Dakordësi europiane për reformën ePrivacy

Postuar në 15 Shkurt, 2021 17:55

Pas katër vjet bisedimesh, vendet anëtare të BE ranë dakord mbi reformën ePrivacy. Tani, presidenca portugeze e BE-së mund të nisë negociatat me Parlamentin Evropian mbi tekstin përfundimtar të projektligjit.

Rregullorja e përditësuar ePrivacy do të përcaktojë rastet në të cilat ofruesit e shërbimeve lejohen të përpunojnë të dhëna të komunikimeve elektronike ose të kenë qasje në të dhënat e ruajtura në pajisjet e përdoruesve fundorë.

Në fakt, rregullorja e re është një përpunim i direktivës ekzistuese ePrivacy të vitit 2002. Rishikimi i saj u bë domosdoshmëri me zhvillimet e reja teknologjike dhe të tregut, të tilla si përdorimi i përhapur i Voice over IP, email-leve dhe shërbimeve të mesazheve.

Rregullat e forta të privatësisë janë thelbësore për krijimin dhe ruajtjen e besimit në një botë dixhitale. Rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por tani kemi një mandat që vendos një ekuilibër të mirë midis mbrojtjes solide të jetës private të individëve dhe nxitjes së zhvillimit të teknologjive të reja dhe inovacionit. Presidenca portugeze është shumë e kënaqur të fillojë bisedimet tani me Parlamentin Evropian për këtë propozim kryesor", tha presidenti i Këshillit, Pedro Nuno Santos.

Rregullorja e re do të mbulojë përmbajtjen e komunikimeve elektronike të transmetuara duke përdorur shërbime dhe rrjete të disponueshme për publikun, dhe metadata, të tilla si vendndodhja, që lidhen me komunikimin.

Rregullat do të zbatohen kur përdoruesit e fundit janë në BE. Si rregull, të dhënat e komunikimeve elektronike do të jenë konfidenciale. Çdo ndërhyrje, përfshirë dëgjimin, monitorimin dhe përpunimin e të dhënave nga dikush tjetër përveç përdoruesit të fundit do të ndalohet, përveç rasteve të veçanta që parashikohen në rregulloren ePrivacy.

Megjithatë, aktivistët e mbrojtjes së të dhënave, të cilët i kanë ndjekur hap pas hapi bisedimet për rregulloren e re, thonë se teksti përfundimtar “nuk kap shënjestrën”. Kjo sepse në të janë futur “shumë duar”.

Estelle Massé, analiste e Lartë e Politikave në Access Now, thotë se gjatë bisedimeve, “shtetet hapën aq shumë vrima në propozim, saqë teksti i miratuar sot është nën nivelin e krahasimit me tekstin e Parlamentit dhe versionet e mëparshme të pozicioneve qeveritare”.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE dhe do të nisë zbatimin pas dy vjetësh. / Cybernews.com /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.