Dossier/1950, përpjekja e dështuar e sektit halveti për t'u bashkuar me Bektashinjtë

Postuar në 02 Janar, 2021 17:40
Skerdilajd Zaimi

 

 Në Arkivën e Shtetit gjenden një seri dokumentesh që hedhin dritë mbi një episod kurioz që ka të bëjë me marrëdhëniet brenda komunitetit mysliman të Shqipërisë në vitin 1950. Fjala është për një përpjekje për ringritjen dhe shkëputjen e sektit halveti nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe kalimin nën varësinë e Komunitetit Bektashi me kërkesë të disa klerikëve të tarikatit halveti. 

Për tarikatin është shkruar jo pak: kohët e fundit dr. Alban Dobruna nga Kosova ka botuar edhe një monografi të posaçme. Me pak fjalë duhet të themi se tarikati halveti është një ndër më të spikaturit në kontekstin e religjionit të kohës osmane dhe që asociohet me Perandorinë Otomane.

Në Shqipëri teqetë perceptohen se janë pjesë vetëm e bektashizmit, mirëpo historia është shumë më e ndërlikuar. Nathalie Clayer, studiuesja franceze, e apasionuar në tematizimin e dallimeve mes shqiptarëve, shkruan se në kohën e Ali Pashës, halvetinjtë ishin shumica në Jug të Shqipërisë dhe se që nga ajo kohë e deri më sot, ka një përparim të bektashizmit që sipas saj ka prirje për “monopolizim”. Zëvendësimi i pronësisë së teqeve nga njëri tarikat te tjetri nuk është i panjohur, por nuk ka ndonjë studim të saktë në shqip për të kuptuar sesi ndodh ky ndryshim. E vetmja gjë që kuptohet është se bektashizmi u rrit në proporcion me protagonizmin politik të krerëve të tij duke devijuar nga konservatorizmi tipik i fesë. P.sh këtu mund të lexohet përballja mes tarikateve në zonën e Dibrës që shfrytëzohej nga Porta e Lartë, çka na bën të kuptojmë se dallimet religjionale vinin nga një kontekst më i gjerë sesa ai etnik, krahinor, apo nacional.

Për t’u kthyer te viti 1950; një vëmendje i ka kushtuar këtij epsiodi edhe Ali M. Basha në librin e tij “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri(1912-1967). Sipas tij marrëdhëniet e pushtetit të Enver Hoxhës me komunitetin bektashi ishin preferenciale, për shkak të angazhimit të klerikëve të këtij tarikati në Luftën Nacionalçlirimtare. Në kongresin e IV-t të Bektashinjve, zhvilluar më 1 maj 1945, morën pjesë edhe delegatë laikë si Myslym Peza apo Bedri Spahiu, ndërkohë që fjalën e hapjes nuk e mbajti kreu i Komunitetit, Xhaferr Sadik Dedej, por Baba Faja Martaneshi, në atë kohë pa asnjë pozicion klerikal. Duhet thënë se një ndër aktet kryesore të Kongresit IV bektashian ishte shkëputja nga Komuniteti Mysliman dhe pjesa tjetër e botës islame për t’u vetëorganizuar.

Kjo marrëdhënie do të ndërlikohej më vonë me vrasjen në mars të vitit 1947 të Baba Faja Martaneshit dhe Baba Fejzo Dervishit nga kreu i Komunitetit Bektashi, Abas Hilmi. Siç është thënë, vizita e dyshes “liberale” ishte diskutimi mbi demokratizimin e sektit, diçka që nuk u prit mirë. Kjo është parathënia e asaj që do të vazhdonte në vitin 1950 me sektin halvetian dhe që duket se u bllokua nga dy njerëz: kreu i Komunitetit Mysliman, Hafiz Musa H Aliu dhe ish-kryeministri i kohës, de facto dhe de jure, njeriu kryesor në Shqipëri, Enver Hoxha.

