Francë, nisin përpjekjet për të riaktivizuar marrëveshjen bërthamore të 2015-s

Postuar në 18 Shkurt, 2021 21:04

Diplomacia europiane kanë nisur sot përpjekjet për riaktivizimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Kjo vjen vetëm pak ditë para përfundimit të afatit që Teherani ka vendosur. Krahas 10 diplomatëve që përfaqësojnë vendet më të fuqishme europiane, në Paris, ku mbahen bisedimet, do të jetë e pranishme edhe SHBA-ja, por përmes videokonferencës.

Takimi drejtohet nga ministri i Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, ndërsa SHBA përfaqësohet nga i sapoemëruari Antony Blinken. Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015, gjatë mandatit të Obamës, u vu në pikëpyetje pasi pasardhësi i tij, Donald Trump, u tërhoq prej saj në 2018-n. Tashmë nën Biden, SHBA është e gatshme të rikthehet në marrëveshje dhe të fillojë heqjen e sanksioneve, nëse edhe Irani zbaton detyrimet e veta. Por në Teheran nuk janë shumë dakord me këtë, dhe kjo është arsyeja pse shumë analistë e shikojnë të vështirë rivitalizimin e marrëveshjes. Irani kërkon që fillimisht të hiqen sanksionet, që më pas të rikthehet në marrëveshjen e 6 viteve më parë.

Për France 24, Reza Sayah raporton mbi këndvështrimin që ka Teherani për negociatat.

Irani beson se pozicioni i tij është i arsyeshëm. Mos harroni, administrata e Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në 2018. Irani priti një vit të tërë për të parë nëse firmëtarët evropianë të marrëveshjes mund ta shpëtonin atë. Kur kjo nuk ndodhi, në vitin 2019, atëherë Irani hap pas hapi u tërhoq nga angazhimet e veta”, thotë ai.

Bisedimet u paraprinë nga një telefonatë e Biden me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës të dy kanë folur për "kërcënimin iranian dhe sfidat rajonale", siç njofton Shtëpia e Bardhë. Ajo që i shton tensionet është fakti se Irani planifikon të kufizojë inspektimet e agjencisë bërthamore të KB nëse SHBA nuk heq sanksionet deri më 21 shkurt, kusht ky që është pjesë e një projektligji të miratuar nga parlamenti i tij në dhjetor.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, do të udhëtojë drejt Teheranit të shtunën për të biseduar me autoritetet në mënyrë që të gjendet zgjidhja për vijimin e inspektimeve. SHBA i ka kërkuar Iranit bashkëpunim “të plotë dhe në kohë” me IAEA, ndërsa Blinken sheh si shumë të rëndësishëm në këtë pikë rolin e Bashkimit Europian.

Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), i nënshkruar në Vjenë në 2015, bazohej në garancitë e Iranit se nuk do të bënte një bombë atomike, në këmbim të një lehtësimi gradual të sanksioneve ndërkombëtare. Por Irani iu rikthye projektit bërthamor në shkelje të marrëveshjes, pasi sanksionet amerikane u vendosën përsëri si pjesë e politikës së "presionit maksimal" të Trump për të dobësuar regjimin iranian. Kombet e Bashkuara bënë të ditur javën e kaluar se Irani kishte filluar prodhimin e uraniumit në shkelje të marrëveshjes, duke bërë që fuqitë evropiane të paralajmëronin se Teherani "po minonte mundësinë për ripërtëritjen e diplomacisë".

Zgjedhjet presidenciale në Iran pritet ta vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje të re. Hasan Rouhani, një mbrojtës i diplomacisë nukleare, mbaron mandatin e dytë që i lejon ligji. Zgjedhja e një figure më radikale, që duket se ka shumë gjasa, pritet të ketë efekte negative. Koha sa vjen e shkurtohet dhe ekspertët thonë se ajo që duhet të bëjë administrata Biden është të distancohet sa më shpejt nga epoka e presionit maksimal, të imponuar nga Trump.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.