Nuk ka as mit dhe as kult të Kurtit. Sulmohet se nxori në pleqëri politike Kryeministrin e Tiranës

Postuar në 19 Shkurt, 2021 21:45
Skerdilajd Zaimi

 

Fitorja e Albin Kurtit nuk ka kapur në befasi askënd në Tiranë. Përveç logjikës së shumicës në pushtet e cila kur vjen puna për të bërë politikë, vetëpërmbushet me gënjeshtrat dhe manipulimin banal të njerëzve që i rendin nga pas. Kjo qasje qëndron më poshtë edhe se politika e Enver Hoxhës, i cili ndonëse jetonte në një botë me armiq, të paktën kishte kërkesa intelektuale minimale ndaj vetes sa të analizonte zhvillimet rajonale dhe të shkruante ca radhë për to, përtej sharjeve. 

Rilindja mjaftohet të përsërisë dhe autorizojë përsëritjen e idesë se Albin Kurti është i rrezikshëm, ai është populist, nacionalpopulist, ai ngjan me Enverin, pastaj me Erdoganin, se është mashtrues, se ka një mit të tij dhe një kult. Në variantin më të mirë kjo llokoçitje në llum nga të njëjta duar dhe mendje që kanë llangosur këtë vend me frikën nga Saliu, është një paradiplomaci e kryeministrit që po kërcënon Kurtin se në Tiranë ai do të vijë me kushtet e tij, pra me profil më të ulët se Edi Rama, ose projekti apo axhenda e tij do të sulmohet nga “inteligjenca” e Tiranës, me shpresë se kështu do të dëmtohet imazhi i tij. 
Është e vështirë të besosh se këta që shkruajnë kështu sot besojnë realisht në ato që paraqesin: thjesht duhet shkruar kështu dhe kaq. 
Ajo që ka kapur megjithatë në befasi thithlopat e Tiranës politike është kalimi i shpejtë i Kurtit nga kërkesa populiste për vetëvendosje dhe bashkim në një qasje më graduale duke ndryshuar prioritetet.

Nga një radikal për bashkim, në një kryeministër, apo pushtetar që di të ndajë rendin e gjërave. Për kënetën e Tiranës do të ishte më e lehtë të sulmonte Kurtin me idetë e tij të opozitarizmit fillestar sepse ai opozitarizëm dhe ai veprim politik në sytë e opinionit shqiptar në Shqipëri, që ka përherë syzet e analistëve të kryeministrisë, do të lexohej për marksizëm, aventurizëm, antiamerikanizëm etj.

Dhe në një vend ku nuk ka patur kurrë marksistë, komunistë, antiamerikanë, këto kapistra të krijuara nga kovaçët e pushtetit ngjisin më mirë sesa nëse për to të flitej apo debatohej realisht. 

Kurti ka pranuar pra se në detyrën e Kryeminstrit, apo në drejtimin e Kosovës kërkohet diçka më shumë sesa poza e denoncuesit, apo vetoja e opozitarit. Ndaj ky evolucion pozitiv që zgjidh dilemat edhe të miqve të Kosovës, nuk trajtohet nga shushunjat e mediave në Tiranë, që janë të zënë me detyrën e shpalljes armik të njeriut që fitoi në Kosovë zgjedhjet pa aleancë me krimin, apo me njerëz që kanë 8-9 emra. Apo me politikanë që janë filmuar duke bërë pazare. 

Kurti as është mit dhe as kult, as Enver dhe As Erdogan. Nuk ka vokacionin për këtë dhe as strukturën e pushtetit të tillë. Kurti është ama një nga modelet e politikës shqiptare mes dy të tillëve që ka ajo: i korruptuari dhe i pakorruptuari. Kujdes: Nuk po themi i Pakorruptueshmi se këtë nuk e kemi parë ende dhe nuk kemi pse vëmë bast. 

Dhe si model që tregon se në pushtet mund të vihet edhe duke mos qenë një hajdut, vrasës, spiun apo lavire, një partner i krimit dhe një serv i biznesit dhe gjysmëbiznesmen, ai duhet përkrahur derisa të provojë se çfarë di të bëjë në qeverisje.

Ku qëndron problemi? E thjeshtë: Kurti është i vetmi politikan sot që e bën Edin e Bashkisë dhe të qeverisë të ngjajë një plak në politikë, një pengesë, një vjetërsirë simbol të një tranzicioni që nuk po përfundon.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.