Ali M. Basha sjell në tërësi një përshkrim të vendimeve dhe aktivitetit në këtë drejtim duke sqaruar kthesën që ndodhi pas kongresit halveti të 29 shtatorit 1950 që shpalli bashkimin me Komunitetin Bektashi, aprovimin e këtij akti nga Kryeministria dhe më tej rishikimin e këtij qëndrimi. P.sh në faqen 477 autori vëren ndër të tjera se:

Kjo mbledhje u hap nën kryesinë e kryetarit bektashian, por siç është marrë vesh, ndërmjet halvetive ka patur një përçarje të madhe mbasi një shumicë e tyre ishin kundra bashkimit të sektit halveti me Komunitetin Bektashian. Siç kanë treguar vetë pjesëtarët e sektit halveti, qendrën e kanë në Tepelenë. Shtojmë se nuk dimë sesi ka përfunduar mbledhja e pjesëtarëve të këtij sekti që u mbajt këtu në Tiranë, mbasi kjo kryesi nuk qëndroi deri në përfundim të vendimeve të dhëna nga kjo mbledhje

Nga pikëpamja politike është shumë interesante të shihet kjo që ndodhi në raport me një incident të Enver Hoxhës me Baba Faja Martaneshin më 1945, sjellë nga i njëjti autor si dëshmi verbale e babait të vet, ish-kryetarit të Komunitetit Bektashi, Hafiz Musa H Aliu që e sjellim si më poshtë:

Siç e kam dëgjuar nga im atë, i ndjeri Hafiz Musa H Aliu: “Në festat e nëntorit të vitit 1945 ishim të ftuar në pritjen që kryeministri i asaj kohe jepte me rastin e festive. Ne përfaqësuesit e besimeve të ndryshme fetare rrinim bashkë. Na u bashkua edhe Baba Faja, për shkak se kishte makinën të prishur dhe do të kthehej me makinën tonë. I thashë: “Nëse do të qëndrosh deri në fund të pritjes, gjej ndonjë tjetër, se ne do të largohemi shpejt.” Kjo e bëri Baba Fajën që të mos na ndahej. Kur erdhi të na takonte, sipas zakonit, kryeministri, e pyeti Baba Fajën:

-E do fort Hafiz Musanë?

– E kam shpirt – u përgjigj Babai.

– Po pse u ndave prej tij?

– Pasuritë e paluajtshme shoku Komandant ndamë.

-Po ju i keni ndarë me kohë ato!

Baba Faja deshi ta kthejë bisedën me shaka dhe i tha:

-Epo mjaft me hoxhallarët!

E. Hoxha u nxeh dhe ndryshoi menjëherë qëndrim dhe i tha prerë:

-Dëgjo këtu Baba Mustafa: Unë jam komunist dhe komunistët nuk besojnë as Allahun, as Pejgameberin, as Krishtin! Juve ju do populli dhe do të jetoni derisa t’ju dojë ai, se sa për mua…(lëshoi një pasthirrmë dhe me dorë bëri një shenjë në ajër sikur godiste diçka). Pllakosi heshtja dhe pa u ndier u shpërndamë.

Ali M. Basha, “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri(1912-1967), fq. 441.

Jemi 6 muaj pas Kongresit të Bektashinjve që sanksionoi ndarjen dhe Enver Hoxha shfaqet se ka qenë kundër këtij fragmentarizmi që me gjasë udhëhiqej si politikë autonome brenda PKSh-së nga njerëz që vinin prej tarikatit bektashi. Duhet thënë se halvetinjtë në përpjekjen e tyre për bashkim me Bektashinjtë kanë shpresuar në mbështetjen jo vetëm të këtyre të fundit, por edhe ndoshta të Mehmet Shehut, që rridhte nga një familje me lidhje të forta me halvetinjtë. Në atë kohë Mehmet Shehu ishte nënkryeministër që në dokumente del se relacionet për këtë çështje i adresoheshin atij dhe Komitetit Klerikal që ishte organ në varësi të Kryeministrisë. Nga shfletimi i dokumenteve konfirmohet se nismëtarë të kalimit të halvetinjve drejt bektashinjve janë dy persona: Sheh Abedin Bënça dhe Sheh Ali Ormova. Duket se mendja pas kësaj lëvizjeje ishte Ali Ormova, kurse Bënça është krahu ekzekutiv.

