BE jep 3.5 milionë euro për emigrantët e kampit Lipa në Bosnje-Hercegovinë

Postuar në 03 Janar, 2021 22:24

Komisioni Europian njoftoi sot se do t’i akordojë Bosnje-Hercegovinës një fond prej 3.5 milionë euro në formën e ndihmës humanitare për emrigrantët, të cilët po jetojnë në kushte të vështira pas zjarrit që ra në kampin e tyre. Brukseli bëri të ditur se fondi do t’u vijë në ndihmë emigrantëve që po përballen me fatkeqësinë humanitare.

Paratë do të shkojnë për veshje, batanije, ushqim dhe mbështetje psikologjike. Kampi Lipa, në kantonin Una Sana, u dogj në 23 dhjetor dhe për pasojë u mbyll. Ai ka shërbyer si qendër e përkohshme për emigrantët gjatë muajve të pandemisë.

Rreth 900 prej 1400 emigrantëve që strehoheshin në të u akomoduan në qendra të tjera në qytet, por një javë më pas iu kërkua të ktheheshin në kamp, pavarësisht se atje nuk kishte kushte jetese. Për pasojë, rreth 1000 emigrantë u detyruan të vendoseshin në pyllin pranë kampit të djegur.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, thotë se duhet një zgjidhje afatgjatë për emigrantët e kampit të Lipës. “Nxisim autoritetet vendase të mos i lënë njerëzit në të ftohtë, por t’u japin akses në mjedise me kushte higjieno-sanitare në këtë situatë pandemie”, ka thënë ai.

Fondi prej 3.5 milionë eurosh i shtohet një tjetër fondi 4.5 milionë euro që Komisioni Europian e alokoi në prill të këtij viti për emigrantët e vendosur në Bosnnje-Hercegovinë.

Rreth 5 400 emigrantë janë aktualisht në qendrat e pritjes në Bosnje-Hercegovinë.     

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.