Rroftë Qameti i 2021-t! Balluku kalon nga Darka e Nusretit te roli i Dedës

Postuar në 14 Shkurt, 2021 19:56

I ftohti mbërriti me të gjithë forcën e vet dhe përveç temepraturave e bukurisë së dëborës, solli me vete telegramin e mirënjohur si testament të çdo qeverie: Bëni si të bëni, se kaq këllqe kemi. Rrugët u bllokuan, pati ankesa për mosndërhyrje, mungesë mjetesh etj. Por këtë situatë të rëndë që ilustron se për sfida të tilla nuk jemi gati dhe ndoshta as duam të mendojmë, e ka shfrytëzuar ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila u pa dje në mbrëmje në një borëpastruese. Si Deda i filmit që nuk bën pas megjithë lutjet e shokëve, ministrja raportonte për situatën në terren, duke krijuar një irritim te disa njerëz, ndaj të cilëve ajo ka reaguar sot.

Unë e kam këtë detyrë dhe nuk më rëndon që të qëndroj tek borëpastruesja, apo këtu ku jam. Duhet kuptuar puna e qindra burrave që kanë qenë në majat e larta apo fshat më fshat për të çuar energji. Edhe ata të tjerë, që kanë qenë bashkë me mua në aksin Milot- lezhë, vend që u kthye në debat politik. Por nuk është koha për të bërë politikë. Nuk është. Kemi qenë bashkë aty dhe kemi qëndruar në rrugë, dhe futeshim ku të mundeshim, në ndonjë vend apo kafe për të menduar për një zgjidhje, dhe aksi nuk ka qenë i zënë, ta sqarojmë këtë. Problematika nuk ka qenë me borëpastrueset, por nga dëbora që nuk mundësonte shikimin për drejtuesit e mjeteve. Por ne nuk kemi shkopin magjik dhe të ndalojmë stuhitë

është shprehur Balluku.

Duhet të jemi të gëzuar që ministrja është mirë dhe e ka kaluar me sukses ekskursionin dimëror nga kafeneja në kafene në këtë qamet të 2021-t. Por nuk mund të mos e themi se ky inkursion i gjenerales me trupën është në fakt një operacion fatlum marketingu, që doli në skenë atëherë kur duhej, pra pak para zgjedhjeve.

Nëse kujtojmë, ishte po kjo ministre që në fillim të janarit raportonte nga Dubai për situatën e përmbytjeve në Shqipëri, duke njoftuar kështu atë episod grotesk që do të njihej më pas si Darka e Nusretit. Nga ajo xudhi që e bëri bluzën e qeverisë me vajin e mishit të Nusretit, vijmë tani te shpëlarja me dëborën e Milotit, ku Balluku si një aksioniste e devotshme i ka hipur borëpastrueses për të qenë e para në sakrifica. Mirëpo problemi që kemi ne nuk qëndron këtu, sepse edhe gjatë pandemisë, të mos ia hamë hakun, Ogerta Manastirliun e pamë përherë në punë, mëngjes, drekë, darkë. Por kapacitetet këto janë. Ndaj edhe nëse Balluku i lau hesapet me darkën e Nusretit ku merrte proteina, politikat për situatën e emergjencave janë ende improvizuese dhe mesa duket nuk po kompensohen as nga kontratat miliardëshe të mirëmbajtjeve. Ky është problemi me qeverinë ku bën pjesë edhe zonja që kërkon edhe ajo teatrin e vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.