Vikingët mbyllet me vdekjen e heronjve

Postuar në 04 Janar, 2021 02:01

Seriali “Vikingët” shkruar dhe krijuar nga Michael Hisrt ka mbyllur dramën e vet më 31 dhjetor. Gjashtë sezone me 89 episode kanë ezauruar eposin e familjes së Ragnar Lothbrok, heroit norvegjez(sipas filmit) që sipas këtij ekranizimi është i pari që “pa nga Perëndimi”. Një shkëndijë, një vizion, një ëndërr që vë në lëvizje historinë, që e ndryshon atë, që ndoshta po priste të materializohej. Seriali arrin të mbajë perspektivën deri në fundin e tij që është logjik, human, historik. Ai është si të thuash brenda dialektikës pa rënë në interpretim historiografik të ngjarjeve. Sepse seriali dominohet nga karakteret dhe jo ngjarjet, u jep atyre jetë dhe ia nënshtron një evolucioni që është mbresëlënës për natyrshmërinë me të cilin personazhet vrasin jetën e tyre, afrojnë fundin duke konsumuar veprën.

Padyshim që “Vikingët” ka vulën e Ragnarit, pra Trevis Fimmel, sytë shpues të të cilit, mbushur me egërsinë e një vikingu që po do të shpërthejë burgun e një bote të mbyllur me melankolinë e një lideri që ia njeh botës çmimin e padurueshëm të fitores që është mëkati, ndryshimi, asimilimi i dështimeve. Askush nga personazhet nuk gjen dot pikëtakimi shpirtëror me Ragnar Lothbrok sa Floki, anijendërtuesi, shndërruar në një lloj shamani pa perëndi mençuria e të cilit qëndron te përvoja e një jete që i ka asgjësuar brendinë prej vikingu; sa Ivari pa Kocka, luajtur mjeshtërisht nga Alex Andersen, djali i Ragnarit, një sakat mizor, apo edhe sa Harald Flokëimëti, mbreti i Norvegjisë.

Seriali i fundit është padyshim edhe eposi i Ivarit dhe Haraldit; i pari  që humanizohet përmes një dashurie të papritur për të vëllanë, Hvitserk apo me shprehjen e frikës ndaj vdekjes. Dhe i dyti që rindërton identitetin duke kërkuar udhëtimin dhe rrezikun me një shpirt vikingu por pa qenë kurrë radikali i pushtetit. Janë këta të tre që mund të quhen pasardhësit realë të Ragnarit, një Viking që mësoi botën e madhe, deshi ndryshimin, por iu dorëzua në fund qenies së vet prej veriori. Një ndër ato figura që përjetojnë shqetësimin torturues që të jep inteligjenca që tejkalon komunitetin ku jeton, që nuk lodhen së jetuari një kohë që përherë duhet të jetë e tyrja.

“Vikingët” hapet me një përplasje mistikash dhe kozmogonish dhe mbyllet me një të tillë. Ivari pa kocka mërgon drejt Lindjes, mërgim që kthehet në ekspeditë në botën sllave ku ai lë një trashëgimtar. Asgjë nuk duket se interferon brenda tij nga e Huaja, sepse pushteti është ambicia e tij, por një pushtet që është edhe Kërkim. Haraldi vdes në fushëbetejë duke thirrur në fjalët e fundit Valhallan; Hvisterk pëson shndërrimin nga i droguar në kristianizëm, sikundër Ube, vëllai i madh kap Amerikën nën shoqërinë e një lloj murgu Viking, Othere, e ku gjen Flokin, guruja i një morali të ri që ngjan jo rrallë si nihilizëm ndaj njeriut.  

Harroje të shkuarën, - i thotë Floki – Ubes.

Ky është epilogu i Vikingëve nën një veshje etnike me sytë nga një diell në perëndim që në fakt simbolizon largimin nga një botë perëndish që luftojnë duke vënë njerëzit në luftë. Ky epilog na vjen edhe si prologu i një jete të re, por ku vikingia është vetëm origjinë, memorie, por jo mënyrë jetese.

Seriali i ka të gjitha mesazhet brenda, por ai duhet parë sidomos për harmoninë mes personazheve që kanë prezantimin, zhvillimin dhe mbyllje natyrale. Askush nuk vdes i lumtur në atë botë të shqetësuar që përherë e më shumë i dorëzohet të Huajës që përparon sa më shumë vikingët fitojnë. Në fund është ironia e përhershme e historisë. Lufta i emancipon shoqëritë, një leksion që na vjen që nga Iliada dhe tragjedia greke.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.