Politika e jashtme e BE-së vdiq në Moskë

Postuar në 13 Shkurt, 2021 21:41
Matthew Karnitschnig*

 

Politika e jashtme evropiane vdiq në Moskë javën e kaluar. Varrimi do të bëhet këtë pranverë, në ujërat e detit Balltik, ku një anije ruse e quajtur "Fortuna" po shtrin segmentin e fundit të tubacionit të gazit Nord Stream me gjatësi 21 230 kilometra mes Rusisë dhe Gjermanisë. Ndërsa fundi i ambicieve gjeopolitike të Evropës pritej prej kohësh, goditja e fundit ishte trishtuese.

Në atë që u cilësua "poshtërim" në kryeqytetet e Evropës, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, qëndroi i heshtur në Moskë të premten e kaluar, ndërsa ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, iu referua BE-së si "partner jo i besueshëm" gjatë një konference të përbashkët live. E vetmja përgjigje që Borrell arriti të merrte në diatribën e gjatë të Lavrov ishte një buzëqeshje e dhimbshme. Në Bruksel, parlamentarët evropianë reaguan me zemërim dhe kërkuan dorëheqjen e Borrell-it. Eurodeputetja belge, Assita Kanko, madje e pyeti spanjollin Borrell, se çfarë kishte ndodhur me “cojones” (bole nga spanjishtja) e BE-së. Me këtë pyetje, ajo padashur zbuloi sekretin e vogël të BE-së: Nuk ka fare të tilla.

BE ka punuar gjithmonë më së miri kur i është përmbajtur asaj që di, si rregulloret, tregtia dhe dhënia e subvencioneve në të gjithë Bllokun. Diplomacia e niveleve të larta nuk ka qenë kurrë dhe - siç provoi Borrell - nuk do të jetë pika e fortë e BE-së, për arsyen e thjeshtë se nuk ka konsensus brenda Bllokut me 27 anëtarë për politikën e jashtme. Pavarësisht nëse çështje është Rusia apo Turqia, Kina apo edhe SHBA, negocimi i një pozicioni koherent brenda BE është i pamundur; jo për arsye të ideologjisë partiake, por sepse interesat kombëtare shpesh ndryshojnë.

Krimi” i vërtetë i Borrell ishte se e la të binte maskën që fsheh pafuqinë e BE-së. Kritikët kishin thënë për javë të tëra se ai nuk duhej ta bënte atë udhëtim, veçanërisht në momentin kur Kremlini sapo ka burgosur liderin e opozitës, Alexei Navalny, dhe ka goditur ashpër protestat që pasuan. “Rusët do ta përdorin vizitën për propagandën e tyre”, paralajmëruan ata. Borrell shkoi gjithsesi, duke ngritur argumente të lodhura për meritat e "dialogut" me kundërshtarët.

Ajo që e bëri diplomatin spanjoll një shënjestër kaq të lehtë për Lavrov ishte se ai nuk kishte asnjë fuqi për t’iu kundërpërgjigjur “dorës” së Rusisë. Edhe nëse BE-ja do të kishte një ushtri ose një "autonomi strategjike" të suksesshme, për të cilën aspirojnë shumë në Bruksel, ajo do të paralizohej nga procesi i rënies dakord mbi atë se çfarë duhet bërë kur përballesh me një sfidë si Rusia. Mjeti i vetëm që BE ka për të "ndëshkuar" Rusinë janë sanksionet, të cilat deri më tani nuk kanë pasur asnjë efekt në sjelljen keqdashëse të Moskës. (Rusët e pasur ia kanë dalë t’u shmangen duke blerë pasaporta evropiane nga Qiproja dhe Malta.)

