Sentimenti antiestablishment

Postuar në 11 Janar, 2021 20:08
Bernardo Kastrup

 
Shumë pak gjëra në dinamikën kulturore të civilizimit tonë janë të qarta në këto kohë.

Por njëra prej tyre është kjo: ndjenja anti-establishment që shfaqet në shumë mënyra, por më së shumti në politikë, nuk është një modë kalimtare; nuk është një gabim ose një devijim i përkohshëm; pasqyron, në vend të kësaj, një lëvizje më themelore në psikikën kolektive njerëzore që do të mbetet gjatë këtu.
Si një anëtar nominal i establishmentit intelektual, i cili, megjithatë, ka luftuar - për më shumë se një dekadë - kundër asaj që është ndoshta pozicioni më i ngulitur i këtij institucioni, nuk jam i befasuar nga kjo lëvizje.

Për të folur vetëm për metafizikën, e cila është fusha ime kryesore e ekspertizës, për mua është e qartë se të vetëshpallurat elita intelektuale militante, shpesh shfaqin një kombinim të tmerrshëm të paragjykimeve dhe arrogancës, injorancës dhe përçmimit.

Megjithëse mënyra si ata i kuptojnë çështjet përkatëse shpesh është e kufizuar në mënyrë tronditëse, ata sillen sikur të ishin autoritetet që të gjithë supozohet se i ndjekin verbërisht. Sa kohë mund të zgjaste kjo para se njerëzit ta shihnin qartë atë që është mbrapa kësaj?

Kemi ardhur në një pikë, ku një pjesë e konsiderueshme e institucionit intelektual sinqerisht e konsideron atë që është efektivisht një manipulim paragjykues i masave si arsim; një pikë ku përndryshe vlerat legjitime dhe të rëndësishme shoqërore - të tilla si autoriteti intelektual dhe korrektësia politike - janë rrëmbyer dhe armatosur për hir të ruajtjes së një status quo-je të vjetëruar.

Për këto arsye, qëndrimi "më besoni mua, unë jam autoritet dhe e di më mirë se ju" ka marrë ngjyrime mashtrimi dhe mendjemadhësie. Si mund të habitej dikush nga kjo?

Ka baza gjerësisht të ligjshme për ndjenjat anti-establishment. Dekada, nëse jo shekuj, me arrogancë, keqardhje, paragjykime dhe manipulime nuk kalojnë pa u vënë re. Sidoqoftë, siç është rasti në çdo lëvizje madhore të psikikës kolektive, kjo ndjenjë mbart me vete një mundësi për përmirësim dhe një potencial për katastrofë. 

Sidoqoftë, ndiej nevojën për të përsëritur ato që besoj se janë disa nga pikat më kritike. Nëse ndani ndjenjën anti-establishment që përshkrova më lart, mbani në mend, ndërsa lexoni atë që vijon, se unë vij nga i njëjti vend që vini edhe ju.

Ashtu si ju, unë shoh me përbuzje pseudo-autoritete të zhurmshme, policinë e vetëshpallur të pseudo-arsyes, pseudofilozofët që e shohin veten si gardianë të shkencës dhe së vërtetës. Por unë nuk e shpërfill vetë shkencën.

Që një pjesë e shkencës është dukshëm e keqe, se konkluzionet shkencore mund të rrëzohen - dhe shpesh po rrëzohen - se disa shkencëtarë janë thjesht idiotë: asgjë nga këto nuk përfshin ose nënkupton që vetë shkenca nuk është e vlefshme ose tepër e rëndësishme.

Le të mos djegim jorganin për një plesht. Shkenca është jashtëzakonisht e vlefshme dhe e domosdoshme për mbijetesën tonë. Pa të, ne nuk do të jemi në gjendje të jetojmë në këtë planet pasi popullsia e botës të arrijë në rreth 11 miliardë njerëz në mes të shekullit.

Në të vërtetë, shkenca është mbase zhvillimi më i rëndësishëm njerëzor i pesë shekujve të kaluar. Ne i detyrohemi shumë asaj dhe në dorë të saj kemi jetën. Puna ime personale kryesisht bazohet në shkencë, shpesh në shkencën që bëjnë kundërshtarët e mi.

