Truri "riciklon" neuronet për të lexuar

Postuar në 24 Janar, 2021 21:16

Truri i njeriut nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të zhvilluar një zonë të dedikuar posaçërisht për leximin: për të njohur shkronjat dhe fjalët ripërdor neuronet që kanë evoluar në kohët antike për të rielaboruar lloje të tjera të stimujve vizualë.

Ky është përfundimi në të cilin ka dalë Shkolla Ndërkombëtare e Studimeve të Avancuara (Sissa) të Triestes. Studimi është botuar në “Current Biology” dhe mund të ketë implikime të rëndësishme për inteligjencën artificiale.

"Gjuha e shkruar është shpikur rreth 5 mijë vjet më parë dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme në terma evolucionarë për të zhvilluar një sistem ad hoc", shpjegojnë studiuesit Yamil Vidal dhe Davide Crepaldi.

"Sidoqoftë, tek të rriturit një pjesë e korteksit është e specializuar për leximin: kur kemi një tekst para syve, një pjesë specifike e trurit  aktivizohet për ta kryer këtë detyrë. E njëjta zonë është e përfshirë në njohjen vizuale të objekteve dhe në veçanti të fytyrave ".

Nga ana tjetër, "ka kafshë si babuinët që mund të mësojnë t’i njohin fjalët vizualisht, dhe kjo tregon se pas këtij procesi qëndron një sistem i ripunimit që nuk është specifik për gjuhën, por që është ricikluar për lexim kur njerëzit nisën të shkolloheshin”.

Për të provuar këtë hipotezë, studiuesit kërkuan nga disa vullnetarë të vëzhgonin simbole dhe imazhe të ndryshme: disa ishin të ngjashme me fjalët e shkurtra të përbëra nga tre shkronja, ndërsa të tjerat ishin objekte 3D dhe imazhe abstrakte. Në të gjitha rastet, pjesëmarrësit mësuan të njohin stimujt e rinj vizualë duke njohur karakteristikat themelore (të tilla si forma, madhësia dhe struktura) dhe madje edhe disa të dhëna statistikore (të tilla si sa shpesh kanë ndodhur dhe sa herë janë shfaqur së bashku). Pra, është pikërisht ky sistem njohjeje që na bën të zhytemi në lexim: një zbulim i rëndësishëm jo vetëm për njohjen e trurit tonë, por edhe për trajnimin e inteligjencës artificiale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.