Zbulohet sistem i filtrimit të ujit përdorur 2000 vjet më parë nga majat

Postuar në 27 Nëntor, 2020 22:41
Linda Gershon

Para më shumë se 2 mijë vjetësh, fiset maja ndërtuan një sistem kompleks të filtrimit të ujit nga materialet të mbledhura disa milje larg vendbanimeve të tyre. Studiuesit që kryejnë gërmime në qytetin antik të Tikal në veri të Guatemalës kanë zbuluar gjurmë të kësaj mrekullie inxhinierike mijëravjeçare. Sipas detajeve të botuara në “Scientific Reports”, autorët e studimit zbuluan se majat ndërtuan sistemin e filtrimit të rezervuarit Corriental plot 2 185 vjet më parë.

Sistemi - i cili mbështetej në kuarcin kristalin dhe zeolit, një përbërje prej silici dhe alumini, për të krijuar atë që studiuesit e quajnë një "shoshë molekulare", e cila filtronte mikrobet e dëmshme, metalet e rënda dhe ndotësit të tjerë - qëndroi në përdorim deri në braktisjen e qytetit rreth vitit 1 100. Sot, të njëjtat minerale përdoren në sistemet moderne të filtrimit të ujit.

"Ajo që është interesante është se ky sistem është ende efektiv sot dhe majat e zbuluan atë më shumë se 2 000 vjet më parë", thotë autori kryesor i studimit, Kenneth Barnett Tankersley, arkeolog në Universitetin e Cincinnati-t.

Sipas Science Alert, arkeologët më parë menduan se përdorimi i parë i zeolitit për filtrimin e ujit daton për herë të parë në fillim të shekullit XX. Studiuesit kanë dokumentuar lloje të tjera të sistemeve të ujit - duke përfshirë ato të përqendruara në rërë, zhavorr, bimë dhe rroba - të përdorura në Egjipt, Greqi dhe Azinë Jugore që në shekullin e XV para erës sonë. 

"Shumë mendojnë se amerikanët vendas në Hemisferën Perëndimore nuk kishin kapacitete inxhinierike ose teknologjike si Greqia, Roma, India ose Kina", thotë Tankersley. "Por kur bëhet fjalë për menaxhimin e ujit, majat ishin mijëra vjet para tyre". Sipas studiuesve, cilësia e ujit mund të ketë qenë një shqetësim i madh për fiset maja, pasi Tikali dhe qytete të tjera në të gjithë perandorinë ishin ndërtuar mbi gur gëlqeror poroz që linte pak ujë të disponueshëm gjatë thatësirave sezonale. Pa një sistem pastrimi, konsumi i ujit të rezervuarit do të kishte ndikuar në shfaqjen e sëmundjeve për shkak të pranisë së cianobaktereve dhe substancave të tjera toksike.

Studiuesit kanë gjetur gjurmë të mërkurit në rezervuarë të tjerë të zonës, por te Corrential nuk u gjetën gjurmë kontaminimi. Majat mund ta kenë marrë kuarcin dhe zeolitin rreth 18 milje në verilindje të qytetit, rreth Bajo de Azúcar. Tikal, i njohur si Yax Mutal për banorët e tij antikë, përbëhej nga më shumë se 3 000 struktura. Në majën e tij jetonin të paktën 60 000 njerëz, siç raportoi David Roberts për revistën “Smithsonian” në 2005. Pas braktisjes së tij 900 vjet më parë, një pjesë e madhe e qytetit u zhduk deri në fund të shekullit të XX, kur arkeologët guatemalas gërmuan atë që njihet si Bota e Humbur, një kompleks piramidash dhe ndërtesash që prek kohësh ishin mbuluar nga xhungla. Studiuesit kanë gjetur të dhëna të shkruara që ofrojnë një kronologji të plotë të sundimtarëve të Tikal-it për një periudhë 800-vjeçare. Në vitin 1979, UNESCO e futi Parkun Kombëtar të Tikalit në listën e Trashëgimisë Botërore.

Përktheu me shkurtime: Gazmira Sokoli 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Filtrimi i ukit njihet ne shume kultura te vjetra, duke filluar nga perdorimi i guralecve e deri tek lekurat e kafsheve apo copat e ndryshme te bezeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.