Me shpresë te budallallëku i një pjese, indiferenca e të tjerëve dhe solidariteti i të vetëve

Postuar në 17 Shkurt, 2021 22:21
Skerdilajd Zaimi

 

Kryeministri Edi Rama postonte sot këtë foto në Facebook duke bërë këtë koment:

Titulli i “fotolajmit”: Dy pamjet e mandatit të tretë.

Siç mund të jetë vënë re, z. Rama po e thjeshton përherë e më shumë mesazhin e vet, i cili ka politike vetëm faktin se i mvishet një autoriteti publik.

Mesazhi konstituon në thelb një pozicionim filantropik nga një njeri që është i zgjedhur për të zbatuar politika të caktuara dhe çuar përpara programe zhvillimi. Këto mesa po shohim z. Rama ose nuk i konsideron se duhet t’i ndajë me njerëzit, as me mediat, por i ka arkivuar si dokumente teorikë, të marrë ndoshta copy-paste gjetkë, të cilat dikur luajtën rol për të turbulluar disa mendje dhe për të azhornuar modelin e një lideri modern, por edhe vizionar. Ose mendon se i ka ezauruar me qeverisjen e tij. 

Filantropik në formë dhe përmbajtje është edhe mesazhi i z. Rama për vaksinimin kundër CoVid-19, për të cilin guxoi e tha se ato pak vaksina që erdhën, erdhën pse në krye të Shqipërisë është ai, pra Edi Rama. Pra ato 1000 doza erdhën si favor personal për një njeri, por jo si sukses i një negociate, i një politike, apo konsiderimit të Shqipërisë e shqiptarëve. Kjo qasje bart me vete disa probleme të mëdha, por përtej faktit se ne po shohim sesi edhe formalisht institucionet dhe politikat janë asgjë më shumë sesa vendimet, veprimet dhe trillet e një njeriu të vetëm, ajo sugjeron për çdokënd idenë se në botën e negociatave private duhet të kemi të drejtë që të gjithë ne të blejmë vaksinën për vete.

Rindërtimi dhe vaksinimi, janë asgjë më shumë sesa dy episode jashtë vullnetit të një njeriu, të cilat po instrumentalizohen, e madje kapitalizohen për nevoja elektorale. Kushdo do ta bënte këtë, mund të thotë dikush. E vërtetë, por rindërtimi dhe vaksinimi janë aktualisht elementët kryesorë të propagande edhe kështu në agoni të plotë, e cila është e vetmja që përforcohet në proporcion me mosbesimin në rritje. Një mosbesim që është produkt i një konstanteje të dështimit të politikës dhe shtetit shqiptar për ta bërë Shqipërinë të banueshme. Ose më mirë: për ta lënë Shqipërinë të qetë e të banueshme për njerëzit e saj.

Nga kjo propagandë është infektuar në mënyrë strukturore edhe ajo që quhet opozitë, pasi nevojat e këtij pushteti për të përforcuar kalatat e ngrehinës së vet të cilës ndërkohë që i shton pesha i heq themelet, është kaq e madhe, saqë ajo nuk toleron dot asnjë lloj diskutimi objektiv për çështje të qeverisjes, duke nxituar të adoptojë si të vetat, përshtatur dhe zbatuar çdo mendim që duket se tubon audiencë. Nga kjo pikëpamje ne kuptojmë se qeveria nuk zbaton një program, por ndjek një axhendë që lidhet detyrimisht me qëndrimin në pushtet.

Nuk po duam të tregohemi të padrejtë dhe asgjësues, sepse patjetër që z. Rama mund të rendisë nesër një listë punësh me të cilat për çudinë e të gjithëve – ose tonën të paktën – edhe krenohet në mënyrë të sinqertë. Por këtu çështja është se tanimë sjellja dhe shfaqja e z. Rama po thonë shumë më tepër sesa ajo që ndodh në të vërtetë. Pushteti në fakt nuk po shpreson më te arritjet, apo programi, por te one shoë man në politikë.

Sepse aty ku z. Rama flet për rindërtim dhe zhvillim nuk ka asgjë më shumë sesa ndërhyrje rehabilituese. Nuk kemi rrugë të reja, krahasimisht me qeverinë e mëparëshme, në kuptimin e projekteve zhvilluese, ose që kanë pretendim zhvillimin. Në Shqipëri nuk po ndërtohet, por ka ndërtime. I vetmi ndërtim për të cilat ka konsensus se po ecin mirë, me cilësi dhe shpejt, janë kullat në Tiranë dhe resortet në bregdet. Por z. Rama preferon të shfaqet në shtëpi fshatarësh si bir i popullit dhe përfaqësues I shtresës më të goditur, kur në fakt ai është përfaqësues I Kullave. Çudi pse z. Rama ka kompleks dhe I ikën si djalli temjanit promovimit të ndonjë ndërtimi shumëkatësh në Tiranë, apo ndonjë kompleksi në bregdet, të cilin e ka shpallur me ligj si investim strategjik.

Z. Rama përpiqet të jetë përpuqja e drejtëzave të kithëta, por nuk ia del, sepse qeverisja e tij, më keq, Shqipëria që solli më 2021 denoncon më fort se çdo çelës në dorën e një banori të goditur nga tërmeti, se çdo vaksinë që shpon heronjtë e Infektivit.

Filantropia e z. Rama është në fakt prova se ai tashmë nuk ka as edhe një narrativë për të mbrojtur, por të mbajë në këmbë një propagandë me serumin e mikrospektakleve të këtilla, propagandë të cilën duket se po e tërheq përherë e më shumë personalisht. Shikoni sesi të ashtuquajturat skandale që mbjell në media zyra e tij e propagandës, nuk ngjisin për një arsye të thjeshtë: nëse dështimi është bashkëpronësi e qeverisë me opozitën, skandali është prej kohësh ekskluzivitet i qeverisë.

Është një propagandë që synon ata që quhen budallenj me metrin e politikës, që mundet të shesin votën, që tundohen dhe miklohen nga fasadat, që besojnë teatrin e të vetmit që mund ta drejtojë Shqipërinë. Është një propagandë që shpreson, madje ka vënë bast edhe në paaftësinë e opozitës, indiferencën e një pjese tjetër dhe interesit të atyre që kanë tashmë lidhje pune me paranë publike. Është një mishelë fatkeqe për këtë vend që në fakt bllokon edhe ambiciet e shumëkujt në vetë Partinë Socialiste, e cila rrezikon të myket megjithë pasurimin e vet ekstrem, të cilin nuk po di ta çlirojë në treg, veçse me prokurime skandaloze, tendera e pallate. Këta mbron z. Rama, askënd tjetër, ndaj do vazhdojë të përshtatet njësoj si ai kostumi me porosi që na e qepin sipas midesë. Kush nuk do ta besojë, është në keqbesim me veten dhe të ardhmen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.