Barra e rëndë e arbitrazhit, 450 milionë euro dëmi potencial 

Postuar në 21 Shkurt, 2021 19:35

Arbitrazhet kërcënojnë buxhetin e shtetit me fatura të majme. Aktualisht, shteti shqiptar 6 ka gjashtë çështje arbitrazhi ende të hapura. Dy prej tyre i takojnë vitit 2020. “Monitor” ka bërë një përllogaritje të kostos që mund të kenë ato në xhepat e taksapaguesve shqiptarë. 

Në total, dëmshpërblimi potencial llogaritet rreth 450 milionë euro.

Për disa prej çështjeve, shqyrtimi është ende në fazat e hershme dhe gjykatat nuk kanë ende një vendim në favor të njërës apo tjetrës palë. 

Avokatura e Shtetit është vënë në kërkim të studiove të huaja ligjore, të cilat do ta përfaqësojnë në këto përballje që ende nuk kanë nisur. 

Dy çështjet që pritet të rëndojnë të parat në buxhetin e shtetit shqiptar janë ajo me Becchetti-n dhe me “Valeria Italia SRL”. 

Të futura në kategorinë e detyrimeve kontigjente për buxhetin, për këto dy çështje nuk ka ende vendim të formës së prerë. Sidoqoftë, “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” (Becchetti) mund t’u kushtojë shqiptarëve 108 milionë euro (Avokatura e Shteti ka kërkuar anulimin) dhe ndërsa “Valeria Italia S.RL.” përballë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mund të kushtojë 550 000 euro.
Edhe përballja e “Aktor” dhe “Copri” me shtetin shqiptar duket se ka marrë formë të prerë. Dy kompanitë e angazhuara në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, në bazë të vendimit të gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit duhet të kompensohen me 45 milionë dollarë. 

“Dondi & Kubota” kundër Shqipërisë, përballë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, MIE, është një tjetër çështje e hapur.  Projekti në zonën e Kasharit për pajisjen me një impiant të përpunimit dhe pastrimit të ujërave të zeza të Tiranës u ndërpre nga ana e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve. Bashkimi i kompanive “Dondi & Kubota”  e çuan çështjen në arbitrazh, humbja e të cilit ka një kosto prej 90 milionë eurosh.

Arka Energy B.V. i kërkon shtetit shqiptar 110 milionë euro për parkun fotovoltaik të Akërnisë. Tërheqja e qeverisë shqiptare nga kontrata për parkun fotovoltaik nuk ka një shifër zyrtare, megjithatë sipas burimeve të “Monitor”, humbja në arbitrazh mund të na kushtojë 110 milionë euro.

Edhe koncesioni i portit të Durrësit mund të kthehet në faturë për t’u paguar. Përplasja me “Durrës Kurum Shipping” në arbitrazh mund të kushtojë 100 milionë euro. 
“Durrës Kurum Shipping” së bashku me kompaninë “Global Liman Isletmeleri” nënshkruan në 2011 me shtetin shqiptar një kontratë me afat 35-vjeçar, që parashikonte një vlerë investimi 32.5 milionë dollarë. Por në vitin 2017, Ministria e Transporteve kërkoi prishjen e kontratës. Kjo tërheqje e njëanshme mund t’i kushtojë buxhetit të plot 100  milionë euro.

Totali prej 450 milionë eurosh nuk është një faturë e vogël për shtetin shqiptar.

Për më tepër, opozita ka propozuar anulimin e koncesioneve, nëse vjen në pushtet. Një skenar i tillë do t’i rëndonte akoma më shumë detyrimet financiare të shtetit shqiptar ndaj kompanive, të cilat, si në rastet e përmendura, do ta kërkojnë të drejtën e tyre në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.