Vikingët, lufta finale e djemve të Ragnarit

Postuar në 20 Dhjetor, 2020 13:23

Seriali “Vikingët” prezanton këtë fund vit 10 episodet e fundit të një sage filmike me 6 sezone. Për ata që nuk e kanë ndjekur serialin, mund të sqarojmë se është fjala për eposin e Ragnar Lothbrok dhe djemve të tij, marrë nga sagat norvegjeze dhe ekranizuar në mënyrë të suksesshme aq sa pas “Game of Thrones”, “Vikings” mbetet ndoshta ndër më ndikuesit.

Sigurisht ky i fundit e ka më të thjeshtë dilemën e skenarit të mbylljes, sepse i duhet ose t’i qëndrojë historisë, ose sagave, ose të manipulojë mbi këto të dyja për të na dhënë një fund pozitiv në raport me logjikën e fakteve. Sepse siç e dimë ai që sheh filmin e ka të vështirë të pranojë se një ngjarje mbyllet pa përfundimin e daljes me një triumf të së mirës.

Në këtë kuadër “Vikingët” ka sjellë një galeri personazhesh të arrira nga aktorët, ku patjetër duhet të veçojmë Ragnar Lothbrok, një barbar që ka talentin e rrallë se do të renë dhe di të dëgjojë. E pas tij, të birin, Ivari i pakockë, një idhnak me mendje strategu dhe ambicie të pakufizuar. I aftë të përshtatet me çdo rrethanë, të durojë, presë dhe organizojë çdo gjë në funksion të objektivit.

Sezoni 6 u mbyll me një betejë epike në fund mes Ivarit dhe Bjron Krahëhekurit, gjysmëvëllait të tij, në kontekstin e një rivaliteti për fronin Viking dhe mësymjen ruse nga Novgorodi drejt Veriut. Diçka që njihet edhe në histori, e që në serial na jep një mbyllje dramatike me një shpatë të Ivarit në trupin e Bjorn, një akt i domosdoshëm, por që i nënrenditet skematikisht një fytyre gjithë dilema të Ivarit që sa më shumë kohë kalon, aq më shumë kupton se identiteti i tij si Viking është tipari më dallues.

Trajleri zyrtar i episodeve të reja na sjell Bjronin e ringjallur, Huben të vëllanë, Ivarin në marshim në një përpjekje përfundimtare që nëse mund të shohim ende në dialog, e kërkon legjitimitetin e vet tek Lavdia e Ragnarit. Figura e të cilit ngrihet këshut në apogjeun e një vizionari dhe karizme të pakonkurueshme veçse nga sasia e gjakut të derdhur. Sepse ai është një vizion që hap dyert e Ferrit, përveçse të Valhallas.

Është një mënyrë për ta mahnitur njeriun “modern” me një ndër gjërat që mbeten përherë moderne dhe që përherë e më shumë modernizohet, Luftën. E cila nuk ka kuptim pa Historinë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.