Lufta kundër korrupsionit/ Shqipëria, progres minimal në 8 vjet

Postuar në 04 Shkurt, 2021 16:25

Përgjatë tetë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë pak progres në drejtim të luftës kundër korrupsionit. Në raportin e saj të fundit, Transparency International e fut vendin tonë në kategorinë e vendeve “të përmirësuara ndjeshëm”. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit sheh një përmirësim me 5 pikë që nga viti 2013.

Në dy vitet e fundit, vendi u është nënshtruar ndryshimeve të mëdha institucionale që kanë pasur si fokus luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e gjyqësorit. Që prej 2014 ka nisur procesi i “verifikimit” në gjyqësor, i cili përfaqëson një rivlerësim të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Raportit të Komisionit të BE 2020, procesi rezultoi në shkarkimin ose dorëheqjen e 62% të gjyqtarëve dhe prokurorëve të çështjeve të shqyrtuara. Si rezultat i procesit të verifikimit, Gjykata Kushtetuese mbeti pa gjyqtarë dhe nuk mund të shqyrtonte asnjë dosje prej vitit 2018 deri në janar 2021.

Megjithatë, Zef Preci, drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), thotë për European Western Balkans se ndryshimi midis 2019 dhe 2020 është i parëndësishëm, pasi është shumë afër kufirit të marzhit të gabimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili është 0.92 për 2020.

Është e vërtetë që në krahasim me vitin 2013, ka një përmirësim të perceptimit, por në vlerësimin tonë, nuk i atribuohet uljes së korrupsionit por ndikimit në media, ndryshimeve në kornizën rregullatore, më shumë për të kënaqur kritikat e institucioneve ndërkombëtare në vend sesa për të ulur korrupsionin”, thotë ai.

Preçi thotë se korrupsioni në Shqipëri është bërë më i sofistikuar dhe kapja e shtetit nga oligarkët ka anuluar në një farë mënyre politikat e ndërmarra në vitet e fundit, që synonin qeverisjen e mirë dhe kjo po inkurajon largimin e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

Ndërsa komenton përmirësimin në krahasim me vitin 2013, ai thotë se fillimi i reformës në drejtësi ka pasur një ndikim, i cili, megjithëse nuk ka rezultate konkrete, ka ndikuar në perceptimin e përgjithshëm të popullsisë se koha e "të paprekshmëve" ka ardhur në një fund.

"E gjithë udhëheqja ka ndryshuar që nga zbatimi i reformës në drejtësi në 4-5 vitet e fundit në Shqipëri, por mundësia e kapjes politike të udhëheqjes së re mbetet ende rrezik", përfundon ai.

Sipas Transparency International, sektori publik në Ballkanin Perëndimor u bë më i korruptuar në 2020 në krahasim me 2019.

Në tërësi, krahasuar me vitin 2016, Ballkani Perëndimor kishte një rezultat mesatar prej 39,8 pikësh, ndërsa në vitin 2020 ai ra në 37,5 pikë në shkallën ku rezultati i 100 pikëve është “sektori publik pa korrupsion” dhe 0 është “absolutisht i korruptuar”.

Ky rezultat është larg mesatares së 66 pikëve në rajonin e Evropës Perëndimore dhe Bashkimit Evropian dhe gjithashtu nën vendet me renditjen më të ulët të BE-së, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria (44 pikë) dhe mesatarja botërore (43 pikë).

Nga krahasimi i rezultateve të vitit 2020 me rezultatet e vitit 2019 vërehet se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë në të njëjtin nivel, Serbia dhe Bosnja janë më keq se një vit më parë, ndërsa vetëm Shqipëria po përmirësohet pak.

Me 45 pikë në vendin e 64-të, Mali i Zi është vendi me renditjen më të lartë, i ndjekur nga Serbia (38 pikë, vendi i 94-t), Kosova dhe Shqipëria (36 pikë, vendi i 104-t) dhe Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina (35 pikë, vendi i 111-të).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.