Kotzias zbulon prapaskenat e çështjes maqedonase në një libër të vetin

Postuar në 07 Dhjetor, 2020 23:23

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, pritet të publikojë së afërmi një libër që trajton gjerësisht prapaskenat e asaj që quhet si “çështja maqedonase”. E cila është padyshim një ndër dy çështjet më kritike të politikës së jashtme greke të dekadave të fundit, krahas asaj për Qipron. Tema e librit dhe titulli i tij njoftohet përmes një opinion të Pavlos Papadopoulos, publikuar në “Kathimerini” që përcjell edhe disa pasazhe me interes për publikun.

Qveritë greke, duke nisur që nga Konstantinos Mitsotakis(1990-03) te Antonis Samaras(2012-15) ndoqën një diplomaci sekrete inefektive, teksa duke pranuar, por pa e njohur, një emër të dyfishtë apo të trefishtë për atëq ëishte dikur Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë me emrin Maqedonia në çdo rast

hap opinionin Papadopoulos që huazon këtu vlerësime nga libri që ka titullin: “Logjika e zgjidhjes: Teoria politike dhe Praktika në Marrëdhëniet Ndërkombëtare – Të vërteta për të Çështjen Maqedonase dhe negociatat”.

Kotzias ka përdorur kabllograme të klasifikuara dhe dokumente të tjera të Ministrisë së Jashtme të Greqisë për të mbështetur argumentin, duke akuzuar siç thotë artikullshkruuesi “të gjitha partitë politike nga 1990 për sfondin teorik të papërshtatshëm, përqasje të kufizuar të zhvillimeve gjeopolitike dhe mungesë të përgatitjes intelektuale në kuadër të ndryshimeve globale”.

Papadopoulos nënvizon se nga 1008 faqe libër, 130 janë polemikë, duke sqaruar kështu se në vetvete vepra nuk ka synim polemizues, as karakteristika të tilla, por synon të vendosë disa parime filozofike për të cilat “çështja maqedonase” shërben si ilustrim. Me interes janë vlerësimet e Kotzias për figurat e njohura greke të politikës së dekadave të fundit, që në Shqipëri janë shërbyer sipas klisheve të zakonshme katundareske të politikës që bëhet në Tiranë.

Konstantinos Mitsotakis ishte një njeri që kërkonte zgjidhje, por nuk e kishte kuptuar plotësisht logikën e saj…

Politika e Andreas Papandreout ishte shumë e pabalancuar. Një teatër i politikës së fortë me embargo e njëanshme të Greqisë, deklaruar më 16 shkurt 1994 dhe më pas tërheqje e shpejtë me Marrëveshjen e Përkohshme të imponuar nga jashtë dhe e cila nuk u pranua kurrë në Parlament.

Periudha e Simitisit ishte një periudhë e diplomacisë sekrete në emër të çështjes së emrit

Këto janë disa prej vlerësimeve që dalin si konkluzion nga materialet konfidenciale. Si u arrit në Marrëveshjen e Prespës, të cilën duket se Kotzias e ka si trashëgiminë kryesore? Duket se pala greke ka lëvizur drejt kësaj pike në vitin 1996, kur ish-ministri i Jashtëm, Theodoros Pangalos i deklaroia ambasadorit grek në SHBA, Christos Zachariakis se:

Athina do të preferonte emrin “Republika e Maqedonisë – Shkupi” për vendin fqinj.

Qeveria e Karamanlis ndoqi të njëjtën logjikë, por duke i bërë veto anëtarësimit të FYROM në NATO bëri nul Marrëveshjen e Përkohshme. Ishte ky momenti kur sipas Kotzias në Shkup kuptuan se duhet të gjenin një “logjikë të zgjidhjes”. Duke vënë në dukje rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, ish-ministri grek thekson si akt të parë të qasjes së re të Shkupit, vizitën e ish-ministrit maqedonas në vitin 2017 në Athinë pasuar mandej nga negociatat që shtjellohen në 300 faqe “mbushur me anekdoda dhe profile psikologjike të protagonistëve”.

