Mbi teoritë konspirative

Postuar në 14 Dhjetor, 2020 14:46
Bashkim Shehu

 

Teoritë e konspiracionit janë diçka e zakonshme në botën moderne. Ndër to, më e njohura, njëkohësisht edhe më famëkeqja, është "Protokolli i Pleqve të Sionit", një libër apokrif që pretendon të provojë një komplot të dominimit të botës nga hebrenjtë dhe masonët ose komunistët. Ai u përdor së pari për të justifikuar masakrat në Rusinë cariste, ndërsa më vonë u përdor në propagandën naziste për të arsyetuar diskriminimin antisemit dhe shfarosjen përfundimtare të hebrenjve.

Në Shqipëri, teoria më e njohur e konspiracionit, dhe ndoshta më e çuditshmja në Evropën Lindore, njihet si "Katovica". Përmbledhtazi, kjo teori argumenton se gjithçka në tranzicionin post-komunist u orkestrua nga Gorbaçovi, në bazë të një plani që ai ua paraqiti homologëve gjatë një takimi shumë sekret në qytetin e Katovicës: demokracia parlamentare do të ishte një fasadë e përdorur për të mbuluar monopolin e nomenklaturës komuniste mbi pushtetin politik dhe ekonomik në kushtet e reja të pluralizmit dhe kapitalizmit. Kjo histori ka qarkulluar prej vitesh në gazeta dhe në rrjetet sociale në Shqipëri. Është një variacion i "Protokollit të Pleqve të Sionit", por pa pasoja në praktikë. Thjesht jep ngushëllim njohës dhe moral duke pretenduar të shpjegojë të gjitha të këqijat e tranzicionit post-komunist në botë. Në Shqipëri, gjatë periudhës komuniste, paraardhësi i teorisë së Katovicës ishte një seri fatale komplotesh imagjinare, si rregull, të gjitha ato zbuloheshin para se të kishin ndonjë pasojë reale.

Teoritë e konspiracionit kanë një lidhje themelore me totalitarizmin dhe, në një kuptim më të gjerë, me mendësinë totalitare. Nga njëra anë, ato janë projeksione të paranojës së një diktatori, imazhe të përmbysura të prirjeve të tij shkatërruese në delir përndjekjeje. Nga ana tjetër, në kushte totalitare, ato rezonojnë në mendjet e të sunduarve si plotësues negativ i një dashurie delirante, objekti i së cilës është diktatori, sipas Wilhelm Reich në librin e tij, “Psikologjia masive e fashizmit”, duke iu referuar një dashurie absolute që kërkon si plotësues një objekt të urrejtjes absolute, një alotrop politik të djallit. Sipas Reich, ky rregullim mendor i të sunduarve me sundimtarin e tyre totalitar ndodh përmes asaj që ai e quan "murtajë emocionale".

Krijimi i teorive të konspiracionit dhe prirja për t'i pranuar ato nuk lidhet ekskluzivisht me totalitarizmin. Pavarësisht nga lloji i regjimit, dhe në kushte të caktuara, veçanërisht kur kemi të bëjmë me vështirësi të mëdha, psikikës njerëzore i duhet mbështetje, në mënyrë që të mos mbetet e pambrojtur para forcave të errëta kërcënuese dhe të pashpjegueshme. Teoria e konspiracionit e përmbush këtë rol. Ajo ofron një shpjegim të thjeshtë dhe të qartë. Dhe, më e rëndësishmja, identifikon një veprim të qëllimshëm njerëzor në rrënjët e së keqes, identifikimi i të cilit prodhon një përfitim të dyfishtë psikologjik: nëse shkaku i së keqes është një veprim i qëllimshëm njerëzor, është e mundur që njeriu të luftojë dhe të mposhtë atë që i bën keq; për më tepër, në këtë rast, është e mundur të fajësohet dikush për atë që po ndodh, dhe kështu, edhe nëse nuk mund të mposhtet e keqja, njeriu ka ende ngushëllimin njohës dhe moral të të qenit gjykatës i një të dyshuari, i cili ka qenë zbuluar dhe shpallur fajtor.

