Made in Italy/Lanfranco Cirillo, njeriu që ndërtoi pallatin 1 miliard dollarësh të Putin

Postuar në 24 Shkurt, 2021 19:04

Pak javë më parë, lideri i opozitës ruse, Alexei Navalni, publikoi një Youtube një film me titullin “Një pallat pët Putinin”. Që atëherë, videoja është klikuar mbi 113 milionë herë.

Por pak e dinin më përpara se autori i pallatit është arkitekti italian Lanfranco Cirillo, i cili ka dizajnuar vilat e shumë prej super të pasurve në Rusi.

"I pasur" është fjala që vetë Cirillo përdor për të përshkruar projektin.

"Duke folur në aspektin arkitektonik, nuk është projekti më i madh ose më i mirë që kam bërë. Është neoklasicizëm i bukur - kjo është ajo që është kërkuar. Si arkitekt, unë ndërtoj atë që dëshiron klienti", rrëfen ai për “Der Spiegel”.

Duket pothuajse sikur ai dëshiron të distancohet, për të shfajësuar veten për stilin bombastik. "Duke folur estetikisht, është shumë korrekte duke marrë parasysh përmasat historike. Nuk është kitsch”, thotë ai. "Nuk është tepruar, por natyrshëm është e pasur, siç duhej të ishte. Dhe ne përdorëm materiale fantastike. Unë isha krenar për punën time. Është tamam stili “Made in Italy”.

I pasur është termi që shumë rusë përdorin për të përshkruar dekorin. Pallati ka një disko-pishinë, një shisha bar me një tub për kërcime ekzotike, një kinema shtëpie - të gjitha këto shfaqen në filmin e Navalny, të rindërtuara me përpikëri në kompjuter sipas planeve të arredimit. Në fund të djathtë të planeve është emri i firmës arkitektonike të Cirillo, në atë kohë: Stroygazkomplekt.

Nga zyra e tij në Dubai, përmes Zoom, ai thotë se e ka parë filmin e Navalny-t. Ai gjithashtu konfirmon se planet për mobilimin e pallatit duket të jenë autentike. Ai thotë se rindërtimi 3-D është gjithashtu gjerësisht i saktë, edhe pse jo në çdo detaj.

Megjithatë, Cirillo mendon se pothuajse çdo gjë tjetër në film është keqinformuese. Ai pretendon se prona e Detit të Zi nuk është as spektakolare dhe as nuk është ndërtuar për Putinin dhe nuk e kupton gjithë zhurmën e krijuar. Ai thotë se Rusia ka probleme më të mëdha sesa një projekt që ka 12 vjet që është përfunduar.

Dikush mund të përpiqet të tregojë historinë e pallatit në Gelendzhik me fjalët e Cirillo në vend të Navalny, por rrëfimi mbetet i paplotë, me shumë paqartësi.

Në vitin 1990, ai ishte në Moskë si përfaqësues i ndërmarrjes së mobiljeve Mascagni. "Në atë kohë, nuk kishte shumë të huaj që mund të flisnin rusisht. Ne nuk po ndërtonim vetëm një shtëpi, ne po shisnim një mënyrë jetese. Shtëpitë përfunduan, deri te gotat e verës. Gjithë çka duhej bërë ishte të sillnin rrobat tuaja”, thotë Cirillo me krenari.

Ai thotë se 44 miliarderë të listës ruse të “Forbes” janë mes klientëve të tij. Ai ka ndërtuar për ta në Shën Petersburg, Londër, Paris dhe në brigjet e deteve të ndryshme. Shumica e punëve të tij janë në Rublyovka, zona ekstravagante e banimit në perëndim të Moskës.

Megjithatë, emri i tij ishte i panjohur për arkitektët rusë.

"Në sytë e mi, Cirillo nuk është arkitekt, por një tregtar i mobiljeve të shtrenjta italiane," thotë kritiku i shquar rus i arkitekturës Grigory Rezvin. "Kjo është jashtë ekspertizës sime."

Emri Cirillo u përmend për herë të parë publikisht në 2010 dhe u lidh me pronën misterioze të Detit të Zi. Një biznesmen i informuar i shkruajti në një letër të hapur Presidentit të atëhershëm, Dmitry Medvedev, me të cilën e informonte se një pallat po ndërtohej për Putinin pranë Gelendzhik fonde të dyshimta. Ai e vlerësoi koston totale në një miliard dollarë dhe tha se modeli i brendshëm ishte miratuar personalisht nga Putini dhe vënë në jetë nga Cirillo.

Por Cirillo thotë se nuk ka folur kurrë me presidentin për këtë projekt.

Ai pretendon se klienti i tij ishte Stroygazconsulting, një kompani në pronësi të biznesmenit jordanez Ziad Al Manaseer. Ai thotë se ishte kontraktuar për të projektuar ndërtesën dhe ambientet e brendshme, por nuk ishte përfshirë në ndërtimin e saj. "Dhe nëse kjo kishte të bënte me dizajnin ose brendësinë, unë vetëm kisha kontaktuar ndonjëherë me Stroygazconsulting," thotë Cirillo.

Por për kë do të ndërtohej pallati? Cirillo nuk thotë, por tregon se si nuk është menduar si banesë private. "Nuk është një vendbanim familjar - është një vend ku mund të presësh mysafirë. Dhe jo vetëm një, por 20 deri në 30. Nuk ka asnjë zonë familjare në atë pronë. Nuk mund të ndërtosh një shisha bar në një rezidencë banimi".

Por çuditërisht, në zonë ndalohet fluturimi. FSO, shërbimi presidencial i sigurisë, e ruan pronën së bashku me agjencinë e shërbimit sekret FSB. Edhe anijet janë të ndaluara në ujërat bregdetare përpara vilës.

Cirillo thotë se ka qenë në këtë pronë 20 deri në 30 herë, edhe pse, siç pretendon ai, nuk ishte i përfshirë në procesin e ndërtimit. Ai thotë se ai ishte vetëm përgjegjës për dizajnin dhe më vonë për dekorin dhe orenditë dhe se për herë të fundit ishte në të në pranverën e 2014-s.

Cirillo i ndërpreu aktivitetet e tij në Rusi në 2015. Vajza e tij u sëmur me kancer dhe ai donte të kalonte kohë me të. Ai thotë se e ka mbyllur zyrën e tij në Moskë shumë kohë më parë. Vajza e tij vdiq dhe ai tani dëshiron të angazhohet në bamirësi dhe t'u përkushtohet kauzave mjedisore.

Në një kthesë paksa absurde, pallati në Gelendzhik aktualisht është më larg përfundimit se asnjëherë tjetër. Ajo që tregon Navalny në filmin e tij korrespondon me planet e mobilimit, por nuk pasqyron më gjendjen aktuale. I gjithë projekti i ngjan rastit të aeroportit të Berlinit, i cili u bë funksional gati një dekadë pasi ishte planifikuar fillimisht. Thjesht ngeci para se të arrinte në vijën e finishit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.