Nuk mund të ketë falje të vërtetë pa njohje përgjegjësish

Postuar në 27 Nëntor, 2020 23:58
Skerdilajd Zaimi

 

Të mos harrojmë, por të falim!

Kështu është shprehur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kur u pyet për faktin se pse ai e kishte quajtur pushtimin bullgar gjatë LIIB, si “administrim”. Sipas mediave, Zaev ka theksuar se vendet e Ballkanit duhet të shtrijnë dorën ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që të ndërtojnë një shtëpi për të ardhmen. Mesazhi padyshim që është i dobishëm dhe ai ka vlerën e vet sidomos në një vend si Maqedonia e Veriut që është miniatura shembëllizuese e Ballkanit për atë që përfaqëson historikisht, por edhe etnikisht dhe kulturalisht.

Zaev ka edhe arsye politike reale të lëvizë në këtë drejtim. Ai drejton një vend që e ka jetike hyrjen sa më të shpejtë në Bashkimin Europian, të cilën e mban të bllokuar një veto bullgare për shkak të pretendimeve mbi ekzistencën e kombësisë dhe gjuhës. Ky është një pretendim tipik në Ballkan që i sheh identitetet si konstante kozmike duke injoruar të drejtën për të ndryshuar dhe për të dalluar të ardhmen përmes një lenteje të re. Për fat të keq kjo është vetoja e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut, për arsye të ngjashme. Për rreth 30 vjet Greqia, ose ndryshe vendi europian I Ballkanit, bllokonte Shkupin zyrtar për çështjen e emrit, duke pretenduar se po luhej me historinë e saj, ndaj së cilës Athina pretendon se ka të drejta absolute.

Paradoksi në këtë rast është shumë i madh dhe sfidon të gjithë predikimin europian në Ballkan: familja e vlerave demokratike dhe të drejtave bllokohet kështu në nyjen e trashëgimisë historike dhe identitare që kërkon në Maqedonië e Veriut prevalencën e vet mbi maskën europiane. Mirëpo Maqedonia e Veriut e kapërceu këtë hallkë duke pranuar disa kushte që iu imponuan, më tepër sesa u negociuan. Kjo u bë e mundur patjetër edhe nga roli i faktorit shqiptar që ka pranuar të aderojë në shtetformimin e Maqedonisë duke ndikuar të anojë peshoren e orientimit të tij nga Perëndimi. Një orientim që formalisht është në përputhje me parimet e të drejtave, pasi elementi shqiptar në këtë vend ka probleme jo të vogla.

Epsiodi maqedonas ilustron për të gjithë se cila është rruga dhe fatura që duhet të paguajnë ballkanasit për të fituar kartën e qytetarisë europiane. Është faturë që prodhohet nga historia e vështirë dhe e ndërlikuar e rajonit, histori në të cilën ka dorë po kjo Europë që sot tutelon njësoj si në të shkuarën: duke imponuar modele, në vend se të marrë një laps e të shtrijë vizat kufitare në hartë.

Nëse modeli boshnjak është gjysmë i suksesshëm, atëherë modeli multientik duhet të ketë sukses në Maqedoninë e Veriut. Mungesën e konsensusit fetar mes sllavëve, po e zëvendësojnë me arritjen e konsensnsusit ndëretnik mes sllavëve dhe shqiptarëve, të cilëve u është marrë koncesioni i një liberalizmi dhe moderacioni strategjik.

Si mundet të aplikohet ky model në Kosovë, ku po kërkohet diçka shumë më e madhe? Mesa duket është e pamundur, ose paraqitet si e tillë. Në Kosovë Kushtetuta dhe çdo gjë u përgatit nga të huajt dhe vetë shteti është një lloj embrioni in vitro, për të cilin qytetarët janë thjesht banorë. Eksperimenti i administratës Trump me ndarjen, u bllokua duke gjeneruar një krizë të domosdoshme politike që kurorëzohet me procesin e ish-drejtuesve të UÇK-së. Kurorëzohet sepse ky proces më së paku asgjëson aureolat e rreme të atyre që e shfrytëzuan historinë e vështirë të Kosovës vetëm për t’u pasuruar.

Mirëpo shmangia e idesë së ndarjes e vendos Kosovën dhe vetë shqiptarët para një sfide të një tjetër lloji, të cilën për fatin e tyre të keq po e luan në vetë të parë kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama. Sevdalliu numër një i idesë së Minishengenit thjeshton qëllimisht pengesat duke e rrëfyer historinë në prizëm ekonomik sepse vetëm kështu ajo do të humbasë vlerën e vet. Zaev e ka ndoshta pak më të thjeshtë ta shndërrojë pushtimin në administrim, sepse kanë kaluar gati 80 vjet. Por shqiptarëve po u kërkohet të harrojnë një projekt shtetëror spastrimi vetëm 20 vjet pasi ai u vu në zbatim dhe pa asnjë ndjesë zyrtare nga Serbia. E cila mundet edhe të thotë se ka kryer Krime kundër Njerëzimit në Serbinë e Vjetër, në mënyrë që ta kënaqë edhe sedrën e vet të infektuar keq.

Jo. Moderacioni po kërkohet nga shqiptarët. Serbia luan rol bllokues në Bosnje, rol bllokues në Kosovë, tenton gjithçka në Mal të Zi dhe nga ana tjetër paraqitet si fuqi moderuese në nisma si Minishengeni. Edhe këtu përcjell idenë se po moderon veten nga të drejtat që po i mohohen. 

Është e qartë se përtej vlerës që ka si vend, rëndësisë që padyshim e ka, Serbia nuk di, nuk do dhe nuk mundet të fitojë të ardhmen që pretendon në Ballkan në këtë mënyrë. Ajo mundet të marrë rëndësinë që ia japin të tjerët, por jo atë rëndësi që do të merrte një vend që njeh përgjegjësitë e veta. Kjo është diçka që ka të bëjë jo vetëm me moralin, por edhe me mënyrën sesi shtrohet e ardhmja, alibinë e së cilës për fat të keq ia krijojmë Ne. Shqiptarët. Duke pranuar një moderacion të pakushtëzuar, për të cilin nuk mendojmë gjatë, të cilin na e këshillojnë e që është asgjë më shumë sesa poshtërim. Të gënjyer nga një faktorizim i sponsorizuar nga të tjerë, shqiptarët dhe elita e tyre po pranojnë të harrojnë atë që nuk harrohet, të shesin atë që nuk shitet. Nëse Zaevi sot është i dobët, pozita e tij nesër do të mirëkuptohet. Por ky cedim nga pala shqiptare nuk ka asnjë argument veç atij argumenti që buron nga instinkti ynë i vetëm: sjelljes së imporvizuar në rrethanat e diktuara nga padroni i radhës. Do të ishte e pranueshme një gjë e tillë nëse paqja dhe moderacioni do të ishin vokacion apo mision ideologjik. Por ky nuk është rasti. Moderacioni në këtë rast është koniunktura me historinë e keqkuptuar dhe papërgjegjshmëri naive në zhvlerësimin e saj. Gjërat ndryshojnë dhe duket se i ashtuquajturi shekulli shqiptar po kalon si përherë: gjysmak dhe me mësimet e gabuara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.