Krimet e nazizmit dhe gjykimi i paplotë që i pasoi

Postuar në 13 Janar, 2021 20:00

Hetimi dhe gjykimi pas Luftës së Dytë Botërore i kriminelëve nazistë nuk ishte i plotë dhe shterues. Në një takim online të organizuar nga Instituti Pilecki, përballja me drejtësinë e kriminelëve nazistë u analizua nga Andrej Angrick, historian, konsulent dhe studiues i lidhur me Fondacionin Hamburg për Promovimin e Shkencës dhe Kulturës, Joanna Nikel nga Departamenti i Historisë së Kulturës Materiale, Universiteti i Wrocław, Poloni dhe regjisori austriak Cristian Frosch.

Për prof. Andrej Angrick ka një dallim madhor mes atyre që tregojnë dëshmitë e të mbijetuarve dhe asaj që thuhet në dokumentet e kohës.

Është interesante që ata që bënë krimet dhe viktimat jetuan në botë të ndryshme. Këto dy botë nuk mund të bëheshin bashkë. Ka një histori të treguar me gojë dhe dokumente. Këto të fundit nuk tregojnë emocione. Ato përshkruajnë thjesht faktet”.

Historiania polake, Joanna Nikel, proceset gjyqësore kundër atyre që kryen krimet e nazizmit nuk përfunduan me rezultatet që priteshin. Sipas saj, dokumentet kanë treguar se pati një përpjekje për t’i zvogëluar dhe mohuar shumë krime.

Ne nuk dimë shumë sepse nuk kemi dëshmitarë dhe dokumentacion të paplotë. Kriminelët kanë shkatërruar shumë dokumente. Të tjera u morën nga forcat aleate, gjyqet hapën perspektiva të tjera. Nëse i sheh nga afër ata që i kryen krimet, të gjitha gjyqet gjermane menduan se holokausti ishte kryer nga funksionarë nazistë dhe shumë të tjerë i ndihmuan. Dokumentet tregojnë se proceset ndaj kriminelëve nuk janë kënaqëse. Pse? Sepse të gjitha gjyqet u bënë në Gjermani dhe kishte vështirësi... Edhe pretendimi politik reflektohet në këto krime. Pati një pretendim se kombi gjerman ishte viktima dhe jo krimineli. Ka një nevojë të madhe për të parë burimet dhe mund të sjell këtu shembullin e Sara Berkers dhe librit të saj “Ekspertë në asgjësim”. Aty shihen shumë dokumente të gjyqit dhe gjendja e 131 forcave SS, që shkuan në kampet e përqendrimit”, thotë ajo.

Për Andrej Angrick, komunikimi mes prokurorëve gjermanë nuk ishte më i miri. Për më tepër, sipas tij, Bashkimi Sovjetik nuk i ka dhënë të gjitha dokumentet që mund të kishin zbardhur më shumë.

Nëse i sheh dokumentet, prokurorëve iu kërkua të shkruanin raporte për bashkëpunimin me kolegë të huaj. Pas rënies së murit dhe shpërbërjes së BS pati një hetim të gjerë mbi forcat gjermane në rajonin e Odesës. Pati dosje pa fund që ishin mbajtur nga Bashkimi Sovjetik. Pra ishin mbajtur informacione që mund të kishin sjellë të tjera të dhëna. Mund të them se hetimi gjerman pati suksese dhe dështime. Drejtësia gjermane dështoi sepse numri i dënimeve ishte shumë i vogël në raport me atë që dihej për krimet e kryera. Sipas ligjit gjerman, nëse do të provosh një vrasje, duhet të provosh se ishte e qëllimshme. Kur përdorim këto burime, si mund t’i përdorim më mirë dëshmitë? Disa herë u anashkaluan, historianët mund ta përdorin termin vrasje në një kontekst tjetër nga juristët. Unë jam historian dhe dua të tregoj çfarë ndodhi në atë kohë”.

Hisotiania polake, Joanna Nikel, autoritetet gjermane u treguan pasive pavarësisht dokumenteve që iu dërguan nga Polonia.

Dëshmitarët dhe deklaratat e tyre u morën seriozisht në atë kohë, që është gjë e rëndësishme, por prokurorët polakë në vitet ‘60-‘80 duke parë pasivitetin e autoriteteve gjermane dërguan dokumente te prokurorët gjermanë. Këto dokumente u dërguan në arkivin qendror për hetimin e krimeve naziste dhe prokurorët publikë i morën. Po sjell një shembull, në 11 nëntor 1939 në Poloni, në një qytet të vogël pranë Varshavës, u vranë një grup hebrejsh dhe u quajt holokausti para holokaustit. SS që qëlluan hebrejtë ishin dëshmitarë në gjyqe. Ata nuk u shpallën fajtorë sepse gjykata tha se po zbatonin urdhrin. U dënuan me 3 vjet burg dhe qëndruan aty për vetëm 7 muaj. Në gjyqe nuk ishte i pranishëm asnjë dëshmitar polak i masakrës. Është fakt që mungonte dëshmitari kryesor. Dështimi i drejtësisë gjermane ka të bëjë me krime të ndryshme. Në 1942 në një geto 40 km nga Vrashava, rreth 1000 hebrej u vranë ndërsa transportoheshin diku tjetër”.

Historiani Angrick thotë se shumë pak prej atyre që dolën para drejtësisë për krime, shfaqën pendesë.

Shumë gjyqe gjermane nuk kishin audiencë. Psh, studentët e drejtësisë që mund të ishin të interesuar. Kam ekzaminuar shumë gjyqe dhe mendoj se nëse ke përpara krime të këtyre përmsave duhet të pranosh se ata që kryen krimet të jenë në dijeni të përmasave të gjësë. Ka shumë pak deklarata që thonë se jam kriminel dhe kanë shprehur pendesë. Është diçka me të cilën nuk mund të jetosh, por shumë nuk e kanë pranuar. Sado të forta të jenë akuzat, gjithmonë janë gjetur strategji për të mos pranuar fajin. Po flasim për kampe ku janë asgjësuar njerëz”.

Përgatiti për ResPublica: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.