Korrupsionin e bëjnë disa horra, sistemi prodhon heronj

Postuar në 11 Shkurt, 2021 15:51

Nga hetimet për gjyqtaren Enkelejda Hoxha, Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka gjetur probleme dhe të dhëna edhe për disa punonjës të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë. Mes tyre edhe kardiokorurgu i njohur Ervin Prifti që është pezulluar nga detyra për korrupsion pasiv. Akuza që ngrihet për Priftin është sqaruar në media dhe ajo implion edhe ryshfetin. Deri në vendimin e gjykatës ne duhet të mendojmë se Prifti është i pafajshëm. Ky është katekizmi i jurisprudencës demokratike të cilin kemi adoptuar.

Mirëpo vetë akuza tingëllon aspak e papritur. Kush është përballur me sistemin shëndetësor e di shumë mirë se çfarë ndodh aty. Rasti në fjalë ruan një tjetër vlerë negative sepse i shërbehet publikut pak pas ngjarjes së Sanatoriumit me sanitaren Tire Alldërvishi, një tjetër shembull i asaj që është në të vërtetë mjekësia shqiptare. Në rastin e Tires pati arrestime dhe një intepretim publik nga kryeministri Edi Rama, që e cilësoi ngjarjen të orkestruar nga një grup horrash. Pra një abses në trupin e sistemit të heronjve siç kanë nisur t’i quajnë zyrtarisht mjekët. I njëjti kryeministër që kur vjen puna te korrupsioni deklaron se është sistemi ai që korrupton.

Kësaj radhe z. Rama ka vendosur të mos flasë, pasi një sanitare në fund të fundit është rrufepritës për çdo akuzë dhe devijim akuze. Mirëpo sidoqoftë narrativa zyrtare e bluzave të bardha që janë heronj, e vërteta e hidhur është ndryshe. Disa prej atyre që dalin në media si modele të mjekësisë së përkushtimit dhe ndershmërisë janë njerëz që e njohin fare mirë ryshfetin dhe që e shohin profesionin si mundësi për biznes me shëndetin. Z. Rama nuk i di vallë këto?

Patjetër që po. Por propaganda dhe nevojat politike kërkojnë patjetër kultivimin e modeleve të tilla në kontekstin e një realiteti diskreditues korrupsioni që karakterizohet në të gjitha raportet ndërkombëtare se “është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes”. Dhe ky përkufizim, apo përshkrim nëse na pëlqen, është asgjë më shumë se konstatimi që e dimë të gjithë se korrupsioni është sistemik, strukturor.Z. Rama nuk gënjen dot kënd, ndaj edhe strategjia, apo rruga e vetme që i ka mbetur është të na pajtojë si shoqëri me korrupsionin si realitet. Diçka shumë e rrezikshme për të ardhmen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.