Politika e keqkuptimit të domosdoshëm me Greqinë

Postuar në 13 Janar, 2021 23:54

Shaban Murati, ish-diplomat dhe publicist ka vënë sot alarmin teksa me një shkrim zbulon një truk të ri të Athinës zyrtare që sipas tij ka shpallur politikën e “proteksionizmit të vendeve me shumicë myslimane në rajon”. Ai i referohet një interviste të ministrit të Jashtëm Nikos Dendias sipas të cilit Greqia ka për qëllim:

mbrojtjen e Ballkanit Perëndimor nga rrjetet ekstremiste dhe pikëpamjet neootomaniste. Ne kemi qëllim të bëhemi një urë bashkëpunimi me vendet me popuj kristianë. Me qëllimin që të arrijmë këto objektiva ne kemi zhvilluar një prani të posaçme aktive në këto vende

Ka një dallim mes proteksionizmit të shpallur në titull dhe pretendimit të Dendias që formulon realisht një politikë të jashtme antiturke në Ballkan, por duke nënvizuar “pikëpamjet neootomane” që janë në fakt pikëpamje ekspansioni. Kujt i apelon ky lloj shqetësimi që interpreton qëndrimet e një ministri përmes një lenteje paragjykuese? Cilët pjese të qytetarëve shqiptarë? E vështirë ta thuash. Por ky apel i drejtohet patjetër një kategorie dhe një ndërgjegjeje pa formë dhe emër të qartë, që shpesh vesh mantelin e nacionalizmit dhe provokohet nga çdo gjë greke për shkaqe dhe rrethana, apo edhe sentimente që janë temë tjetër.

Në këtë kuptim, parashtrimi i z. Murati që del me tezën se shqiptarët nuk duhet të gabojnë për ta ndërruar Turqinë me Greqinë, nuk i ngjan një analize, por një predikimi që vendos si perde “racionalizmin në gjeopolitikë”.  Pa folur për faktin nëse kjo po ndodh apo jo... 

Një analizë reale nuk mund të mos konsiderojë se, duam apo nuk duam ne, mirë apo keq, në Greqi jeton një pjesë e kombit shqiptar që patjetër do të ndërveprojë me qytetarët grekë, do të akulturohet, do të japë dhe do të marrë dhe dikur, tani apo në brezin tjetër, do të qëndrojë i huaj ndaj këtyre stigmave dhe paragjykimeve që gatuhen dhe mbahen si zahireja e përhershme në Shqipëri.

Këto parashtrime që ngrihen mbi klishetë që i shohin si të palëvizshme stacionet e orientimit në botën që jetojmë, në vend se të sqarojnë diçka, po hedhin farën e një keqkuptimi brendashqiptar nesër. Ne kemi keqkuptime të mëdha mes nesh; kombi shqiptar nuk është krijuar ende si njësi psikologjike, ndasitë janë aty dhe dështimi i të gjtha shteteve ku aderojnë apo drejtojnë shqiptarët, herët apo vonë do të vërë për diskutim kontratën tonë të bashkëjetesës, por edhe narrativat e gënjeshtërta që i pëshpërisim apo ulërasim vetes.

Sikundër është i dëmshëm paragjykimi i vjetër mbi Turqinë, ashtu është edhe më shumë i dëmshëm paragjykimi i Qëllimshëm mbi Greqinë. Sepse Turqia është një vend i madh, mundet nesër të jetë edhe fuqi kulturore, ajo vjen nga një histori e madh perandorake dhe patjetër që ka instrumentet dhe vullnetin që të imponojë praninë dhe të kthehet në gur peshoreje në balancën gjeopolitike apo strategjike.

Turqia është qysh tani një vend me të cilin Bashkimi Europian nuk po di të diskutojë sepse nuk po përtyp ende faktin se ka përballë një vend që nuk është ai i para 20 vjetëve dhe duhet të aklimatizohet me këtë realitet që është sfidues.

