Pse i braktisën antibiotikët gjigantët e farmaceutikës?

Postuar në 13 Janar, 2021 00:29

Që prej vitit 1960, bakteret dhe mikroorganizmat e tjerë janë bërë më rezistentë ndaj ilaçeve antimikrobiale. Kjo ka sjellë si pasojë rritjen e vdekjeve. Sëmundjet që lidhen me këtë u marrin jetën rreth 700 mijë njerëzve çdo vit, por përllogaritet që kjo shifër mund të shkojë në 10 milionë në vit nëse nuk bëhet diçka. Kjo shifër është shumë më e madhe se numri i atyre që vdesin aktualisht në botë nga kanceri çdo vit. Më pak antibiotikë të rinj po hidhen në treg; klasa e fundit krejtësisht origjinale e antibiotikëve u zbulua në fund të viteve 1980. Një arsye është se zbulimi dhe sjellja e antibiotikëve në treg shpesh nuk është fitimprurëse për kompanitë farmaceutike. Një analizë e vitit 2017 e përllogarit koston e zhvillimit të një antibiotiku në rreth 1.5 miliardë dollarë. Ndërkohë, analistët e industrisë farmaceutike vlerësojnë se të ardhurat mesatare që gjeneron shitja e një antibiotiku janë afërsisht 46 milionë dollarë në vit. "Kjo është e vogël dhe nuk i afrohet shumës së nevojshme për të justifikuar investimin", thotë Kasim Kutay, shefi ekzekutiv i Novo Holdings, një firmë investimesh në Hellerup, Danimarkë, e përqendruar në shkencat e jetës.

Si rezultat, shumë firma të mëdha farmaceutike kanë dalë nga tregu, duke ndjekur linja fitimprurëse, duke punuar për ilaçe si ato që përdoren në trajtimet e kancerit. Në këto kushte, kompanitë më të vogla dhe organet e financimit po përpiqen të plotësojnë boshllëkun e krijuar. Por rikthimi i ekuilibrave mund të kërkojë një qasje radikale.

Vdekjet nga sëmundjet infektive kanë rënë me 70% qëkur antibiotikët hynë në përdorim të gjerë në vitin 1940. Por në vitin 2017 u zbulua se në një lloj bakteri, rezistenca ndaj antibiotikut levofloaxin, i cili përdoret për të mjekuar infeksionet, ishte rritur nga 2% në vitin 2000, në 27% në 2015. Bëhet fjalë për rajonin e Azisë së Paqësorit.

Ekonomia ka një rol domethënës në mungesën e antibiotikëve në treg. Çdo zhvillim farmaceutik është një proces i kushtueshëm, por në rastin e antibiotikëve kjo është edhe më e vështirë. Një nga arsyet është raporti kosto-benefit, i cili është më pak i favorshëm se në rastin e ilaçeve të tjera.

Çmimet janë të ulëta sepse agjencitë qeveritare të shumë vendeve kanë rol në vendosjen e çmimit. P.sh, në mënyrë që një ilaç i ri të përfshihet në skemën e rimbursimit në Austri, ai duhet më parë të aprovohet nga një komitet që përbëhet nga profesionistë të shëndetit dhe ekonomistë. Edhe Kanadaja i rregullon çmimet e ilaçeve të patentuara në mënyrë të tillë që t’i mbajë çmimet të përballueshme.

Ndërkohë, vetë mjekët e shmangin dhënien e antibiotikëve, në mënyrë që të vonojnë rezistencën bakteriale. Kjo do të thotë që ka më pak gjasa që qeveritë dhe agjencitë shëndetësore të jenë të hapura për antibiotikë të rinj.

Një zgjidhje do të ishte reduktimi i kostos së zhvillimit të antibiotikëve. Ndërsa mikrobet krijojnë mekanizma të rinj për t’iu shmangur arsenalit të antibiotikëve, sfida e ilaçeve të reja është e domosdoshme, dhe me të vjen edhe kostoja. Ekspertët thonë se kjo situatë është njësoj si kur i ke vjelë të gjitha frutat që mund t’i arrish pa pasur nevojën të hipësh në pemë.

Fazat paraklinike të kërkimit dhe zhvillimit të antibiotikëve janë më të rrezikshmet dhe krijojnë barrën më të madhe financiare. Ato përbëjnë afër 45% të kostove totale. Konvencionalisht, zhvillimi i antibiotikëve fillon me kërkimin e përbërjeve antibakteriale në natyrë - shpesh ato të sintetizuara nga mikroorganizmat e tjerë. Këto kimikate kalojnë më pas përmes një sërë eksperimentesh për të parë nëse ato mund të shkallëzohen, nëse janë të sigurta për njerëzit dhe cilat do të ishin përqendrimet ideale.

