Giuseppe Conte në përpjekjen e radhës për të mbajtur në këmbë qeverinë

Postuar në 19 Janar, 2021 12:26

Qeveria italiane është sërish në krizë. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, po përballet me votëbesimin në Senat.

Kabineti i Contes u vu në diskutim pasi prej tij u larguan dy ministrat e aleatit, Matteo Renzi.

Pasi mori mbështetjen e Dhomës së Ulët të hënën, Conte do të përpiqet të fitojë edhe atë të Senatit ditën e sotme.

Ndërsa në Dhomën e Ulët, partitë e koalicionit - Partia Demokratike e Renzit (PD) dhe populistët e Lëvizjes 5 Yjet (M5S) - kanë shumicën, në Senat atyre u mungojnë rreth 15 vota. Kryeministri duhet të marrë votat e qendrës dhe partive të vogla, në përpjekje për të kompensuar largimin e Renzi.

Analistët politikë parashikojnë që Conte do ta marrë edhe mbështetjen e senatit, por me një shumicë të reduktuar, pra me një pozicion shumë të dobësuar në Parlament.

Një skenar I tillë do të thotë se pozicioni i Giuseppe Contes në krye të qeverisë nuk do të kërcënohet në terma afatshkurtër, por marzhi i tij për manovrim rrezikon të ulet ndjeshëm, në një kohë kur Italia po përballet me recesionin më të keq ekonomik në periudhën e pasluftës për shkak të pandemisë që deri tani u ka marrë jetën më shumë se 82 000 njerëz në vend.

Matteo Renzi, i cili ka drejtuar qeverinë italiane nga 2014-2016, ka paralajmëruar se do të abstenojë. Kjo mund ta mbajë Conte-n në pushtet, por ndërkohë thjesht do të shtyjë në kohë një krizë të pashmangshme.

Partia e tij e akuzon Conte-n se ka përdorur pandeminë për të centralizuar pushtetin dhe nuk ka bërë sa duhet për çështje të caktuara, përfshirë arsimin, infrastrukturën dhe menaxhimin e situatës. Ajo gjithashtu kundërshton planet e Conte për të shpenzuar 209 miliardë euro që vendi do të marrë nga Bashkimi Evropian për të rimëkëmbur ekonominë e goditur rëndë nga COVID-19.

Renzi gjithashtu ankohet se është injoruar nga Conte dhe kërkon më shumë zë në qeverinë e tij. Kritikët nga ana e tyre e akuzuan atë për minimin e stabilitetit për përfitime politike.

Nëse Conte e fiton votëbesimin, por prapë qeveria e tij nuk zgjat, atëherë Italia shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por një faktor i rëndësishëm në llogaritjet e partive është se sondazhet e opinionit tregojnë për fitoren e një koalicioni në të djathtë midis Forza Italia të Silvio Berlusconi dhe partisë së ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.