Një sondazh që na thotë se debati i të enjteve është vetëm Zhurmë

Postuar në 10 Janar, 2021 03:35
Skerdilajd Zaimi

 

Televizioni Top-Channel publikon në faqen e vet online një sondazh me pyetjen: Cili është emisioni i Top Channel më i ndjekur nga ju? Mund të duket se kjo është një çështje e brendshme e televizionit në fjalë, mirëpo publikimi në faqe përbën një marrëdhënie të hapur që ekipi drejtues i kësaj medieje vendos me shikuesin. E ndoshta edhe me drejtuesit e emisioneve. Siç mund të shihet në krye të listës së shikueshmërisë qëndron emisioni “Gjurmë Shqiptare” i drejtuar nga Marin Mema, për të vazhduar pastaj me të tjera emisione me natyrë apolitike.

Renditja e shikueshmërisë ka rëndësi përtej interesit strikt të këtij televizioni, sepse pasqyron në miniaturën e vet prirjet e përgjithshme. Ne këtu kemi mundësi të shohim raportin e përmbysur mes vlerës reale të disa prodhimeve televizive dhe për pasojë drejtuesve të tyre, dhe ndikimit që kanë te njerëzit që janë teorikisht objektivi. P.sh zhurma më e madhe mediatike kur vjen puna te TCh lidhet me debatin televiziv të së enjtes mbrëma, kohë gjatë së cilës transmetohet emisioni “Open”. Ka një perceptim se ky emision rivalizon në audiencë me “Opinion” të Tv Klan, sidomos të enjteve. Mirëpo sondazhi i atyre që ndjekin TCh na thotë se “Open” është një ndër prodhimet më pak të vlerësuara nga shikuesit, ndër më të fundit dhe rrjedhimisht më pa ndikim.

Sigurisht që duhet të mbajmë parasysh faktin se p.sh drejtuesit e emisioneve që qëndrojnë në krye të listës së mësipërme kanë ndjekje të lartë edhe në rrjetet sociale, prej nga ku teorikisht vjen edhe një votim favorizues, por megjithatë sondazhi nuk mund të injorohet si tregues jo-objektiv. Në një kompani serioze, sondazhe të tilla shërbejnë ose për të rritur presionin pozitiv mbi ata që marrin përsipër prodhime të caktuara, ose për ristrukturim tematik, ose për mbyllje të emisioneve të caktuara që janë të paskuksesshme. Dhe nëse suksesi barazohet me shikueshmëri, me teknologjinë e sotme kjo e fundit është saktësisht e matshme. 

Për sa i përket publikut, të tilla materiale tregojnë sesa e rreme është në të vërtetë e ashtuquajtura e enjte e debatit, se në çfarë rënieje është vlera e të ashtuquajturit debat televiziv, që është shndërruar në asgjë më shumë sesa në show personal të moderatorëve. Janë të rrallë gazetarët që i lënë mundësi shikuesit të dëgjojë të ftuarin pa e mërzitur me digresione të vetat pseudointelektuale. Një shembull i vockël i këtij rregulli, apo zakoni: pak kohë më parë, Sali Berisha ishte ftuar në një intervistë ku ndër të tjera tha se: 

Enver Hoxha kishte arsye të vetat pse e burgosi Todi Lubonjën

Shikuesi në mënyrë reflektive do të mësojë se cilat ishin këto arsye sipas Berishës, që është një njeri i dy kohëve. Pra që di diçka. Moderatori nuk e ka këtë interes, sepse në fakt e përcakton intervistën si kohë të barabartë protagonizmi mes tij dhe të ftuarit. Në këtë kuptim, debati politik po perëndon edhe si teatër i përnatshëm i moderatorëve që janë të rreshtuar politikisht, pasi ka vdekur me kohë si kohë dhe hapësirë e diskutimit real. 

Mundet që kjo të jetë një prirje e përgjithshme që nuk ka të bëjë me Shqipërinë vetëm. Por në çdo rast nuk është ndonjë lajm i mirë. Fakti që në vend të parë është një emision si “Gjurmë Shqiptare”, një si biçim kinkalerie me kartolina personale me temë nga Historia e rrëfyer a llangosur si historiçkë, është shqetësues në vetvete, ndonëse shërben për të parë deri diku nivelin tonë si shoqëri. Por në fund të fundit, nga një pikëpamje, Mema në ato daljet e veta ngjan se beson realisht në ato që “zbulon”, madje duket se ai befason edhe veten përmes Shqipërisë që gjezdis me imagjinatë përpara sesa të shkelë me këmbë. Ndaj ai nuk aktron një rol, por përjeton një rol intelektuali. Dhe këtu është gjenuin në besimin e vet, ndaj meriton së paku mirëkuptim.

Kurse moderatorët e debateve televizive po ngjajnë si asgjë më shumë sesa stuntmen televizivë të Kryetarit të Kuvendit që për të mbajtur gjallë audiencën, duket sikur po duan të kapin për zhelesh të ftuarit të cilët sa vjen e duken si një grup përherë e më laraman.

Është për të ardhur keq që kjo situatë ironikisht i jep të drejtë Kryeministrit që shpesh i tall ata që quhen analistë, kur u thotë se e vërteta për ta është shumë larg asaj që ata imagjinojnë për veten. Ndoshta nga një perspektivë e interesit të kompanive, këta janë një e keqe e domosdoshme, por që po vetwizolohet. Rritja e diskutimeve në rrjete sociale, memet, apo edhe dalja e figurave të krijuara në platforma si Facebook dhe tuiter, paralajmëron ato ndryshime që i kemi parë edhe në vende të tjera, por edhe konfirmon se kjo zhvendosje është edhe për shkak të dështimit jo të një formati, por të një modeli gazetarie që e përçmon edhe grimcën e fundit të moralit dhe modestisë që e kërkon profesioni.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.