Në favor të përshpejtimit të këtyre fazave mund të përdoret inteligjenca artificiale.

Në një studim të këtij viti, shkencëtarët trajnuan një sistem të inteligjencës artificiale  për të parashikuar se cilat molekula mund të kenë veti antibiotike. Programi identifikoi një përbërje, të quajtur halicin, që është strukturalisht e ndryshme nga antibiotikët konvencionalë, por megjithatë i vret bakteret. Në janar, Exscientia, një kompani e inteligjencës artificiale për zbulimin e ilaçeve në Oksford përdori metoda të ngjashme për të krijuar një ilaç, të quajtur DSP-1181, i cili trajton çrregullimin obsesiv-kompulsiv. Kompania i përfundoi fazat hulumtuese të kërkimit në vetëm një vit, krahasuar me mesataren e 4.5 viteve.

Sidoqoftë, edhe nëse teknika të tilla si inteligjenca artificial i lejojnë biologët të zbulojnë një molekulë që sulmon mikrobet në një mënyrë të re, ka ende pengesa thelbësore për t'u kapërcyer para se ilaçi të dalë në treg.

Disa kompani barnash tashmë janë dorëzuar në rrugën e gjatë të kërkimeve për zhvillimin e antibiotikëve. Novartis në Basel, Zvicër, për shembull, i ndaloi kërkimet e saj në 2018. Shefi ekzekutiv i saj tha se biznesi do të përqendrohej në fusha të tjera, të tilla si trajtimi i kancerit. Kjo pasoi njoftime të ngjashme nga Sanofi në Paris të njëjtin vit, dhe nga AstraZeneca në Cambridge, Britani, në 2016. Vetëm katër kompani të mëdha farmaceutike kanë akoma programe aktive të kërkimit për antibiotikë.

Disa kompani më të vogla dhe fondacione bamirësie, megjithatë, i kanë parashikuar problemet e shëndetit publik që mund të vijnë nga mungesa e investimeve në antibiotikë. Në vitin 2018, për shembull, Novo Holdings inicioi një paketë financiare të njohur si RIPARIM-i. Nisma prej 165 milionë dollarësh do të investojë në kompani në fazat e hershme të kërkimeve për antibiotikë. Iniciativa u krijua jo për të fituar para për firmën e investimeve, por për të forcuar kërkimin e antibiotikëve.

Deri në vitin 2019, megjithatë, gjërat nuk mund të planifikoheshin. Shumë nga investitorët dhe kompanitë e mëdha farmaceutike që Novo Holdings kishte supozuar se do të punonin në këtë drejtim, si Novartis, vendosën të largoheshin nga antibiotikët. Të tjerët thjesht dolën nga ky biznes. Sipas të dhënave të mbledhura nga Novo Holdings, çmimi mesatar i aksioneve për një kompani të ilaçeve anti-infektive ka rënë me 71% që nga viti 2018, dhe disa kompani të përqendruara te antibiotikët janë detyruar të shpallin falimentin.

CARB-X, një program i ngjashëm i iniciuar në vitin 2016, me fonde nga agjencitë amerikane, gjermane dhe britanike, madje edhe fondacione bamirëse si ai i Bill dhe Melinda Gates, pati të njëjtin fat si REPAIR.

Nuk është e qartë se edhe për sa kohë fonde të tilla mund të mbështesin fazat e hershme të kërkimit dhe zhvillimit të antibiotikëve pa e ditur nëse një entitet tjetër - qeveri apo fondacion bamirës - do t’u japë një dorë. Për fat të mirë, ka shenja që industria ka filluar t'i përgjigjet problemit ekonomik të antibiotikëve. Në korrik, Federata Ndërkombëtare e Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike njoftoi Fondin e Veprimit AMR. Iniciativa e rezistencës antimikrobike përfshin 24 kompani, përfshirë Novo Holdings dhe Novartis. Ajo synon të sjellë në treg dy dhe katër antibiotikë të rinj deri në vitin 2030 dhe deri më tani ka ndarë gati 1 miliard dollarë për të mbështetur kërkimet e nevojshme për të arritur këtë qëllim. Pritet që ky fond të ndihmojë kompanitë start-up të angazhohen në iniciativa të tilla si CARB-X dhe RIPARIMI. Megjithëse mbështetja në para është e dobishme, forcat themelore të tregut që i bëjnë antibiotikët një propozim kaq tërheqës mbeten të pandryshuara.

Përkthyer me shkurtime nga revista "Nature" / Gazmira Sokoli / 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.