Shqipëria që na tregon qeveria

Postuar në 30 Dhjetor, 2020 22:57

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përcjellë sot përmes faqes së vet në Facebook një mesazh për fundvitin të cilin e ka përmbledhur shkurt në një material video ku flitet kryesisht për Punën. Për ata që punojnë. Shtet-punë-mirëqenie, kjo është deviza e këtij mandate dhe Puna padyshim është kryeçështja në një vend që dominohet nga pasiguria.

Në një vend normal, mesazhe të tilla nuk duhen komentuar, sepse nuk mund të ndërmjetësosh në një komunikim të tillë. Dhe në fakt në këtë mesazh nuk ka ndonjë gjë të cilën mund ta përgënjeshtrosh, ta sulmosh, ta kritikosh sepse aty siç është zakoni përcillet një dëshirë e mirë. Një frymë optimizmi.

Mirëpo edhe sikur ta mirëkuptojmë këtë gjë, nuk mund të mos themi se z. Rama, qetësia e tij në dukje, pamjet, mënyra si e interpreton ai Shqipërinë e bëjnë atë të huaj në sytë e shumë njerëzve.

Ndoshta është konsumi i një pushteti të gjatë, ndoshta është keqkuptimi i madh që krijon propaganda me realitetin, ndoshta është tensioni social që nuk tretet në këto mesazhe paqëtuese, ndoshta është fakti se qeveria përfaqëson krizën e konsensusi shoqëror në këtë vend. E sigurtë është se Shqipëria, që duhet të ishte shtëpia jonë, ku padyshim jo të gjithë duhet të jenë të pasur, por që të jetë e tillë që ta ndjejmë tonën edhe në varfërinë e vet, po na bëhet e huaj. Vendi i saj brenda nesh po zvogëlohet sepse raporti tonë është dëmtuar në themel.
 

Është kjo një ndër arsyet se pse të vërtetat kryeministrit dhe çdo figure tjetër me përgjegjësi publike janë relativuzar kaq shumë, e ca më keq, janë ridimensionuar si të vërteta poshtë dhe në funksion të koniunturave. Është kjo një ndër arsyet pse njerëzorja është tulatur kaq shumë mes nesh aq sa punët e mira të cilat kaq shumë ka dëshirë t’i listojë z. Kryeministër, duken të largëta dhe pa ndonjë ndikim në jetën tonë.

Ka ardhur koha që politikanë si z. Rama, që tanimë i ka shijuar dhe provuar të gjitha, që me metrin e vet i mundi të gjithë, të kuptojnë nivelin e dëmit kolosal që i kanë bërë këtij vendi, ca me politikat e veta, ca me keqkuptimin që po nxisin e ku jo rrallë zhyten edhe vetë si pa kuptuar, ca edhe me teatrin e pandalshëm propagandistik ku kërkojnë të bllokojnë çdo mendim kritik.

Është kjo kënetë që po gjeneron aneminë e përgjithshme të një shoqërie që me apatinë e vet, me dorëzimin pa kushte, me rreshtimin teatral pas gjoja kauzave ditore dhe partiake, ka asgjësuar premisën e çdo suksesi real. Ne kemi suksese publicitare, por jo të vërteta. Dhe një shoqëri që nuk e krijon horizontin e suksesit të vërtetë, sepse ia ka zënë sytë vetes me perden e vlerave të rreme, patjetër që nuk di ku shkel dhe do të ecë qorrazi pas barinjve si z. Rama që kanë kuptuar për shkak të rrethanave apo arsye të tjera se kjo turmë pa tru e pa kokë do drejtuar në vendnumëro duke i treguar përditë përrallën se po ecën përpara. Shikoni sa qejf e kanë fjalën Shumicë këta njerëz!

Sigurisht që nuk mund të fajësohet një njeri për katandinë ku erdhëm, por padyshim që ky njeri ka përgjegjësinë se ka tradhëtuar besimin e shumëkujt dhe vazhdon ta bëjë këtë, tanimë jo sepse besimi është shenjë e dëshirës së mirë apo naivitetit, por sepse besimi dixhital është kontrata për suksesin material. Jo më kot kjo është edhe qeveria e like-ve dhe share. Fatkeqësi për këtë copëz Bizanti të harruar nga progresi dhe të përgjumur nga sherbeti i qylit si iluzion suksesi.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.