Finalja e negociatave paraqitet në detaje, edhe pse Kotzias ishte protagonist.

Ne morëm dy karrige dhe një tavolinë dhe u zhvendosëm nën një pemë. Koha e emrit kishte ardhur...

Diskutimi që pasoi zgjati 3 orë.

Gjatë gjithë kësaj kohe ne kishim diskutuar shpesh me Dimitrovin emrin. Por këto diskutime nuk ishin as shteruese, apo detyruese, por më tepër eksploruese në natyrë. Besoja dhe ende besoj se kështu duhet të ishte. Ne kërkuam në fillim të krijonim besim…Të dyja palët, brenda tyre, por edhe mes tyre, kërkonin të gjenin një mendësi pro zgjidhjes. Përkufizim të vijave të kuqe dhe kundërshtive, “kërkesat” tona dhe po ashtu perspektivat pozitive. Me të bërë këtë, ne kishim krijuar kushtet për të zgjidhur çështjen kryesore…

Nimets kishte hedhur sërish në tryeze propozimin e tij me pesë emra…Një propozim ishte Republika e Maqedonisë(Shkupi) apo Republika e Maqedonisë – Shkupi. I pari ishte më keq se i dyti për shkak të parantezës e cila duke u marrë për atë ccfarë ishte, do të harrohej shpejt. Por edhe varianti i dytë ishte po ashtu i papranueshëm për një arsye të thjeshtë: nuk ishte një emër i përbërë, por një shtesë ndaj “Republika e Maqedonisë”. Mund të ndërtohej si një emër tranzitor, për t’u thjeshtuar në të ardhmen.

Emri I dytë ishte “Republika e Maqedonisë së Vardarit”. Që në momentin që kishte “e” propozimi kishte aspektet e veta pozitive. Kishte një problem megjithatë, pasi lumi Vardar kalon në të dyja vendet: në Greqi njihet si Aksios. Sigurisht dikush mund të thotë se emri Vardar e bënte të qartë dallimin nga Aksios i Maqedonisë. Kështu që ky emër pati pro-të dhe kundrat e veta. Megjithatë qeveria e FYROM nuk e donte sepse emri asociohej me Jugosllavinë fashiste të mes dy luftërave.

Emri i tretë “Maqedonia e Re” pëlqehej nga miqtë e mi në Selanik ndonëse mund të keqndërtohej si një “Maqedoni e Re” që trashëgohej nga një “Maqedoni e Vjetër”. Pala tjetër nuk e pëlqente emrin sidomos socialdemokratët në pushtet, që nuk donin një emër që simbolizonte një thyerje me të kaluarën e tyre socialiste.

Emri i katërt ishte “Maqedonia e Sipërme” dhe Dimitrov ishte vendosmërisht kundër këtij varianti. Kjo sepse i vetmi vend me një “E Sipërme” si pjesë të emrit(Volta e Sipërme) ishte zhdukur(Tani është Burkina Faso). Kështu që emri ishte në një mënyrë një ogur i keq.

Mbeti emri i pestë...

Sigurisht një negociatë jo e lehtë që hulumton semantikën e një emri si e si për të neutralizuar kumbimin historik të tij pa ia cenuar dinjitetin asnjë pale. Rasti në fjalë është një shembull sesi një “kleçkë” shndërrohet në problem strategjik për një rajon të tërë, ndërkohë që nuk mund të mos bjerë në sy se hapat kryesorë të zgidhjes nga pala greke janë hedhur nga qeveri të majta. Në këtë kuadër, qeveria e tanishme e Kyriakos Mitsotakis ka shansin të barazojë suksesin diplomatik të arritur nga qeveria Tsipras me Marrëveshjen e Prespës, në trajtimin e raporteve të vështira me Turqinë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.