Spektakli qiellor i dhjetorit  

Postuar në 21 Dhjetor, 2020 21:17

Nga Jak Simoni
Çdo ditë në mediat tona të shkruara dhe audiovizive i lihen vend  parashikimeve të  horoskopit, por rrallë herë flitet se çfarë ndodh në qiell, përjashto ndonjë eklips të Hënës  apo të Diellit. Në  mediat perëndimore nuk ndodh ekzakt kështu. Atje u lihet vend dhe spektakleve  të tjera qiellore. Natyrisht mediat tona veprojnë kështu, sepse përmbushin nevojën e audiencës, e cila është më e interesuar për fatin e tyre “të përcaktuar nga pozicioni i yjeve”, sesa për shkëlqimin e yjeve apo lëvizjen e planetëve. Shikuar më sy të lirë dhe  pa u menduar, në qiell duket se ka Hënën, Diellin dhe yjet, madje Diellin, Hënën dhe yjet, por nuk është kështu.

Pa qenë astronom, por vetëm një vëzhgues i kujdesshëm dhe pak njohës i historisë së shkencës, mund të përjetohet spektakli që japin planetët me lëvizjet, pozicionimet dhe me shkëlqimin e tyre që, natyrisht e pasqyrojnë nga dielli. Për të kuptuar sadopak këtë spektakël, nuk ka nevojë domosdoshmërisht për teleskop, sepse dhe njohjet astronomike nuk fillojnë me shpikjen e teleskopit nga Galilei, por mijëra vjet më parë. Taleti i Miletit (sh. VII-VI P.e.Re ), që  Aristoteli ka konsideruar  si filozofin e parë,  ishte aq i etur për të ditur se çfarë kishte në qiell sa, kur ecte, s’shikonte se çfarë kishte përpara, saqë, sipas Platonit, një skllave qeshte më të. Që në atë periudhë të diturit e atëhershëm kuptuan se disa “yje” shfaqen në qiell në mbrëmje të paret e të tjerë zhduken të fundit në mëngjes dhe po këto  “yje” në “rrotullimin rreth tokës” (siç mendohej atëherë)  përshkruanin trajektore të çuditshme krahasuar me “yjet” tjerë, duke u shfaqur e zhdukur, duke u afruar e larguar njeri me tjetrin. Kështu, që atëherë, zbuluan disa  planetë pa kurrë farë instrumenti dhe “vendosen” në mënyrë të padiskutueshme, për atë kohë, Tokën në qendër (nuk mund të diskutohej Aristoteli). Por sistemi gjeocentrik nuk und të ishte i përjetshëm.

Ai do të përmbysej, përsëri pa instrument, por nga  intuita e Kopernikut. Kështu dija mbi kozmosin gjendet përballë një revolucioni të madh. Ishte  problemi madhor i “zhvendosjes” së Tokës nga qendra në periferi dhe më vonë i rënies së “përsosmërisë  rrethore” të trajektoreve të planetëve (për këtë mit përsosmërie Kepler për tre vjet hezitoi të publikonte zbulimin e tij mbi natyrën eliptike të trajektores së planetëve). Dënimet dhe ekzekutimet e autorëve të këtij revolucioni nuk ndaluan hapat gjigand të shkencës e sot njeriu po bëhet gati të shkojë në Mars (biletë vetëm për të shkuar), por për spektaklin e planetëve nuk flitet.

Në këto ditë të dhjetorit, Toka, Jupiteri me Saturnin po vendosen gradualisht në vijë të drejtë që në muzg shikohen me sy të lirë në perëndim. Në vijë të drejtë do të jenë pikërisht ditën e solsticit të dimrit. Prej qindra vitesh nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë një gjë e tillë, por kjo nuk bën përshtypje sa zbukurimet artificiale të Vitit të Ri, zbukurime për të cilat kushedi sa lodhje e kotë njerëzore e sa bukuri të tjera të natyrës janë sakrifikuar e përballë të cilave njeriu është miop, apo është një qenie që herë orientohet drejt qiellit për mos të kuptuar se çfarë ndodh në tokë, e herë drejt tokës për mos të kuptuar se çfarë ndodh në qiell. Një vështrim drejt qiellit këto mbrëmje, dhe pse jo me ndjesi kantiane, por thjesht për të larguar vëmendjen nga rutina e përditshme, ia vlen. (foto e mbrëmshme me një aparat të thjeshtë)
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.