Varianti britanik i Covid-19, Ciccozzi: Nuk është më i rrezikshëm dhe nuk cenon efektivitetin e vaksinës

Postuar në 22 Dhjetor, 2020 16:13
Intervistoi: Paolo Viana

 

Virusi pëson mutacion dhe rasti i variantit britanik është i natyrshëm. Massimo Ciccozzi, epidemiolog i Universitetit Biomedical Campus të Romës dhe zbulues i disa prej mutacioneve të Sars Cov 2, thotë se me aq sa dihet për momentin, mutacioni në fjalë nuk ndikon në efikasitetin e vaksinës.

A duhet të na frikësojë vërtet varianti anglez i koronavirusit për të cilin po flitet kaq shumë?

Absolutisht jo, për shumë arsye. Së pari, sepse vdekshmëria duket se është gjithmonë e njëjtë, ndërsa, sipas të dhënave që aktualisht kemi, transmetimi mund të ketë ndryshuar; ky ndryshim, për më tepër, është pjesë e evolucionit natyror dhe të parashikueshëm të një virusi që gjithmonë përpiqet të replikohet në një mënyrë të tillë që t’i lejojë atij të mbijetojë, duke riprodhuar vetveten. Deri më sot, nuk ka prova laboratorike që e identifikojnë këtë variant si më të rrezikshëm, jo ​​vetëm për sa i përket patogjenicitetit dhe vdekshmërisë, por edhe në kuptimin që mund t’i bëjë më pak efektive vaksinat që po mbërrijnë tani.

A mund të krahasohet ky mutacion me D614g që prek proteinën Spike?

Sigurisht. D614g që e gjejmë në 98% të sekuencave italiane tani është fiksuar në llojet virale që qarkullojnë në Itali dhe në vendet e tjera evropiane dhe gjithashtu ka rritur transmetimin e virusit, siç duket se bën varianti anglez ... Kjo megjithatë konfirmon se virusi shndërrohet. Është e ditur që viruset pësojnë mutacion dhe ky i fundit nxitet edhe sistemi ynë imunitar dhe nga presionet selektive mjedisore. Ata pësojnë mutacion në formën e një “arratisjeje imunologjike”, d.m.th. kur ato janë të bllokuara dhe përpiqen të kapërcejnë mbrojtjen tonë imunitare - dhe këto mutacione ndonjëherë e bëjnë virusin më ngjitës, ndërsa herë të tjera ato nuk kanë ndonjë peshë të madhe klinike dhe virologjike, por sigurisht mbajnë një të tillë evolucionare: dmth. ato janë mutacione që e bëjnë virusin të priret drejt një evolucioni konvergjent, d.m.th., një përshtatjeje me njeriun.

Pse janë mutacionet kaq të frikshme dhe sa herë që dikush zbulon një të tillë ngrihen alarme, të cilat më pas rezultojnë të pabazuara?

Mbase sepse ato nganjëherë favorizojnë virusin - është gjithmonë e mundur që të rritet forca e transmetimit, të rritet edhe patogjeniciteti, por në shumë raste mutacionet favorizojnë bartësin, pasi koronavirusët përpiqen të përshtaten dhe të jetojnë me të në një gjendje parazitare. Në këtë mënyrë, pa prishur prirjen epidemiologjike, të paktën trembëdhjetë variante të ndryshme të Sars Cov 2 janë përhapur në Itali muajt e fundit.

Sa e mundshme është një rritje e vdekshmërisë në këtë rast?

Ne nuk e dimë, por, bazuar në informacionin që kemi, nuk ka shumë gjasa, pikërisht për shkak të prirjes, tipike për shumë viruse, për adaptim dhe parazitizëm. Ky "armik" e gjen më të dobishëm shndërrimin në një parazit dhe bashkëjeton në simbiozë me bartësin pa shkaktuar shumë dëm. Kjo është arsyeja pse, duke parë të gjithën nga një distancë më e largët, mund të perceptohet qartë se këtë vit koronavirusi në Evropë e ka shtuar forcën e përhapjes, por jo vdekshmërinë.

A ka prova shkencore për ndryshimet në patogjenicitetin e Sars Cov 2?

Absolutisht jo. Mutacioni DG 614 është konfirmuar nga testet laboratorike, ndërsa vijojnë testet për variantin britanik.

A mund ta bëjnë këto mutacione vaksinën joefektive?

Jo, edhe kjo është e pagjasë. Arsyeja është se proteina Spike e përdorur për vaksinën ka pësuar mutacione, por jo në atë shkallë sa të ketë ndikim te vaksina.

Burimi: Avvenire

Përkthimi: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.