Kësaj nuk i ka shërbyer as fakti se përpjekja për të bllokuar Rusinë është minuar vazhdimisht nga anëtari më i madh i BE-së, Gjermania. Prirja e Berlinit për të kthyer kokën në anën tjetër në rastet e provokimeve ruse është e dokumentuar mirë. Në vitet e fundit, shembulli më i madh i kësaj ka qenë gazsjellësi Nord Stream 2. Shumë vende të BE-së, për të mos përmendur SHBA-të, e kundërshtojnë projektin për shumë arsye, një prej tyre fakti që ai do t'i grabisë Evropës Lindore miliarda euro tarifa tranziti që Rusia tani paguan për të furnizuar me gaz kontinentin.

Berlini ka refuzuar me vendosmëri të përdorë pjesëmarrjen e tij në projekt si levë kundër Moskës, ku (si kudo tjetër përveç Gjermanisë) ajo shihet si një iniciativë kryesore strategjike. Gjatë viteve, Nord Stream 2 i ka mbijetuar një aneksimi të paligjshëm (Krimeja), helmimeve të shumta, të paktën një atentati si dhe përpjekjeve të shumta për të minuar demokracinë perëndimore. Marrëveshja ruso-gjermane është aq e dashur për Berlinin, saqë qeveria gjermane në heshtje ofroi të shpenzojë 1 miliard euro vitin e kaluar për të marrë garancinë amerikane se nuk do t’i viheshin sanksione projektit. Javën e kaluar, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dha një shpjegim të ri për përkushtimin e Gjermanisë për gazsjellësin. 

"Më shumë se 20 milionë njerëz në ish-Bashkimin Sovjetik vdiqën në luftë," tha ai në një intervistë. "Kjo nuk justifikon sjelljen e keqe të politikës ruse sot, por ne nuk duhet të harrojmë panoramën e gjerë". Vërejtjet nuk u pritën mirë nga fqinjët e Gjermanisë. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, e akuzoi Gjermaninë se po bën lojë "pas shpinës së Evropës", duke e quajtur Nord Stream 2 një "projekt anti-Union që së shpejti mund t'i shërbejë politikës agresive të Rusisë".

"Është koha për t’i dhënë fund", përfundoi ai.

Mbetet e paqartë sesi Borrell-i, ose dikush tjetër në pozicionin e tij, mund të shpresojë të trillojë një pozicion "evropian" në një moçal të tillë. Federalistët evropianë argumentojnë se rruga për të dalë nga një situatë e tillë është që BE-ja të heqë dorë nga kërkesa për unanimitet në vendimmarrjen e politikës së jashtme, në favor të "votimit me shumicë të cilësuar". Megjithatë, kjo vetëm do t’i thellojë përçarjet. Imagjinoni sikur shumica e anëtarëve të BE-së të vendosnin për një afrim me Rusinë kundër dëshirës së shteteve baltike dhe Polonisë. Ose merrni parasysh se çfarë do të ndodhte nëse një shumicë e kualifikuar do të donte t’i dilte në krah Turqisë në mosmarrëveshjen e saj me Greqinë dhe Qipron në Mesdheun Lindor. Kohezioni i BE-së, ai që është sot, do të shkatërrohej.

Pozicioni i Borrell si "Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë" është një risi. Ashtu si Borrell, dy paraardhëset e tij në këtë detyrë, Catherine Ashton dhe Federica Mogherini, u përpoqën të ndiqnin një politikë të jashtme koherente kundër axhendave të kryeqyteteve kombëtare. Pavarësisht nga titulli i madh, zyra ka pak autoritet dhe, siç zbuloi Borrell gjatë vizitës së tij të pasuksesshme në Moskë, edhe më pak respekt. Në fund të ditës, shumica e anëtarëve të BE-së janë të kënaqur me ruajtjen e ujdive të rehatshme të pasluftës, duke u mbështetur te SHBA-së kur është fjala për sigurinë dhe te qeveritë e tyre për politikën e jashtme. Nëse Brukseli do që ta marrin seriozisht, duhet të pranojë vdekjen e ambicieve të tij në politikën e jashtme dhe të vazhdojë rrugën që ka përpara.

*Matthew Karnitschnig është korrespodenti kryesor i POLITICO për Evropën

Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.