Në kohët e hershme, fatkeqësitë dhe katastrofat e mëdha u atribuoheshin forcave të mbinatyrshme, hyjnore ose demoniake. Nëse Djalli do të ishte përgjegjës për to, ekzistont gjithmonë besimi se Zoti do të mbizotëronte. Përndryshe, nëse rezultati i ndërhyrjes hyjnore, e keqja që mundonte njerëzit, shpjegohej me providencën, kjo për të mirën e njeriut, ose si një ndëshkim për mëkatet, dhe nëse ishte kështu, mund të kërkonte zbutjen e zemërimit të perëndive përmes flijimit për t’u çliruar nga mëkatet, ose në rastin e Zotit monoteist, kjo mund të çonte në shpresë, në mëshirë dhe dhembshuri. Prandaj, një teori konspiracioni nuk është më shumë sesa përshtatja e besimeve primitive ose mesjetare në një botë laike të arsyes dhe shkencës, ku Zoti, së bashku me Djallin, përjashtohet nga shpjegimi shkakësor dhe zëvendësohet nga njeriu si aktor i qëllimshëm. Teoria e konspiracionit është demonologji moderne. Mbi të gjitha, në thellësitë e saj, psikika njerëzore nuk ka ndryshuar shumë që nga agimi i kohërave, kur paraardhësit tanë majmunë vendosën njëherë e përgjithmonë të ngriheshin për të ecur me këmbët e tyre të pasme.

Pandemia COVID-19 është shoqëruar me disa teori konspirative. Për shembull, në të gjithë botën, ka një riaktivizim të lëvizjeve kundër vaksinimit, e cila shpjegohet si një strategji për të zvogëluar popullsinë e planetit, me pretekstin e mbrojtjes së njerëzve nga sëmundjet e rrezikshme infektive. Kjo teori është e përhapur në rrjetet sociale. Në një version tjetër, posaçërisht për këtë pandemi, pretendimi është se nëpërmjet vaksinimit do të instalohen mikroçipa në trupat tanë për të na kontrolluar në çdo kohë. Sipas kësaj teorie konspiracioni, skenari është hartuar nga manjati i IT Bill Gates, i cili do të bëhet më i pasur duke tregtuar mikroçipet, dhe nga të gjitha qeveritë e botës, të cilat duan që në këtë mënyrë të na kontrollojnë - dhe kështu kjo shpjegon pse ata përhapin lajme të rreme rreth pandemisë dhe shtiren sikur besojnë se është reale, duke marrë masa të jashtëzakonshme. Një tjetër teori konspiracioni pretendon se pandemia shkaktohet nga antenat e internetit 5G. Ndoshta teoria më e çuditshme nga të gjitha, kryesisht për shkak të reputacionit intelektual të autorit, është ajo e mendimtarit të majtë dhe të famshëm, Noam Chomsky. Në fillim të pandemisë, ai argumentoi se në të vërtetë kishim të bënim me një luftë për epërsinë amerikane mbi globin, një luftë biologjike me intensitet të ulët, që synonte të dëmtonte përkohësisht ekonominë kineze dhe të përgatitej për shfrytëzimin neo-kolonial amerikan, duke eleminuar në mënyrë selektive të moshuarit dhe duke lënë gjallë të rinjtë që janë krahu i lirë i punës për nesër etj.

Teoritë e konspiracionit mbi COVID-19, dhe veçanërisht ato në lidhje me vaksinat me mikroçipa, po qarkullojnë në Ballkan. Këto teori mund t’i gjesh shpesh në rrjetet sociale shqiptare, madje, herë pas here edhe në mediat kryesore. Për shembull, një teori e përhapur e shpjegon pandeminë si një betejë ndëryjore midis ushtrive me seli në galaktikat e largëta dhe koronavirusin si një armë të sofistikuar që përdoret për të zvogëluar popullsinë e botës. Njëra anë e luftës, ana e mirë, ka Presidentin Trump si përfaqësuesin e saj më të lartë në Tokë, ndërsa në anën tjetër, anën e keqe, është - dhe nuk mund të ishte askush tjetër - një hebre i pasur dhe liberal, gjithnjë i pranishmi George Soros, dishepull i adashit George Orwell, i cili pretendohet se denoncoi totalitarizmin, por që në fakt është autori par excellence i manualit të totalitarizmit komunist.

Nuk ka dyshim që pandemia COVID-19 është një terren shumë pjellor për teoritë e konspiracionit: një virus imponon kufizime në shoqëri dhe dyshime për marrëdhëniet njerëzore, që të kujtojnë regjimet totalitare. Njeriu modern, perëndi i vetëshpallur i natyrës, nuk mund të pranojë që ai është pjesë e natyrës, dhe për këtë arsye e shpjegon ekzistencën e koronavirusit me veprimet e qëllimshme dhe djallëzore të të ngjashmëve të tij me dy këmbë.

Burimi: www.bridge-magazine.net

Përkthimi: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mjaft prej teorive konspirative, per t'mos thene shumica e tyre, dalin nga zyra shteterore per te c'orientuar mendjet e njerezve drejt nje drejtimi larg atij te vertetit, qe mbahet i fshehur per arsye sigurimi!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.