Pandemia/Mosha mesatare e viktimave në Shqipëri, më e ulët se në rajon

Postuar në 21 Dhjetor, 2020 18:46

Nëntë marsi i këtij viti shënoi zyrtarisht dy rastet e para me Covid-19 në Shqipëri. Dy ditë më pas, në vendin tonë do të regjistrohej viktima e parë, një 73-vjeçare nga Durrësi, me sëmundje bashkëshoqëruese. Përgjatë nëntë muajve, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar çdo ditë numrin e viktimave, moshën dhe informacione shtesë në lidhje me sëmundje bashkëshoqëruese të viktimave.  Dy elementët e fundit u eliminuan nga raportimi ditor me nisjen e asaj që njihet si vala e dytë e pandemisë. Që prej datës 20 nëntor, Ministria e Shëndetësisë nuk raporton më moshën e saktë të viktimave, por vetëm grupmoshën brenda të cilës janë.

TvT ka bërë një analizë të të dhënave mbi vdekjet përgjatë nëntë muajve të pandemisë, bazuar në informacionin e përditshëm zyrtar. 

Që nga 11 marsi, kur raportohet vdekja e parë, deri më 20 nëntor, kur Ministria nuk raporton më moshën e saktë të viktimave, janë 597 personat që kanë ndërruar jetë nga Covid-19, për të cilët mosha është reflektuar në statistikat ditore.

Bazuar mbi këtë kampion, TvT ka pasqyruar grafikisht ecurinë e Covid-19 në raport me moshat për të cilat ka pasur pasoja fatale. Që nga fillimi i pandemisë, rezulton se mosha mesatare e të vdekurve lëviz mes 65.9 dhe 73.9 vjeç.

Mosha mesatare relativisht e ulët, për mjekun epidemiolog, Ilir Alimehmeti, shpjegohet me dy faktorë: raportimet zyrtare përfshijnë vetëm vdekjet në spital dhe angazhimi shëndetësor më i reduktuar për moshat e avancuara.

“Po shohim një situatë më të qartë. Kjo është situata që ne presim. Moshat më të vjetra janë problemi. Sa më shumë raste ne identifikojmë, aq më i vërtetë është kampioni. Ka një problem, që ne vdekjet i kemi vetëm spitalore. Pra që do të thotë, duhet të ketë shkuar në spital që të jesh te ky numër. Në Shqipëri ne e dimë që fakti që ne kemi spital vetëm në Tiranë do të thotë që jo të gjithë e kanë mundësinë e barabartë, pasi Tirana është furnizuar më mirë. E dyta, duhet të marrim parasysh që për moshat më aktive në Shqipëri ka më tepër angazhim shëndetësor, i shtrojmë në spital. Moshat më të vjetra ndoshta jo. Jemi në një situatë që e kemi vënë re edhe me sëmundje të reja”, thotë Alimehmeti.

Sipas të dhënave, muaji me moshën më të lartë mesatare të viktimave është shtatori, me 73.9 vjeç. Më shumë sesa me fillimin e valës së dytë, Alimehmeti e shpjegon me shtimin e testimeve dhe njohjen më mirë të infeksionit, rrjedhimisht edhe përmirësimit të trajtimeve.   

"Duke u shtuar testet, kuadri është bërë më i qartë. Testet janë bërë te popullatat dhe personat më të rëndësishëm nga pikëpamja familjare. Do ta mendoni këtë si sjellje normale e popullatës shqiptare: investohet më shumë te personat aktivë sesa për personat shumë të vjetër. E dyta, kemi edhe faktin që ka filluar të kuptohet edhe trajtimi. Ai nuk është më aq agresiv saç ishte në fillim, do të thotë që automatikisht janë eliminuar dëmet nga mjekimet e tepërta dhe shumë agresive që ndodhën klasikisht te moshat e reja", thotë mjeku epidemiolog.

Megjithatë, në raport me vendet fqinje, Italia dhe Greqia, viktimat e Covid-19 në Shqipëri i përkasin një moshe më të re. Italia e ka moshën mesatare të viktimave 82 vjeç, ndërsa Greqia 79. Këtë diferencë, përtej moshës mesatare të popullsisë së të tre vendeve, Alimehmeti e shpjegon me diferencën që kanë sistemet spitalore dhe shëndetësore.

“Dy elemenetë të rëndësishëm janë së pari, Italia ka moshën më të vjetër në Europë, ndërkohë që e jona është ndër më të ulëtat. Megjithatë, nuk është i vetmi arsyetim. Edhe kujdesi spitalor dhe shëndetësor është i rëndësishëm. Italia në mos qoftë numri një, është numri dy në nivel europian sa i përket sistemeve spitalore shëndetësore. Nuk mund të mbajmë hapin e Italisë. Patjetër, një kujdes më i mirë kthehet në rezultate më të mira. Është e pritshme, jetojmë në shtetin tonë. Nuk është shteti më i avancuar në Europë, nuk duhet ta shohim si garë me Italinë, duhet ta shohim si objektiv për t’u arritur italia. Nuk është çështje gare, ne këto mjete kemi në dorë dhe kaq janë rezultatet tona”, sqaron Alimehmeti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i pandemisë, muaji me numrin më të vogël të viktimave ka qenë maji, me 2 viktima, ndërsa rekordin mujor për vdekjet nga Covid-19 e mban nëntori. Personi më i ri që ka ndërruar jetë me Covid-19 ka qenë një 21 vjeçar, ndërsa ai më i vjetër një 93-vjeçar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.