Një shkrim problematik si sinjal se për shëndetin publik duhet të vendosë politika, jo ekspertët

Postuar në 08 Dhjetor, 2020 22:01
Skerdilajd Zaimi

 

Sot në gazetën “Panorama” është publikuar një opinion me autor prof. Edvin Prifti, shef i karrdiokirurgjisë në QSUT. Titulli: “Inteligjenca virale” dhe të pathënat e vaksinave të Koronavirusit”. Titulli i zgjedhur është në paraqitje polemizues më shumë sesa informues, sepse implikon një të fshehtë për vaksinat që janë zhvilluar ndaj CoVid-19, përtej togfjalëshit misterioz “inteligjencë virale”.

Përtej këtij aspekti, shkrimi prezanton një seri të dhënash analitike mbi sëmundjen, karakteristikat e saj, diferencimin në sjelljen imunitare të njeriut, metodat e zhvillimit të vaksinave dhe teknologjia e përdorur për to. Mirëpo a është e udhës, etike madje mund të pyesim, që shkrime të tilla me natyrë shkencore, apo që kërkojnë disa njohuri shkencore, të publikohen në gazeta të përditshme dhe gjeneraliste?

Pyetja këtu shtrohet jo për t’iu kundërvënë shkrimit në emër të ndonjë bindjeje, por për faktin se aty përcillen disa mendime të kualifikuara që parimisht vënë në diskutim besueshmërinë ndaj politikave qeveritare për trajtimin e pandemisë me mjetin universal që njeh sot shkenca: Vaksina. E cila po sipas z. Prifti, në këtë rast quhet e tillë për konveniencë komunikimi.

P.sh në shkrim jepet një e dhënë nga një studim i fundit nga Australia, sipas të cilit:

...mëse 25000 vjet më parë, afërsisht 870-900 breza njerezore, nje epidemi e nje koronavirusi te lashte kishte goditur njerëzimin dhe pikërisht Azine e Larget. Studimi i ndermarre nga prof. Yassine Souilmi i Universitetit te Adelaides, Australi dhe Prof. David Enard i Universitetit te Arizones ne SHBA, evidentonte qe kjo pandemi kishte prekur kryesisht popullatat e Azise se Larget, duke shkaktuar modifikimin dhe alterimin e mese 42 gjeneve njerezore, te cilet ishin pergjegjes kryesisht per prodhimin e proteinave bashkevepruese me viruset VIP (Virus Interacting Proteins). Pikerisht ky modifikim gjenetik i ketij grup genesh, i ben keto popullata edhe me te mbrojtura ndaj Covid19 aktual

Nëse është kështu atëherë mbrojtje duhet të kishin edhe indoeuropianët që erdhën nga Azia rreth 3000 vjet më parë. Ndoshta pandemia e asaj kohe ka prekur vetëm mongoloidët, ndoshta ka ndalur në Azinë Juglindore ku u vu re një përhapje shumë e kufizuar e sëmundjes, por kjo është një temë që ka shumë debat, duke qenë se Kina vetë përjetoi goditje të fortë nga CoVid-19. Si ta trajtosh një qasje të tillë në dritën e pandemisë së tanishme, e cila ka përhapje masive në hemisferën veriore, aty ku në përgjithësi historia ka provuar se ka patur përherë goditje të tilla?

Por aspekti kryesor i shkrimit lidhet me tekonologjinë e prodhimit të vaksinave kundër sëmundjes së tanishme. Dr. Prifti thekson se kemi të bëjmë me inxhinieri gjenetike e cila bën një lloj transplanti të ADN-së së virusit në qelizat tona të cilat mandej krijojnë një njohje që e lufton proteinën kryesore lidhëse të tij. E thënë me gjuhën e profesorit në fjalë ne lexojmë këtë shpjegim:

...Ekzistojne tre klasa te “vaksinave” te bazuara ne terapine gjenike: janë ato me ADN, ARN dhe me vektore virale. Qellimi i ketij procesi gjenetik eshte te detyroje organizmin e njeriut te prodhoje proteinen spike “S” te Sarscov2 duke shpresuar që organizmi i njeriut te prodhojë imunitetin perkates ne momentin qe e njeh kete proteine si te huaj.