Propozimi për mbledhjen shkëputëse të halvetinjve bëhet nga Bënça që përmes një shkrese të datës 21 shtator 1950, drejtuar Kryeministrisë dhe Kryesisë së Komunitetit Bektashian Shqiptar, sqaron se nisma vjen “konform dekret ligjës mbi Komunitetet dhe Sektet Fetare të shpallur nga Qeverija e Republikës Popullore e Shqipërisë”. Sheh Abedin Bënça njofton se mbledhja mbahet më 29 shtator 1950 dhe në pikën 2 të rendit të ditës parashikohet miratimi i “rezolucionit mbi aprovimin e sektit halveti në gjirin e Komunitetit Bektashian Shqiptar”.

Përmes një letre telegrafike pa datë, Komiteti për Çështje Klerike njofton Nënkryeministrin Mehmet Shehu se:

Komuniteti Bektashian kërkon aprovimin e sektit Halveti në varësin e tij. Ne mendojmë që të mvaret nga Komuniteti Bektashian, mbasi është dhe dëshira e sektit Halveti

Më datë 26 shtator, Sheh Abedin Bënça dorëzon pranë Komitetit për Çështjet Fetare në Kryeministri “listën e personave që do të marrin pjesë në mbledhjen e datës 29 shtator 1950 të Klerit të Sektit Halveti”. Mbledhja e datës 29 dokumentohet nga një process verbal i saj, bashkëngjitur të cilit është rezolucioni dhe fjala e Sheh Abedin Bënçës. Në procesverbal thuhet se në hapjen e mbledhjes asistonin edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjvet, Ahmet Myhtar Dede, i deleguari i qeverisë, Reshat Gërmenji, nëpunës  pranë Kryeministrisë; kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafuz Musaj, përfaqësuesi i sektit Sadi, Sheh Muharrem Mitrovica, përfaqësuesi i sektit Meh-lami Sheh Beqir Meh-lania.

Duhet thënë se në fjalën e tij, Sheh Abedin Bënça dënoi veprimtarinë e ish-krerëve të sekti halveti të cilët i etiketoi si tradhëtarë mes të cilëve Sheh Qerim Bilishti, Sheh Ali Pazari, Sheh Karbunara. Ky ishte mesa duket haraçi që duhej paguar në mënyrë që tarikati të riorganizohej, por kësaj radhe duke u shkëputur nga Komuniteti Mysliman. Arsyet mbeten të pasqaruara mirë, por diçka del nga një Relacion i datës 11 tetor 1950, nënshkruar nga Reshat Gërmenji i Komitetit për Çështje Klerikale. Sipas Gërmenjit:

Për ringritjen e këtij Sekti inisiatorët janë Sheh Abedin Bënça dhe Ali Ormova. Por në fakt u ndihmuan dhe nga Komuniteti Bektashian mbasi këta për këtë sekt kanë parashikuarë dhe në Statut të tyre në nenin 59 Kapitulli VII-të. Për bashkimin e tyre me Komunitetin Bektashi janë vetë ata që kanë dashur duke thënë se nuk bëjmë dot me Komunitetin Mysliman dhe nuk pajtohemi me çështjet kanonike e zakonet. P.sh pija, faljet dhe se besojmë Aliun pas ardhësin e Muhametit dhe për këtë vetë kanë vajur ne Kryegjyshi për t’ja parashtruar këtë dëshirë.

Gërmenji shton se Komiteti ka mendimin që:

këta të bëjnë pjesë në Komitetin Bektashi mbasi është dhe vetë dëshira e tyre dhe në rast se do ketë gjëra për këtë nga Komuniteti Mysliman sikundër rezultoj na del detyrë që këto çështje t’i sqarojmë në mënyrë bindëse shkakun pse është dëshira e tyre dhe asgjë tjetër

Çfarë kishte ndodhur?

