Dakord PD-LSI, por vota për PS-në shkon për të paguar Darkën e Nusretit

Postuar në 30 Janar, 2021 18:13

Në një postim në Facebook, një ndër njerëzit kryesorë të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e përcjell kështu thirrjen për të mos e votuar PD-në dhe LSI-në: 

Zgjedhjet dhe vota janë ushtrim i autoritetit të sovranit. Gjatë këtij mandati të Kuvendit, 23 muaj më parë deputetë të PD dhe LSI tradhëtuan mandatet që u kish dhëne popullit, për hir të një maskarade politike të pashoqe në historinë e vendeve demokratike. Këta soj politikanësh që tradhëtojnë zgjedhësit e tyre, nuk mund tu besohet më vota. Luli dhe Monika, Iliri dhe Saliu janë të gatshëm t’ju tradhëtojnë përsëri.

Demokratët duhet ta dinë se vota për Lulin është votë që i shërben Ilirit dhe Monikës. Dhe mos harroni se Luli gënjeu kur u zotua se do ta çonte shpk-në e Ilir Metës për skrap. Është koha që ta çojmë realisht për skrap LSI-në dhe këta soj politikanësh

Për kujtesë: thuhet se ky e ka mbaruar universitetin me rezultate të larta, që nëse e indeksojmë me realitetin shqiptar(ndonëse ka mbaruar jashtë) do duhet të pranojmë se e ka mbaruar vetë. E theksojmë këtë fakt sepse z. Balla nuk flet me fjalët e veta. Ai huazon logjikën e kryeministrit, fjalë të tij dhe i paketon thjeshtë, shumë thjeshtë për të bindur miletin se duhet të hapë sytë. 

E pranojmë këtë arsyetim: PD dhe LSI nuk votohen. Jo se tradhëtojnë, por sepse janë ku thërret Qameti. Dhe faturën për këtë ato dy parti e kanë paguar dhe po e paguajnë. 

Mirëpo ky fakt edhe i vërtetë, por edhe trashësisht manipulues, nuk mund të eliminojë pyetjen tjetër edhe më të rëndësishme: po vota për PS-në ku shkon? Për çfarë? Për kë, cilin program, cilën elitë politike?

Nëse do manipulojmë dhe do përpiqemi të bëjmë sevap për logjikën mekanike të z. Balla, do themi se vota për PS-në shkon për Darkën e Nusretit si model, vilat e ministrave në Dhërmi, vilat jashtë vendit, për tapetet 30 mijë euro, për Elisën, Damian Prokurimin, Niko Lepe - Peqen, Oltën e maskave dhe ushqimeve e kështu me radhë. 

Çfarë po humbasim, këtë di të na e thotë z. Balla që duhet thënë se ka më shumë vlerë se këta më sipër sepse luftën në terren e ka reale dhe e ka fituar edhe me aftësinë e vet?

Apo mos po humbasim Edi Ramën, njeriu që më shumë se kushdo zhgënjeu shumë shqiptarë? 

Shqipëria është në një kryqëzim historik, e mira e të cilit është se askush nuk gënjehet më për të mirën dhe të keqen. Tjetër punë se cilin votojnë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.