Shqiptarët vetëm mund të përfitojnë nga lidhjet me Turqinë, por kjo politikë nuk mund të mbivendoset apo paralelizojë disa drejtime që janë lejtmotivi i një apo dy brezave. Sepse në fund të fundit Shqipëria nuk kërcënohet në ekzistencën e saj përveçse nga mundësia e një implozioni që po shkaktohet nga krimbja e fibrës morale që mban struktuat politike në këmbë. Ne duhet të hapim derën për Turqinë si mike dhe vend me të cilin na lidhin shumë gjëra, apo interesa, por jo me monumente dhe xhami që pak kanë të bëjnë me respektin reciprok apo me interesin tonë. Sepse e kemi parë sa e dëmshme është p.sh një politikë që luan me Kisha, katedrale dhe shenjtorë. Këto kthehen në enzima për riprodhimin e një ligjërimi të sëmurë dhe që ka nevojë ta simbolizojë armikun që ka imagjinuar duke injoruar investimet reale të bëra nga partnerët që vijnë e ideologjizohen sipas kontekstit të nevojave të brendshme të grupeve të caktuara. 

Nga ana tjetër, paragjykimi ndaj Greqisë është i dëmshëm më tepër sesa me Turqinë, sepse ne kemi provuar se jetojmë edhe të izoluar nga Greqia ku jetojnë një pjesë e jona. Dhe kjo nxit keqkuptime dhe distanca shumë të dëmshme të cilat i shohim në një mënyrë apo tjetër të pasqyrohen si projeksione të brendshme tonat. Ndarja e brendshme fetare e shqiptarëve, qoftë edhe ajo në Jug, reflekton padyshim edhe rolin gjeopolitik të Greqisë në historinë e afërt që ku më pak e ku më shumë ka patur ndikimin e vet dhe ka ushqyer ide, lëvizje apo edhe kundërveprime. 

Është e nevojme që kjo gjeopolitikë e brendshme të interpretohet dhe lexohet edhe në relacion me historinë tonë me Greqinë - ortodokse, siç u pëlqen disave ta lexojnë - në mënyrë që marrëdhëniet tona të mos filtrohen për konsum të përgjithshëm nga një shqiponjë, ndonjë emision televiziv banal dhe nga debate televizve. Kjo kërkon kokë të ftohtë dhe kundrim pak më të sinqertë të vetes. Sepse edhe aq të bukur nuk jemi, ndonëse vijmë nga pellazgët.

Sa për politikat greke në Ballkan ne duhet të kuptojmë se përvoja me Jugosllavinë – një fuqi e madhe rajonale – na mësoi se mes popujve ballkanikë nuk ka fuzione kulturore dhe identitete hibride që të mund të artikulohen politikisht. Këto do të mund të ishin një lloj kërcënimi për identitetin tradicional apo konvencional tonin.

Greqia me politikat e veta të dështuara këto 30 vjet, e shumta arriti të sigurojë mirëqenien e pakicës së vet në Jug, ta lidhë atë me trungun amtar dhe të mjegullojë kokën e disa të tjerëve që për ca mexhite shesin çdo gjë. Por kur nuk ka ndodhur një gjë e tillë në këto anë? Ajo ka siguruar disa interesa në Tiranë, siç ka bërë Italia dhe Turqia. Por këto janë të njohura në marrëdhëniet mes vendeve. Tjetër punë se shteti ynë është asgjë më shumë sesa një histori shitjesh certifikatash.

Greqia nuk ka as fuqinë, as mjetet dhe as pulsin e një vendi që të mund të ndjekë politikë antiturke efektive në Ballkan. Por ajo ka të drejtë ta shpallë një gjë të tillë dhe secilit i mbetet të lexojë artikulime të tilla për atë që janë. Bota nuk ndahet në miq dhe armiq shekullorë, sepse jeta po na mëson se pikturat zyrtare apo akademike që i bëjmë njëri-tjetrit nuk po shiten më asgjëkund. 

skerdilajd zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.