Vaksina anti-CoVid-19, mbetet lypja. BE premton doza për Ballkanin, Serbia siguron kontratë me Pfizer

Postuar në 19 Dhjetor, 2020 19:29

Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” njofton se pala shqiptare dhe ajo serbe kanë protestuar për mungesën e vaksinës anti-CoVid-19 si pasojë e metodave të ndryshme në shpërndarjen e parashikuar nga BE dhe mekanizmi COVAX.

P.sh COVAX parashikon të shpërndajë vaksinat në Ballkanin Perëndimor jo më herët se muaji prill i vitit 2021, ndërkohë që vendet e BE-së nisin vaksinimin në datën 27 dhjetor. 

Është një hendek që ka pasoja politike pasi p.sh vende si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi do të duhet të shohin sesi vendet përreth vazhdojnë vaksinimin vetëm pse janë BE. 

Lidhur me këtë fakt Tanjug raporton se ka pyetur zëdhënësen e Komisionit të Zgjerimit, Ana Pisonero, sipas të cilës ky hendek do të mbyllet me donacione në fonde dhe pjesë të dozave. 

Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Margaritis Schinas e ka cilësuar këtë një zgjidhje të përkohshme derisa sa COVAX të vihet në funksionim, mirëpo është fare e qartë se në perceptimin e përgjithshëm kjo lexohet si diskriminim. Ballkani po mbahet me lëmosha, ca për faj të vet e ca për mënyrën sesi funksionon kjo botë, duke u vënë kështu përballë faktit se është i fundit në listë. 

Sa i përket Shqipërisë mbetet e pasqaruar një gjë: p.sh mediat serbe njoftojnë se në Serbi pritet të mbërrijnë dozat e para të vaksinës së Pfizer duke siguruar kështu vaksinim eventual të personelit mjekësor. Sipas të dhënave deri në prill Serbia do të marrë 350 000 doza të vaksinës dhe në total 1 800 000 nga kontrata me Pfizer. Kjo përtej COVAX. 

Deri më tani nuk ka të dhëna apo konfirmim zyrtar nëse Shqipëria ka nënshkruar një kontratë me Pfizer. Ne pamë vetëm kontratën e shikimit “sy më sy” me prodhuesit pas të cilës pasoi deklarata se “ne shpresojmë të nisim vaksinimin në muajin shkurt” që është në fakt një premtim abuziv që ka të bëjë me donacionet e BE-së dhe aspak me ndonjë arritje të qeverisë në negociata që janë patjetër të vështira. 

Nuk është ende e qartë nëse qeveria jonë ka kapacitetet administruese të një vaksine që kërkon ruajtje në -70 gradë, ndaj është e udhës që kjo çështje të sqarohet zyrtarisht për të mos krijuar klimë të rënduar psikologjike. Na mjafton kjo urrejtje dhe neveri për qeverinë tonë që vjen nga hajnia, nuk ka pse ta shtojmë dozën me gënjeshtrat për vaksinën. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.