Partneritet i fuqizuar transatlantik, por rikthimi në kohët e vjetra është iluzion

Postuar në 07 Dhjetor, 2020 14:04

Gjermania shpreson të frenojë fuqi si Rusia dhe Turqia në rajonet periferike të Europës duke riaktivizuar lidhjet transatlantike me SHBA. Në një intervistë për revistë “Spiegel”, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka nënvizuar rëndësinë e asaj që është quajtur “Marrëveshja e Re”, sipas të cilës raportet me SHBA duhet rifuqizuar.

Rikthimi i SHBA në skenën ndërkombëtare do të ndryshojë shumë gjëra, sepse së bashku ne jemi për një qasje bashkëpunuese. Europa dhe SHBA duhet të punojnë së bashku më ngushtë dhe në mënyrë strategjike. Ne nuk mund të lejojmë krijimin e vakuumit sërish si në rastet e Sirisë dhe Libisë, p.sh që mandej mbushet nga të tjerë, Rusia dhe Turqia. Ne nuk mund të lejojmë më hapësirë veprimi për autokratët. Ne europianët jemi të përgatitur të luajmë pjesën tonë në të qenit garantues të paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në aleancë me SHBA

shprehet ndër të tjera Maas.

Ky lloj vizioni nuk është gjë e re, por një ftesë për riciklimin e raporteve dhe mënyrës së veprimit para ardhjes së Trump në pushtet, ndonëse Maas thotë se nuk është kjo ftesa që vjen nga Gjermania.

Europa ka zhvilluar kapacitetet të përbashkëta. Ne duam të forcojmë rolin europian në NATO. Kemi marrë përgjegjësi të sigurisë në zona që shtrihen nga Sahel në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme dhe të Afërme. Ne duhet të vazhdojmë me vendosmëri në këtë rrugë, si për interesat tona të sigurisë dhe për një partnerite të balancuar me SHBA. Dhe ne duhet të përkufizojmë qartë politikën tonë rajonale së bashku me SHBA. Cili është qëndrimi ynë i përbashkët në raport me Kinën dhe Iranin? Të shpresosh për një rikthim në kohët e vjetra do të ishte iluzore. SHBA nuk do të rikthehet në rolin e policit global

thotë Maas.

Ministri gjerman ka replikuar deri diku me propozimin francez për “autoniminë strategjike” duke theksuar se kjo autonomi është parakusht për një marrëdhënie transatlantike funksionale. Qëndrimi gjerman megjithatë është një lloj strategjie në vetvete që synon të risigurojë Europën përmes forcës amerikane duke luajtur për vete një rol ekonomik parësor. Diçka që nuk mund të vazhdojë më pa tensione brenda vetë kontinentit, ndërkohë që Gjemania nuk pranon të çojë përpara reforma për BE-në.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.