mos parë situatën pa liri në të cilën kanë rënë, e pranojnë pikërisht sepse janë të bindur, jo pa një fije krenarie, se po hyjnë – pas thuajse 70 vjetësh jete paqësore, pra pa histori – në një erë të re.

Edhe pse sikurse është shumë e qartë, bëhet fjalë për një epokë shërbëtorësh dhe sacrifice, në të cilën çdo gjë që e bën jetën të denjë për ta jetuar, do të duhet të pësojë kufizime poshtëruese, ata i nënshtrohen në një shkallë të madhe, sepse besojnë thellësisht se kanë gjetur për jetën e tyrë në këtë mënyrë, atë sens që e kishin humbur pa e kuptuar në paqe.

Është e mundur gjithësesi, që lufta kundër virusit, që dukej një dispozitiv ideal, e të cilën qeveritë mundet ta dozojnë dhe orientojnë sipas kërkesave të tyre, shumë më lehtë sesa një luftë e vërtetë, të përfundojë, si çdo luftë, duke u dalë nga kontrolli. Dhe ndoshta, në atë pikë, nëse nuk do të jetë shumë vonë, njerëzit do të kërkojnë sërish atë paqe të pakontrollueshme që e kanë braktisur me kaq mendjelehtësi.  

Burimi: Quodlibet

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.