...Ne ndryshim nga vaksinat tradicionale te cilat e ofrojne nga jashte proteinen e virusit per te cilin duhet te krijohet imuniteti, vaksinat e reja me terapine gjenike, fusin ne organizmin e njeriut materialin gjenetik i cili e detyron qelizen e njeriut tashme qe te prodhoje proteinen spike “S” te koronavirusit, pra organizmi i njeriut do te detyrohet per te prodhuar nje proteine te nje specie tjeter shume me inferiore ne klasifikimin Darvinian, qe ne kete rast eshte Sarscov2.  Prodhimi nga vete organizmi njerezor i nje proteine te huaj mund te mbarte crregullime te mundshme! Vete njeriu kthehet ne nje makineri biologjike te prodhimit dhe replikimit te nje proteine te huaj qe i perket nje specie tjeter biologjike.

Mos aprovimi i terapive gjenike per trajtimin e infeksioneve virale ka patur nje arsye deri me sot. Elementi i papranueshem, do te qendronte ne faktin, se si ka mundesi qe keto terapi kane treguar efikasitetin e tyre per te trajtuar semundjet tumorale duke i sheruar plotesisht ato, dhe lejohen vetem ne raste te caktuara tek keta paciente, dhe nderkohe procesi eshte kaq i lehte dhe i pakontrolluar per tu aplikuar ne shkalle kaq te gjere ne individet e shendoshe sikurse presupozohet nga nje proces vaksinimi.

Siç mund të shihet këtu kemi një sërë shqetësimesh që kanë të bëjnë me faktin se pandemia po përshpejton futjen në treg të terapive gjenike në luftën ndaj një sëmundjeje që nuk njihet mirë, duke injoruar ato kërkesa sigurie që ndiqen në mënyrë strikte në sëmundje të tjera. Më tej z. Prifti shton se komuniteti shkencor ka mjaft dyshime nëse antitrupat e prodhuar janë shpëtim ndaj këtij inveksioni, duke vënë në dukje se në të vërtetë “mbrojtja ndaj Sarscov2, qendron pikerisht ne efektivitetin e procesit njohes ndaj virusit, dhe pikerisht ne ate grup genesh te genomes njerezore te cilet percaktojne interaktivitetin midis njeriut dhe viruseve pikerisht 42 gjenet e VIP te cilat rezultojne te modifikuara ne popullatat e Azise se Larget”.

Mirëpo vetë këto 42 gene nuk janë në fakt pasojë e një alteracioni genetic si pasojë e një sulmi nga një pathogjen? Pra në parim: nëse një pathogjen vepron në alterim genetik për shkak se kërkon përgjigje imunitare, pse atëherë një teknike me transferim genetik duhet të përfaqësojë probleme të panjohura?

Mund të tingëllojë një pyetje naive për dikë që zotëron disiplinën në fjalë, por problemi është pikërisht këtu: trajtesa të tilla në të vërtetë kanë vend në revista apo media të specializuara ku edhe kanë audiencën e duhur. Kjo është një lloj dijeje që nuk mund të divulgohet kaq lehtë sa të mos keqkuptohet. Ajo që z. Prifti thotë me një gjuhë pak a shumë teknike, çon në përfundimin se “vaksinat as nuk janë vaksina, por diçka do i bëjnë njeriut”. Është pikërisht ajo që me fjalë të tjera dhe nga një kënd tjetër thotë ndonjë konspiracionist.