Pas mbledhjes së datës 29 shtator, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hafiz Musa Haxhi Aliu i dërgon një letër Enver Hoxhës përmes të cilës denoncon ato që sipas tij ishin parregullsi në procesin e mbledhjes së 29 shtatorit duke shprehur shpresën se kjo gjë do të konisderohet nga qeveria. Është interesante të shihet këtu letra për shkak se ajo zbulon një njohje të vjetër të klerikut me Enver Hoxhën si dhe të një zotimi të Hafiz Musait për të:

Qëndruar besnik ndaj premtimit t’onë për t’iu njoftue mbi çdo gja që prek direkt ose mejtohet se prek tërthorazi interesat ose prestigjin e Partisë, Pushtetit e të drejtuesave të tyne…

Mbetet e paqartë se pse një mbledhje për shkëputjen e halvetinjve do të "prek(te) direkt ose mejtohet se prek tërthorazi interesat ose prestigjin e Partisë, Pushteit e të drejtuesave të tyne", kur vetë mbledhja ishte autorizuar nga Komiteti për Çështjet Klerike. 

 Më tej Kleriku vazhdon se:

Këtë raportim e bajmë me të vetmen arsye se, nji pjesë e shehlerëve të tarikateve të ndryshëm, që mbledhjen e djeshme i quen se bajnë pjesë në Komunitetin Bektashian, na janë drejtue personalisht tue na pytë: në se kishim dijeni mbi pikën se Partia dhe Pushteti kanë urdhnue grupimin e tyre me Bektashinjtë. Na, ju përgjigjëm se nuk dijmë gja mbi këtë; dhe i shtuem se kjo nuk mund të jetë e vërtetë sepse as Partia e as Pushteti nuk përzihen në çashtjet e mbrendshme të sekteve ose të Komuniteteve

Ajo që ndodhi më pas është në fakt ilustrim i të kundërtës të kësaj që parashtron Hafiz Musai. Në një seri dokumentesh provohet se mbledhja e 29 shtatorit 1950 që shpalli bashkimin e halvetinjve me Bektashinjtë jo vetëm u anullua dhe vendimet e saj u bënë nul, por për rivënien në shina të sektit dhe rikonfirmimin e tij pranë Komunitetit Mysliman, u angazhua pushteti me organet e Sigurimit. Mbi Qarkoren e Komunitetit Bektashian të datës 4 tetor 1950 që njoftohet vendimi i mbledhjes së halvetinjve është vënë shënimi Anullohet.

Duket se ankesa e Hafiz Musait vuri në lëvizje një zinxhir aktesh kontrolli të urdhëruara nga Enver Hoxha që duket se udhëhiqeshin nga qëllimi i zhbërjes së mbledhjes së 29 shtatorit dhe vendimeve të saj. Konkretisht vetë kryetari i Komunitetit Mysliman informon më 30 tetor Kryeministrinë për dorëzimin nga sektet në varësi të Komunitetit të rregulloreve, me përjashtim të sektit halveti. Po më 30 tetor Sheh Abedin Bënça depoziton listën e delegatëve të sektit halveti që morën pjesë në mbledhjen e shtatorit, ndërkohë që vetë qeveria vendos të kthejë përgjigje më datë 11 nëntor përmes një shkrese të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm I Kryeministrisë, Adil Çarçani, përmes së cilës informohet anullimi i vendimit për kalimin e sektit halveti pranë Komunitetit Bektashi dhe udhëzimet që i janë dhënë Ali Ormovës dhe Abedin Bënçës për veprimet e mëtejshme.

Pas këtij njoftimi, dyshja Abedin Bënça dhe Ali Ormova detyrohen të pranojnë situatën e re dhe të nisin punën për riorganizimin e një mbledhjeje të re. Më 23 nëntor 1950, Sheh Abedin Bënça vë në dijeni për kontaktet me shehlerët dhe besnikët e sektit halveti, por ai do të nxirret nga skena për shkak se nuk hoqi dorë nga qëndrimet dhe pakënaqësia e vet ndaj qëndrimit të qeverisë, çka konfirmohet nga një denoncim ndaj tij për takimet e 15 dhjetorit në Tepelenë.