Është e vetëkuptueshme që disa rezultate shkencore janë të pasigurta (shkenca bëhet nga njerëzit dhe, si e tillë, po aq e papërsosur saç jemi edhe ne), por ka përfundime shkencore aq të forta sa ato komandojnë një konsensus të gjerë: aktiviteti njerëzor po ndryshon klimën tonë në mënyra që kërcënojnë mbijetesën e njeriut; vaksinat funksionojnë dhe kanë shpëtuar miliona jetë; COVID19 është jashtëzakonisht më i rrezikshëm se gripi; maskat dhe distancimi social frenojnë përhapjen e sëmundjeve të frymëmarrjes; etj.

Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu përbën ndoshta kërcënimin e vetëm më të madh ekzistencial që ka hasur civilizimi ynë. Ne - ose më keq, fëmijët tanë - do të paguajnë një çmim të paimagjinueshëm për mosveprimin në këtë drejtim.

Ne duhet ta veprojmë në shkallë globale për të përshtatur disa nga mënyrat tona të jetës, për të kufizuar emetimet, për të ruajtur atë që ka mbetur nga ekosistemet natyrore dhe biodiversiteti i planetit tonë, dhe në fund të fundit për të shpëtuar veten. Është kriminale ta injorosh këtë, ose ta përdorësh për përfitime politike afatshkurtra.

Ne gjithashtu duhet të kemi parasysh ato që unë i quaj mashtrime në shumë nivele: ato në të cilat mashtruesi tregon i indinjuar për një mashtrim të kryer nga dikush tjetër - duke përdorur kështu qëllimisht valën e zemërimit që gjenerohet - thjesht për ta bërë mashtrimin e tij të merret si alternativë.

Fanatikët e mprehtë dhe artistët mashtrues në të gjithë botën e kanë kuptuar se kjo është një mënyrë fantastike efektive për të çarmatosur dhe manipuluar njerëzit, në mënyrë që të çojnë përpara axhendat e tyre: kjo bën pre pikërisht ndjenjën e arsyeshme anti-establishment që shfaqet në psikikën kolektive.

Çfarë tragjedie do të ishte të shihje përmes gënjeshtrave të vjetra dhe manipulimeve vetëm për të rënë pre - në mënyrë jo kritike – e një forme më të azhurnuar të manipulimit.

Le të mos i lejojmë fanatikët dhe artistët mashtrues të përdorin skepticizmin tonë të fituar me vështirësi për të na mashtruar. Le të mos e lejojmë paranojën e zhveshur të teorive konspirative që të na e kthejë ndjenjën tonë anti-establishment në një shaka të keqe që e legjitimon atë dhe na privon nga e drejta.

Le të nderojmë atë që kemi kuptuar për idhujt tanë të zbrazët, mesazhin e tyre mashtrues, manipulues dhe zhgënjyes, por të mos humbasim orientimin duke u zhvendosur në ekstremin e kundërt të paarsyeshëm. Asnjë gjeneratë e mëparshme nuk është përballur me kërcënime të përmasave të tilla si këto me të cilat po përballemi ne tani.

Nëse do të kemi një shans për të mbijetuar si civilizim, ne duhet ta ushtrojmë aftësinë për të kuptuar me shumë kujdes: e vërteta është gjithmonë më e nuancuar dhe shumëplanëshe sesa ajo që mund të paraqitet në çdo postim në Tuiter apo në Facebook.

Mbi të gjitha, le të mos harrojmë kurrë se ata që janë shënjestra e gjykimeve tona më të ashpra për vlerën janë edhe qenie njerëzore, që luftojnë, vuajnë dhe frikësohen si të gjithë, pavarësisht se mund të paraqiten në formë të kundërt.

Mbi të gjitha, ne, për domosdoshmëri, jemi bërë ekspertë në mbajtjen e një paraqitjeje të guximshme - ndaj të tjerëve dhe para pasqyrës - edhe kur shpirti ynë po shkrihet në lot nga brenda. Le të na bashkojë disi humanizmi i përbashkët i këtyre lotëve të padukshëm dhe të na drejtojë përmes stuhisë që kemi përpara.

Burimi: bernardokastrup.com

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.