Viti 2020, me nivelin më të lartë të vdekjeve në 30 vitet e fundit

Postuar në 19 Shkurt, 2021 17:08

Viti 2020 ka shënuar nivelin më të lartë historik të vdekjeve, të paktën që nga viti 1990, kur INSTAT raporton të dhënat.

Në krahasim me vitin 2019 dhe me mesataren e periudhës 2015-2019 (rreth 22 mijë), janë rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë, me rritje prej 28%.

Në vitin 2020 kanë humbur jetën në vend 27 605 persona rreth 28 mijë qytetarë, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Gjendjes Civile.

Historikisht në vend janë shënuar midis 20-22 mijë vdekje në vit, ndërsa kapërcimi në 2020-n është shumë i fortë, siç duket edhe nga grafiku “Numri i vdekjeve në vite, 1990-2020”.

Rritja e numrit të vdekjeve mund të shpjegohet me pandeminë e Covid-19, siç ka ndodhur në shumicën e vendeve të botës.

Sipas të dhënave të INSTAT deri në fund të tremujorit të tretë dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile, vdekshmëria në vend është rritur në tremujorin e tretë, për të kulmuar në të katërtin, kur vendi përjetoi periudhën më të keqe të pandemisë, që çoi në mbingarkesë të spitaleve infektive, teksa ambulancat filluan të prisnin në radhë.

Deri në 21 janar, Shqipëria raportonte rreth 415 vdekje nga Covid-19 për 1 milionë banorë, duke u renditur në vendin e 57 në botë, për humbjet njerëzore nga pandemia, sipas statistikave të Worldometers.

Megjithatë, mënyra se si klasifikohet vdekja e një të prekuri nga virusi SARS-CoV-2 ka shkaktuar debat të madh edhe në vendin tonë, si në shumë vende të tjera.

Rritja e moshës mesatare të popullsisë, niveli i lartë i emigracionit, zvogëlimi i familjeve dhe rënia e fertilitetit (aktualisht rreth 1.35 lindje për grua, ndër më të ulëtat në Europë) kanë bërë që shtesa natyrore e popullsisë (diferenca mes lindjeve e vdekjeve) të vijë drejt zvogëlimit dekadat e fundit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.