Negociatat e Athinës: Rekursi për detin në Hagë, pas zgjedhjeve në Shqipëri. Ekipet teknike po vazhdojnë punën

Postuar në 10 Janar, 2021 14:54

Draft marrëveshja që do t’i dërgohet Hagës për delimitimin e zonave detare, do të jetë gati pas zgjedhjeve të 25 prillit. Këtë zbuloi në një intervistë për gazetën "Kathimerini", ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, teksa e konsideroi të frytshme vizitën private të kryeministrit Rama në Athinë.

"Për çështjen e rekursit në Hagë, ekipet përkatëse teknike po vazhdojnë punën e tyre. Qëllimi është që teksti i përbashkët të nënshkruhet dhe të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, mendoj pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në prill. Theksoj se të gjitha forcat politike shqiptare mbështesin zgjidhjen në bazë të Ligjit Ndërkombëtar", është shprehur ai.

Dendias po ashtu vlerësoi bashkëpunimin me kryeministrin Rama dhe qëndrimin e tij për zgjerimin e Greqisë në 12 miljje në detin Jon.

"Është e dobishme të kujtojmë se z. Rama njohu të drejtën e patjetërsueshme të Greqisë për zgjerimin e ujërave të saj territoriale në 12 milje. Projekt-ligji përkatës do të kalojë në Parlament shumë shpejt dhe do të votohet menjëherë. Është zgjerimi i parë i kufijve të shtetit grek që nga viti 1947, gjithmonë me mjete paqësore dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare".

Ministri i Jashtëm grek foli për një rol kyç të Greqisë në Ballkanin Perëndimor të kërcënuar nga influencat neootomaniste.

"Qëllimi ynë është të integrojmë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen Evropiane. Dhe në të njëjtën kohë t’i mbrojmë ato nga depërtimi i rrjeteve ekstremiste dhe perceptimet neo-otomaniste. Turqia, nga një "pacient i madh", sipas perceptimit perëndimor 100 vjet më parë, ndoshta po kërkon të imponohet në rajonin e ish-Perandorisë Osmane si  një "reformator i madh".

Në këtë përpjekje për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me vendet me popullsi të krishterë, sipas Dendias, po kontribuojnë edhe vendet myslimane të rajonit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.