AstraZeneca zgjeron spektrin e ilaçeve, blen Alexion për 39 miliardë dollarë

Postuar në 13 Dhjetor, 2020 14:24

Britanikja AstraZeneca ka rënë dakord të blejë prodhuesin amerikan të ilaçeve, Alexion Pharmaceuticals, për 39 miliardë dollarë. Kjo marrëveshje, më e madhe ndonjëherë për kompaninë, e diversifikon biznesin e saj tduke e zhvendosur nga ilaçet e kancerit te medikamentet për sëmundje të rralla dhe imunologjia. Marrëveshja vjen në të njëjtën javë kur AstraZeneca njoftoi se po kryente kërkime të thelluara për të konfirmuar nëse vaksina e saj COVID-19 mund të jetë 90% efektive. 

"Është një mundësi e jashtëzakonshme për ne që të përshpejtojmë zhvillimin tonë në imunologji, duke hyrë në një segment të ri sëmundjesh, një segment të ri mjekësh dhe pacientësh që nuk kemi qenë në gjendje t'i mbulojmë deri më tani", tha shefi Ekzekutiv i AstraZeneca, Pascal Soriot, në një njoftim për mediat.

Ilaçi më i shitur i Alexion është “Soliris”, e përdorur kundër një sërë çrregullimesh të rralla imune duke përfshirë hemoglobinurinë paroksizmale të natës (PNH), e cila shkakton anemi dhe mpiksje të gjakut. Të ardhurat që gjeneruan këto ilaçe u rritën me 3.6% në nëntë muajt e parë të vitit, duke arritur në 3 miliardë dollarë. AstraZeneca shpreson që një version i përmirësuar i “Soliris” i quajtur “Ultomiris” të ketë një potencial edhe më të madh në treg. 

Firma britanike tha që bordet e të dy kompanive kishin miratuar marrëveshjen, e cila pritet të mbyllet në tremujorin e tretë të 2021. AstraZeneca është parë deri vonë si lider në garën për vaksinën e COVID-19, por mbeti pas Pfizer dhe partnerit të saj BioNTech, si dhe Moderna, të cilat ecën më shpejt, duke çuar në fund misionin e krijimit të vaksinës efikase.

Me një rritje të planifikuar të kapitalit prej rreth 25 miliardë dollarë pas mbylljes së marrëveshjes, Soriot po kërkon të shfrytëzojë një avantazh të fortë nga stoku i AstraZeneca, i nxitur nga rritja e madhe e barnave të reja të kancerit. Aksionet janë rritur rreth 70% gjatë tre viteve të fundit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.