Z. Surroi kishte detyrim ndaj vetes ta dinte se "ky stan këtë bulmet ka"

Postuar në 28 Nëntor, 2020 11:45

Ky 28 nëntor – datë kjo që vazhdon festohet duke parë filmin “Nëntori i dytë” dhe duke dalë xhiro në bulevard, trokiti me një incident që na kujton se çfarë karikature kemi krijuar e trashëguar që nga 1912. Se kush qeveris në këtë vend dhe sesa pa vlerë janë aktet e gjeneruara ndër vite. Në Këshillin e Qarkut Kukës u vendos që Veton Surroit t’i hiqej titulli “Nderi i Qarkut” që i është dhënë më herët me motivacionin për kontribut në luftën e Kosovës.

Protagonist i këtij akti u duk se ishte Safet Gjici, kryetar i Bashkisë së Kukësit, një njeri që përflitet shpesh në media se qëndron pranë kryeministrit. Nëse dëgjon videon e diskutimeve në mbledhje, aty z. Gjici është shumë i kthjellët në atë që thotë: sipas tij, me qëndrimet e veta z. Surroi ka ardhur në kundërshtim me motivacionet për të cilin i është akorduar titulli. Z. Gjici madje thotë se Surroi ka dalë kundër luftës së UÇK-së dhe se titulli duhej hequr edhe me koston e një përballjeje në gjykatë. Pak më vonë, z. Gjici doli me këtë status:

Si mundet të pendohet kështu burri në këto anë? Si xhanëm na qenka nxitim një arsyetim i bërë në mbledhje, a thua Safet Gjici erdhi dje në Kukës dhe nuk e di se kush është kush dhe se çfarë rëndësie ka një gjë apo një gjë tjetër. Mirëpo sado ta akuzojnë Gjicin, që duket se nuk ka ndonjë gjë nga vetja, por e ka porosinë nga Tirana nga ata që shfrytëzojnë budallallëkun e porositur për të dhënë mesazhet që u interesojnë, problemi këtu është gjetkë. 

Në kaq vite sa dëgjojmë për dhënie titujsh dhe çmimesh, nuk kemi parë asnjëherë një REFUZIM. Një të vetëm. Të krijohet përshtypja se çdo shqiptar, me çfarëdo formimi dhe historie personale, do të pranonte çdo çmim që t’i japin, mjaft që të jetë protagonist i një ceremonie, i një tabele nderi, a podiumi. Çmimet dhe titujt e presidencës janë bërë si diploma kristali, qytetarët e nderit janë tanimë në prag të kalimit në shumicë brenda komuniteteve, pa folur për mikrotitujt e shkollave dhe lagjeve në fshatra. Për monumente të personalizuara anës rrugëve nacionale e gjithfarë narrativash përlavdëruese që dalin në gazeta lokale.

Kjo dukuri të kujton atë tjetrën, të parathënieve të autorëve të njohur shqiptarë në botime anonime dhe pa rëndësi. Është një shpërdorim i emrit dhe punës tënde kur pranon një titull që nuk vjen si pasojë e njohjes së një vepre, por si një qokë që ka formën ceremonial të një dollie publike.

Për çfarë i duhet Veton Surroit titulli “Qytetar Nderi i Qarkut Kukës”? Çfarë vlere sjell kjo dhe sa përputhet ajo me kontributin e tij, apo me njohjen e këtij kontributi nga ata që ia dhanë? Askush nuk mund ta dijë. Titujt në Shqipëri janë në një shkallë industriale dhe përtej këtyre formalë, kemi edhe titujt informalë: shikoni se kush ftohet në mediat kryesore, si bëhen familjare disa fytyra duke hapur kështu ciklin e përkëdhelive reciproke të vipave që janë turpi i një vendi të tërë. Ndaj Gjici është në rregull. Është Surroi ai që nuk është në rregull sepse nëse te ky i fundit do kërkojmë dhe presim intelektualin, atëherë kemi të drejtë edhe ta pyesim: ku të çonte mushka kur pranove “nderin” e Këtyre?

se.za

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.