Jetojmë në një kohë ku për shkak të frikës dhe situatës, të gjithë, apo thuajse të gjithë, mund të bëhemi viktima të informacionit të cilin nuk e kuptojmë, të shkencës dhe axhendave që nuk interpretohen dot prej të gjitthëve. Në këtë kuadër të rrezikshëm ku ngjan se vetë aftësia jonë për të logjikuar mund të destabilizohet apo të dorëzohet ndaj çdo lloj sharlatanizmi, njerëz si z. Prifti duhet të flasin më shumë dhe më fort pranë qeverive, agjencive shtetërore në mënyrë që shqetësimet e tyre të konsiderohen si elementë të sigurisë kombëtare. Pasi shëndeti i popullsisë, sidomos kur flasim për efekte të pakthyeshme dhe me alterime esenciale fiton rëndësinë më të madhe të mundshme.

Ne duhet , sidomos tani, të kemi të DREJTËN t’i besojmë qeverisë se po na ndihmon ta kalojmë këtë situatë, se ajo po bën më të mirën për Ne, se ajo është syçelët dhe po dëgjon edhe zëra si z. Prifti, në mënyrë që të mos gjendemi në një lloj vetësegregimi social mes të vaksinuarave dhe të pavaksinuarve, atyre që “e hëngrën” dhe atyre që “ia hodhën”. Do të ishte fundi i besimit dhe kohezionit social.

Për këtë arsye shkrime të tilla duhen shmangur së publikuari pa një aparat shpjegimi dhe përmbi të gjitha është koha që politika dhe institucionet të marrin rol në komunikimin me qytetarët. Ekspertët duhen dëgjuar, por ata nuk mund të zëvendësojnë mesazhin dhe rolin e institucioneve. Është një gabim i madh – qoftë edhe si element demagogjik – të thuash se të gjitha vendimet për pandeminë i marrin ekspertët. JO. Vendimet i merr dhe duhet t’i marrë politika sepse po rrezikohet diçka shumë e madhe. Ekspertët duhen dëgjuar, ata nuk mund të komandojnë siç propozon me djallëzi kryeministri, i cili nuk mund të fshihet më.

Comments

Submitted by opinion (not verified) on

problemi qe ju ngrini ne lidhje me artikullin e Dr.Priftit eshte i drejte. Fatkeqesisht ne komunitetin mjekesor ka zene rrenje politika si mjet per te bere karriere e per perfitime personale dhe kjo ka bere qe zera qe ngrene problematika si Dr.Prifti te mos degjohen , te injorohen madje ne disa raste edhe te sulmohen e anatemohen ne media e ne rrjetet sociale. Mund te lexoni se sa ashper komunikon dr.Silva Bino me Dr.Priftin me nje arrogance qe te le pa fjale. Nuk mund te jemi te qete me cfare thote qevera sepse deri me sot ajo ka bere vec propagande pa i dhen zgjidhje shume problemeve te lidhura me Sars Cov2. Akoma deri me sot nuk kemi mjaftueshem te dhena statistikore per te pasur nje panorame te qarte te perhapjes se virusit ne Shqiperi. Testimet po kryhen me teper per shkak te nevojes se levizjes, udhetimeve apo infektimeve te dyshuara sesa per monitoruar shkallen e infektimit. Komiteti i Specialisteve me teper po ndjek direktivat e partise ne pushtet se ate cfare diktohet nga mjekesia si profesion. Pipero-Bino-Brataj tashme kane humbur edhe besueshmerine me qendrimet e tyre mediatike. Per ta Dr.Prifti shihet si armik dhe perhapes paniku. Nese ju kujtohet dr.Prifti pati dhene alarmin tek Eni Vasili se SarsCov2 kishte gjasa te kthehej ne pandemi me pasoja katastrofike nese nuk merreshin masa drastike menjehere. Per kete qendrim u sulmua si perhapes paniku duke harruar se ky qendrim i tij vinte ka nje eksperience e tij direkte me paradhesit e ketij virusi. Nje jave me vone ai u thirr perseri nga Eni Vasili per ti dhene te drejte, ishte pikerisht momenti kur u moren masat drastike te mbylljes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.