Në skenë do të dalë Ali Ormova, ndërkohë që e gjithë procedura e zgjedhjeve u manipulua nga organet e pushtetit. Ka disa njoftime seri që hedhin dritë mbi ecurinë e procesit të zgjedhjes së delgatëve, infiltrimin e elementëve të besueshëm në to. Mbikëqyrjen e plotë të procesit. P.sh në një shkresë cilësuar Tepër Sekret të datës 25 janar 1951, që Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Kukës i dërgon Komitetit Klerik, si përgjigje ndaj urdhërit nr. 138/31 të Kryeministrisë, njoftohet se zgjedhjet për delegatët alveti për konferencën e përgjithshme që do të zhvillohet në Tiranë janë zhvilluar në Bicaj më 21 janar 1951 dhe aty kanë marrë pjesë 30 shehlerë dhe muhibë të rrethit. Nënshkruesi i shkresës, kryetari i Komitetit Selim Shehu, thotë se ka marrë pjesë në mbledhje ku… “u godit edhe puna e Sheh Abedinit” apo prej nga ku dolën 4 kandidatë nga “elementi i mirë”.

Më 14 shkurt thuasje e njëjta shkresë vjen nga Përmeti përmes së cilës Komiteti Ekzekutiv njofton se janë zgjedhur dy delegatë, pasi:

kandidatët e tjerë nuk i përmbahen konditave

Më 17 shkurt, Komiteti për Çështje Klerike, përpilon një relacion të pjesshëm “Mbi zgjedhjet e delegatëve të sektit alveti” ku sqaron zyrtarisht se zgjedhjet e delegatëve janë bërë në të gjitha rrethet. Se ato janë bërë në mënyrë demokratikese zgjedhja e delegatëve u studiua më parë nga shokët e Partisë, Pushtetit e të seksionit të Punëve të Mbrendshme.

Me përjashtim të Sheh Abedin Bënçës që u zgjodh në Tepelenë, të tjerët u zgjodhën ata që duheshin

Në relacion po ashtu theksohet edhe se:

Sheh Ali Ormova akoma nuk është i qartë për mvartësin nga Komuniteti Mysliman akoma ka shpresa për në Bektashiant

Më 24 shkurt Komiteti miraton relacionin përfundimtar që hapi rrugën drejt zgjedhjes nga Komiteti për Çështjet Klerike, të Këshillit të Sektit Alveti, më 6 mars 1951 e ku thuhet qartë se dy nga përfaqësuesit janë të angazhuar me Partinë. Teatri me këtë çështje u konkludua më 11 mars 1951 me Konferencën e Sektit Alveti dhe me një referat të Ali Ormovës që ishte kontrolluar dhe miratuar paraprakisht nga Komiteti për Çështje Klerike. 

Efekt anësor i kësaj drame që u luajt në harkun e pak muajve është një letër që Ali Ormova, njeriu që duket se qëndronte pas të gjithë idesë së bashkimit me Bektashianët, i dërgon Mehmet Shehut, por duke iu drejtuar me apelativin “Shkokut të Dashur, Gjeneral Leitnant Mehmet Shehu”.

Letra është formalisht një raportim mbi gjendjen e sektit në fjalë, gjendjen materiale dhe të tjera çështje si kjo, por në mbyllje të saj, Ormova nënvizon njohjen personale me Shehun dhe takimet e tyre jashtë Shqipërisë në vitet ’30. Është një dëshmi e afrimitetit fetar dhe personal që refuzohet me ngut dhe brutalitet nga Shehu i cili përmes një përgjigjeje të thatë i sqaron “mikut të dikurshëm” se për çështje të tilla nuk duhet të drejtohet personalisht.

Është e vështirë të nxjerrësh përfundime bazuar mbi këtë episod, por nuk mund të mos lexosh në të gjithë ecejaket e dëshmive dokumentare ndikimet fetare mbi liderët e regimit komunist që duhet thënë se në raport me fenë kanë ndjekur një politikë të strukturuar mirë. Sikundër provohet se likujdimi i fesë nuk ka qenë një vendim i hershëm, por një politikë e maturuar që iu nënshtrua një evolucioni rrethanash dhe që erdhi më 1967 me një viktimë të vetme par excellence: kishën katolike.

Por ndoshta vlera më e madhe e këtij epsiodi është se ai ilustron më shumë se çdo gjë tjetër mënyrën e kontrollit që pushteti ka mbi institucionet fetare, sidomos ato të Islamit, zgjedhjet e të cilave edhe sot janë shpesh të njollosura me dyshimin se janë të rakorduara me qeverinë, dekor i të cilës bëhen shpesh.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.